Kredia, bankat njoftojnë konsumatorin për ndryshimet e interesit
Rregullorja e re, më shumë transparencë ndaj konsumatorit
BSH, rregulla të reja për kredinë konsumatore dhe hipotekare për individët
Ndryshimi i normës së interesit të kredive në çdo kohë, është një informacion që kredimarrësi duhet të jetë i informuar nga bankat e nivelit të dytë. Rregullorja e re e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së parashikon që bankat duhet të njoftojnë konsumatorët për ndryshimin e normës së interesit. Sipas kësaj rregulloreje, banka njofton konsumatorin gjatë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë, për ndryshimet në normën e interesit ose në kostot e pagueshme, siç përcaktohet në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”. Ka kërkesa të veçanta për kontratën e kredisë hipotekare për individin. Në rastin e një individi që aplikon për kredi hipotekare, banka është e detyruar t’i paraqesë atij informacionin standard parakontraktor të plotësuar dhe personalizuar sipas formatit të dhënë në aneksin 1, bashkëngjitur dhe pjesë përbërëse e kësaj rregulloreje. Në çdo kontratë kredie hipotekare për individin, banka plotëson kërkesat e parashikuara në nenin 7 të kësaj rregulloreje, me përjashtim të kërkesës së shkronjës “k” të këtij neni. Banka publikon në ambientet e saj dhe pajis individin me informacion në formë të shkruar mbi mënyrën e përllogaritjes dhe/ose të ndryshimit të normës së interesit të kredisë hipotekare për individin, duke i ofruar klientit si një nga mënyrat e kuotimit të kredisë hipotekare, indeksimin e normës së interesit të kësaj të fundit me normën bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë për marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes (repo).
Rregullimi i kontratës së kredisë konsumatore
Konsumatori ka të drejtën të tërhiqet nga marrëveshja dhe/ose kontrata e kredisë konsumatore pa dhënë ndonjë arsye për këtë qëllim, brenda një periudhe kalendarike 14 (katërmbëdhjetë) ditore. Ky fat fillon nga dita e arritjes së marrëveshjes ose lidhjes së kontratës, ose nga data kur konsumatori merr dijeni për kushtet kontraktuale (nëse kjo e fundit është e mëvonshme). Përpara ushtrimit të kësaj të drejte, konsumatori njofton bankën për synimin e tij (brenda afatit prej 14 ditësh) për t’u tërhequr nga kontrata e kredisë. Në qoftë se kredia është disbursuar dhe përfituar nga konsumatori dhe në qoftë se ky i fundit ushtron të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata, banka njofton konsumatorin për vlerën e kredisë që duhet t’i rikthehet nga konsumatori. Kjo vlerë përbëhet nga shuma e kryegjësë dhe interesit për ditët përkatëse, si dhe shpenzimet e mundshme të bankës të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të disbursimit të kësaj kredie. Shpenzimet e mundshme të bankës të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të disbursimit të kësaj kredie, përfshihen në çdo rast në informacionin kontraktor, ndërsa interesi llogaritet mbi bazën e normës së interesit të rënë dakord. Nëse pala konsumatore përbëhet nga disa persona dhe njëri prej tyre ushtron të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata e kredisë konsumatore, sipas pikave të mësipërme të këtij neni, atëherë dhe personat e tjerë që përbëjnë palën konsumatore kanë të drejtën të tërhiqen nga kjo kontratë. Nëse një konsumator tërhiqet nga kontrata e kredisë, edhe personi që ka hyrë në detyrime kontraktore duke dhënë garanci për detyrimet e konsumatorit sipas kësaj kontrate, mund të tërheqë gjithashtu garancinë/të e vendosura prej tij për ekzekutimin e kësaj kontrate.
Konsumatori ka të drejtën e shlyerjes së plotë ose të pjesshme para afatit të maturimit të detyrimeve të tij, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e kredisë konsumatore për këtë qëllim. Në këtë rast, banka duhet të bëjë një reduktim të kostos totale të kredisë. Ky reduktim konsiston në uljen e interesave dhe kostove të aplikuara mbi pjesën e pashlyer të kredisë, për periudhën e mbetur sipas kontratës së kredisë.
