E Diel, 1 Nëntor 2026

Makolli: Në Preshevë me targa dhe dokumente të Kosovës

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, i cili pritet që të enjten ta vizitojë Luginën e Preshevës, ka thënë se nëse autoritetet serbe do t’i kërkojnë heqjen apo edhe mbulimin targave të Republikës së Kosovës, ai më parë do të kthehej se sa ta zbatonte një kërkesë të tillë.

Një ditë para nisjes për në Luginë të Preshevës, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka deklaruar se vizita e tij nuk është kundërpërgjigje ndaj vizitave të zyrtarëve serb në vendin tonë, ndërsa ndaj pohimeve se me këtë vizitë Lugina e Preshevës po trajtohet si diasporë, ai ka thënë se ata që deklarojnë kështu nuk e njohin mirë gjeografinë.

Makolli ka deklaruar se kjo vizitë po bëhet me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve me përfaqësuesit të Luginës së Preshevës.

“Ky është qëllimi i vizitës sime atje, që të takohem me lidershipin politik shqiptar në Luginën e Preshevës, për t’i bashkërenduar aktivitetet, në drejtim të përkujdesjes ndaj mërgatës. Ne kemi një mërgate të përbashkët, pavarësisht që këtu brenda jemi të ndarë me kufij, mërgata jonë është e përbashkët e njëjtë dhe qasja duhet të jetë po e njëjtë”, ka thënë ai.

Makolli po ashtu ka thënë se ka filluar një bashkëpunim me autoritetet në Republikën e Shqipërisë dhe tashmë do të fillojë edhe me autoritetet shqiptare në Luginën e Preshevës dhe se në të ardhmen pritet që të ketë bashkëpunim edhe me autoritetet shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi, gjithnjë në drejtim të harmonizimit të politikave dhe veprimeve që kanë të bëjnë me diasporën.

Makolli ka mohuar zërat se vizita e tij është si kundërpërgjigje e Qeverisë së Kosovës ndaj vizitave të zyrtareve serb në Kosovë, pasi vizita është paraparë të bëhet muaj më parë, kur edhe ka filluar hartimi i strategjisë dhe politikave për përkujdesje ndaj diasporës, por se ajo nuk ishte realizuar për shkak të obligimeve të shumta.

Ai ka thënë se vizita po bëhet me kërkesë të tij dhe se tashmë ai e ka njoftuar kryeministrin përkitazi me vizitën dhe me çështjet të cilat do t’i trajtoj atje.

“Nuk ka pasur asnjë lloj kërkese nga askush në çfarëdo forme të kuptohet, sikur Qeveria e Kosovës tash po kundër përgjigjet çoftë me vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, qoftë pas letrës së intelektualëve drejtuar institucioneve të Kosovës, që t’i vizitojnë ato kjo ka qenë e planifikuar shumë më herët”, ka pohuar Makolli.

Makolli këmbëngul se kufirin do ta kalojë me dokumente dhe targa të Kosovës, dhe se në asnjë mënyrë nuk do të pranojë ndërrimin e tyre, qoftë edhe nëse do t’i duhet të kthehet për këtë.

“Nëse në çfarëdo rrethane, nuk lejohet ose kërkohet ndërrimi i tabelave në pikën kufitare, nuk jam i gatshëm që të zëvendësoj tabelat me tabela tjera. Natyrisht që do të shohim forma tjera të lëvizjes , pjesën teknike e kanë marrë përsipër autoritete shqiptare të luginës. Besoj se po për këtë jam shumë i bindur se targat, nuk do të mbulohen ose do të kalohet me targa zyrtare që ka automjeti ose do të gjejmë forma tjera të lëvizjes por nuk do të ndërrohen targat”, ka thënë ai.

Ndërsa zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se Makolli duhet ta vizitojë Luginën e Preshevës si përfaqësues i Qeverisë dhe jo si ministër i Kosovës.

“Unë dua të besoj se kjo vizitë bëhet në emër të Qeverisë së Kosovës dhe se ministri në fjalë e bënë vizitën në emër të qeverisës ë Kosovës dhe jo si ministër për diasporën. Sepse shqiptarët në Luginën e Preshevës janë autoktonë në trojet shqiptare. andaj ata në asnjë mënyrë nuk konsiderohen diasporë. Kjo koincidencë që ka ra që ai është ministër i diasporës nuk duhet të shikohet e tillë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa Liburn Aliu nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë se nuk ka kuptim që qytetarët shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të vizitohen nga ministri i Diasporës, pasi që me këtë ata po trajtohen si diasporë gjë që është gabim.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të punojë dhe të ketë një plan konkret për ta pa i përjashtuar edhe vizitat e herë pas hershme. Ai ka thënë se nëse kjo vizitë mbetet vizitë simbolike, duke i trajtuar ata si diasporë, kjo është tejet e gabueshme dhe e dëmshme.

“Mendoj se kur ta dërgosh ministrin e Diasporës t’i viziton, në start po i trajton si diasporë dhe kjo është e gabueshme dhe e dëmshme. Ata duhet të vizitohen por edhe të punohet konkretisht për ta. Deri tani s’është bërë asgjë duhet të fillojë të bëhet shumë dhe jo të mbetet kjo punë vetëm me vizita”, ka thënë ai.

Vizitën e ministrit Makollit në Luginë të Preshevës e ka konfirmuar edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Rizah Halimi. Ai, për mediat serbe, ka deklaruar se pret që nuk do të ketë kurrfarë problemi gjatë kalimit nëpër pikën kufitare afër Konçulit, fshat ky i komunës së Bujanocit, pasi në fuqi është udhëzimi i Qeverisë së Serbisë për lëvizjen e lirë me Kosovën.

“Komuna e Bujanocit tashmë i ka dorëzuar stacionit policor në Bujanoc listën me emrat e anëtarëve të delegacionit i cili do të vijë me ministrin e Kosovës. Kjo është praktikë e zakontë dhe presim lejen e MPB të Serbisë”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, kryetari i komunës së Bujanocit dhe ai i Preshevës, Shaip Kamberi dhe Ragmi Mustafa me anëtarë të tjerë pushtetit lokal dhe politikanë të partive shqiptare me Makollin do të bisedojnë rreth çështjeve aktuale të ndërlidhura me marrëdhëniet e Beogradi dhe Prishtinës të cilat kanë të bëjnë me probleme të përditshmërisë shqiptare në jug të Serbisë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›