E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pronat, ligjet thelluan abuzimet"

Mbivendosja e kompetencave mes institucioneve, ka komplikuar çështjen e pronave në vend


Transparency International, publikon një studim, ku vëren se legjislacioni ka shtuar konfuzionin


Korrupsioni me pronat mban peng zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, thotë një studim i fundit i publikuar nga Zyra e Transparency International Albania, në bashkëpunim me atë për Mbrojtjen e Qytetarit. Sipas tyre, mbi 60% e ankesave që bëhen nga qytetarët, kanë të bëjnë me çështjen e pronave. Studimi vë në pah se ligjet e miratuara, megjithë përmirësimet e shpeshta, vetëm sa kanë shtuar konfuzionin dhe nuk kanë përmirësuar aspak situatën. "I paplotësuar me akte nënligjore, ka lënë mundësi keqinterpretimi dhe abuzimi. Dokumentacioni mbi pronat është i shpërndarë në disa institucione dhe sigurimi i tij nga personat e interesuar, është shumë i vështirë",- thuhet në studim. TIA e konsideron mungesën e transparencës si një nga faktorët që kanë favorizuar korrupsionin. Faktorë të tjerë, thuhet në studim, janë krijimi i monopoleve, sistemi gjyqësor, i vënë në shërbim të tyre, legjislacioni i paplotësuar dhe në konflikt me strategjinë e decentralizimit të pushtetit, etj. Sipas Transparency International Albania, Zyra e Regjistrimit të Pronave, nuk ka përfunduar ende regjistrimin fillestar, gjë që ka sjellë probleme me hedhjen në sistem të këtyre pronave. "ZQRPP-ja dhe ZVRPP-ja, kanë qënë dhe janë të përfshirë në disa projekte me donatorë të huaj, si Banka Botërore, për të përfunduar regjistrimin fillestar në të gjithë vendin, por mënyra e menaxhimit të këtij institucioni dhe ndërthurja e shumë interesave me qëllim përfitimi, bëhet vazhdimisht pengesë për të përfunduar këtë proces", - bën të ditur studimi. Transparency International, vëren se legjislacioni i përpunuar mbi pastrimin e kartelave të regjistrimit nga mbivendosjet, po zbatohet në mungesë të theksuar transparence, duke rritur shkallën e konflikteve. Sipas saj, në shumë raste nuk janë fshirë pronat e regjistruara fillimisht, por ato që janë mbivendosur mbi të parat, duke rritur artificialisht numrin e çështjeve në trajtim nga gjykata, e duke zgjatur kohën për mbylljen e procesit të hedhjes në sistem të të gjitha pronave. Një nga problemet e tjera që komplikon sistemin e pronës në vend, është edhe mbivendosja e kompetencave mes institucioneve dhe mungesa e bashkëpunimt mes tyre. Përfaqësuesit e TIA-s thonë se, në rastin e ligjit të ri të legalizimeve, ALUZINI-t i ngakohet përgatitja e listave të kompensimit, që është funksion ekskluziv i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ose me përgatitjen e kartelës së regjistrimit të pasurisë, funksion ekskluziv i ZRPP-së. Sekretari i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, tha për mediat se shteti shkel i pari të drejtën e pronës, duke miratuar ligje që nxisin grabitjen e saj, siç është ai i legalizimeve. Transparency International Albania deklaron se ligji "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", i miratuar vitin e kaluar, do të krijojë shumë probleme, veçanërisht në lidhje me transaksionet e ligjshme, si edhe me zbatimin e planeve të zhvillimit të këtyre zonave. "Nga ana tjetër, gjatë zbatimit të këtij ligji do të krijohet pasiguri në tregun e tokës, do të pengohen investimet serioze, do të inkurajohet tregu informal i tokës e do të pengohen të gjitha transaksionet e mundshme, për një kohë, të paktën, 3 vjet",- citohet në studim. TIA kërkon përmirësimin e kuadrit ligjor dhe respektimin e të drejtës së pronës, si një e drejtë kushtetuese, si dhe pastrimin e legjislacionit nga mbivendosja e kompetencave dhe plotësimi i tij me akte nënligjore. Një rekomandim tjetër që ajo jep, është edhe eliminimi në maksimum i kontaktit personal, i personave të interesuar me sportelet e administratës qëndrore dhe vendore, për dokumente që kalojnë nga një institucion në tjetrin. Institucionet që disponojnë dokumentet e nevojshme mbi origjinën e pronave, mbi lëshimin e titujve të pronësisë, mbi lejet e shfrytëzimit të objekteve, etj., të komunikojnë institucionalisht ndërmjet tyre.

PASOJAT

Zhvillimin e një tregu informal mbi tokën, i cili është shoqëruar me transaksione të shpeshta, gjithashtu, informale.
Ndërtimin e një ekonomie të paqëndrueshme dhe, hera-herës, informale
Nivel të ulët kreditimi, veçanërisht kur toka përdoret si kolateral.
Përfshirjen në korrupsion të shumë strukturave qeverisëse në nivel qëndror dhe vendor, si edhe të gjykatave.
Krijimin e një grupimi të ri pronarësh dhe investitorësh, pa traditë dhe pa njohuri mbi ligjësinë dhe respektimin e pronës, etj.
Ulja e nivelit të përgjithshëm ekonomik. Për vetë peshën e konsiderueshme që zë aktiviteti zhvillues i pronave, treguesit e rritjes apo të stopimit të tij, reflektohen ndjeshëm në ecurinë ekonomike të vendit.
Paqëndrueshmëri e tregut të punës dhe pasiguri ekonomike e ofruar nga sektori, që shumë herë shoqërohet me rritje të papunësisë për periudha të gjata kohe.
Krijimi i monopoleve dhe rritja artificiale e çmimit të tokës me ndikim të drejtëpërdrejtë mbi ekonominë dhe nivelin e jetesës për qytetarët.


Problemet
Konfliktet e krijuara nga AKP-ja gjatë procesit të privatizimit të objekteve shtetërore, kanë kaluar për trajtim nga gjykatat, ku proceset gjyqësore janë të tejzgjatura dhe, në shumicën e rasteve, zgjidhen në dëm të pronarëve të ligjshëm të tokës.
Që mbas vitit 2007, struktura e kontrollit të ndërtimeve, nga Policia Ndërtimore në nivel qendror, ka kaluar tek Inspektorati Ndërtimor në nivel vendor, gjë që jo vetëm nuk e ka përmirësuar kontrollin mbi territorin, por ky funksion, pothuajse, është kthyer në inekzistent, ose në instrument hakmarrës në duart e disa kryetarëve të bashkive.
Nga eksperienca e TI-Albania-s, rezulton që, ndonëse janë evidentuar shumë shkelje ligjore, nuk janë marrë masa ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit.
Transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në planifikim dhe vendimmarrje, lë shumë për të dëshiruar.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›