Kontrata e kredisë
Kontrata e kredisë konsumatore përfshin elementet e mëposhtme: qëllimin e kredisë; të dhëna të plota për identitetin dhe adresat e palëve kontraktore; vlerën totale të kredisë dhe kushtet për lëvrimin e saj; afatin e maturimit të kredisë; normën e interesit, kushtet që përcaktojnë mënyrën e zbatimit dhe përllogaritjes së kësaj norme, çdo indeks ose normë reference të zbatueshme, si dhe periudhat, kushtet dhe procedurat për ndryshimin e normës së interesit, duke përcaktuar dhe mënyrën e njoftimit të konsumatorit për çdo ndryshim të mundshëm; normën efektive të interesit dhe totalin e kostos së kredisë për konsumatorin, të llogaritur në kohën që lidhet kjo kontratë kredie; të dhënat financiare dhe të gjitha supozimet e përdorura për llogaritjen e kësaj norme, kushtet sipas të cilave mund të ndryshojë kjo normë, ose në rastet kur është objektivisht e pamundur të jepet norma efektive e interesit, konsumatorit i jepet informacion i mjaftueshëm në kontratën e shkruar për kostot/shpenzimet e kredisë; çdo shpenzim që nuk përfshihet në llogaritjen e NEI-t, por që do të paguhet nga konsumatori në rrethana të caktuara duke treguar qëllimin si dhe vlerën në rastet kur është e njohur; shumën e këstit, numrin dhe periodicitetin ose datat e çdo kësti (pagesave të konsumatorit) për të shlyer kredinë, dhe çdo shpenzim tjetër lidhur me dhënien dhe përdorimin e kredisë, të paraqitur në një plan shlyerjeje të kredisë; koston e mbajtjes së një llogarie apo të përdorimit të një mjeti pagese për transaksionet e lëvrimit të kredisë dhe të shlyerjeve/ pagesave, dhe kosto të tjera lidhur me transaksionet e pagesave (kur është e aplikueshme); garancitë e vendosura për të siguruar ekzekutimin e kontratës së kredisë dhe sigurimi i jetës ose i pronës (kur janë të aplikueshme); të drejtën e tërheqjes nga kontrata e kredisë, sipas përcaktimit të nenit 11 të kësaj rregulloreje; të drejtën për shlyerjen e kredisë para afatit dhe të përfitimit të një reduktimi të kostos totale të kredisë; kostot/penalitetet, si dhe procedurat dhe metodologjinë e llogaritjes së tyre, të cilat konsumatori duhet t’i paguajë në rastin e shlyerjes së pjesshme ose të plotë të kredisë, përpara afatit të maturimit; formën juridike të vendosjes së kolateralit, vlerësimin dhe mënyrën e vënies në ekzekutim të tij (kur është i aplikueshëm); penalitetet lidhur me mosrespektimin e detyrimeve kontraktore, të cilat nuk janë përfshirë në llogaritjen e normës efektive të interesit, por të cilat paguhen nga konsumatori në rrethana të caktuara, si dhe përcaktimi i këtyre rrethanave. Në rast se njihet vlera e saktë e këtyre penaliteteve që në momentin e lidhjes së kontratës jepen shumat respektive dhe në rast të kundërt, jepet metoda e përllogaritjes së tyre.
Në rastin e kredisë konsumatore, e cila shlyhet me këste, si pjesë të kontratës ose si aneks të saj, banka paraqet edhe: planin e shlyerjes së kredisë në momentin e dhënies së kredisë; dhe mënyrën e llogaritjes së normës efektive të interesit (duke përfshirë në llogaritje të gjitha pagesat e paracaktuara që kredimarrësi paguan në momentin e marrjes së kredisë dhe gjatë gjithë kohëvazhdimit të saj), duke dhënë një shembull të detajuar. Një bankë mund të përfshijë në kontratë me vullnetin e saj edhe informacion tjetër shtesë.