Gratë e dënuara, apel Presidentit Topi për falje për 8 Mars
Lutja e Rinelës, e dënuar për vrasje: Shpresoj pas 11 vitesh të takoj dy fëmijët e mi. Të dënuarat: Shpresojmë në ndonjë surprizë nesër, ashtu si vitin e kaluar kur u falën disa gra
Gratë e dënuara të burgut 325 i bëjnë apel Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për falje ose ulje dënimi me rastin e 8 Marsit. Ky apel iu drejtua kreut të shtetit gjatë një aktiviteti që drejtoria e këtij burgu bëri në kuadër të festës së 8 Marsit, ku të ftuar kanë qenë një grup polifonik dhe një rapsod, t’u krijonte një ambient argëtues dhe për disa orë t’u hiqte brengën grave të dënuara, pjesa më e madhe e të cilave nëna me fëmijë. Gratë, sapo kanë parë prani gazetarësh në aktivitet, janë afruar për të mësuar nëse kishim dëgjuar gjë për ndonjë falje të mundshme nga Presidenti Topi. “A do ketë falje për 8 Marsin? Kemi dërguar kërkesa dhe dokumente te Presidenti i Republikës me shpresë se do kemi ndonjë surprizë për 8 Marsin. I lutemi zotit Topi ta vërë dorën në zemër, ashtu siç bëri edhe vitin e kaluar. Shpresojmë që atë që nuk e bëri për festat e fundvitit, ta bëjë për festën e gruas, nënës”, - shprehen të dënuarat e burgut 325. Megjithatë, edhe pse aktivitet me qëllim argëtimi për to, pjesën më të madhe të tyre i shihje me sytë e përlotur. Disa prej grave mezi e presin ditën e 8 Marsit, pasi presin t’u vijnë fëmijët, bashkëshortët për t’i takuar. Ndërsa një pjesë e vogël e grave, kryesisht të dënuara për vrasjen e bashkëshortëve apo për ndonjë krim tjetër, kishin kohë pa i parë fëmijët. Arsyet ishin nga më të ndryshmet. Disa gra shpreheshin se kishin vite që nuk i shihnin fëmijët, disa prej tyre qysh prej ditës që janë futur në burg. Disa të tjera i kishin në jetimore, brenda dhe jashtë Tiranës, dhe vetëm shpresën kishin për ndonjë surprizë me rastin e kësaj feste. “Nuk e di nëse do i shoh fëmijët nesër, sepse janë në jetimore disa orë larg Tiranës dhe kam frikë se nuk udhëtojnë dot”, - shprehet njëra nga të dënuarat, ndërkohë që ne morëm konfirmimin nga drejtoresha e burgut, Irena Çela, se sot shumë gra të dënuara do kenë mundësi të takojnë fëmijët që i kanë nëpër jetimore me rastin e festës së 8 Marsit. Një tjetër nënë bën apel për të parë fëmijët e saj. Rinela, nga një fshat i Bulqizës, e cila ndodhet në burg prej 11 vitesh, ka po kaq vite që nuk arrin të shohë fëmijët e saj. Ajo u bën apel atyre të vijnë ta takojnë në burg, sepse siç edhe shprehet ajo, “kam 11 vite që më janë tharë sytë për fëmijët e mi, djalin 21 vjeç dhe vajzën tashmë 19 vjeçe. I kam lënë fëmijë dhe kam po kaq vite që nuk më bën zemra ta gëzoj këtë ditë, për shkak të mungesës së fëmijëve dhe faktit të të bërit rolin e nënës”. I pyesim gratë se çfarë dhurate presin ditën e sotme nga familjarët e tyre, fëmijët apo bashkëshortët. “Dhurata jonë për nesër do të ishte një falje nga ana e Presidentit Topi, sepse nuk ka dhuratë më të bukur se liria”, - shprehen njëzëri ato. Jashtë hekurave të burgut ndodhen të afërmit e tyre, shumë larg. Përmes mediave tona, vajzat urojnë nënat e tyre, disa prej të cilave i kanë shumë larg. Një prej këtyre vajzave është edhe Nulifer Elezi. Me sytë e saj bojëqielli, vajza nga Maqedonia e dënuar për drogë, i uron nënës së saj festën e 8 Marsit. Në këtë ditë ajo nuk pret asnjë, sepse njerëzit e saj ndodhen në Maqedoni. Nuliferi na tregon edhe për përpjekjet e saj për të fituar ulje dënimi. “I kam dërguar Presidentit një letër, ku edhe i shpjegoja problemin tim, por përgjigjja e tij ka qenë negative. Ai nuk mund të më ndihmonte as me një ditë falje, pasi jam shtetase e huaj dhe duhet të më vijnë dokumentet që të aplikoj për ulje dënimi”, - shpjegon Nuliferi. Por, nuk është e vetmja, sepse të pashpresa janë edhe 12 gra të dënuara për veprën penale të vrasjes. Sipas tyre, as futja e shërbimit të provës për dënimet alternative nuk i favorizon ato. “Duhet të ketë një ligj të veçantë për gratë, e sidomos për ato që janë nëna. Kemi lënë fëmijët jashtë”, - tregojnë gratë e përlotura. Secila prej tyre mban në kurriz një histori, secila prej tyre ka lënë një familje, fëmijë jetimë, të cilët shumë prej tyre nuk i kanë parë prej vitesh. Pjesa më e madhe e këtyre grave kanë fotografi të fëmijëve kur kanë qenë të vegjël, duke mbajtur në gjirin e tyre kujtimet e bukura, pa ditur se çfarë pamje kanë marrë fëmijët e tyre pas 5-10 apo 12 vitesh që ndodhen prapa hekurave.