Ndërtuesit: Sektori është në vështirësi
Shfuqizim të pagave dhe çmimeve të referencës, kredi të buta për strehim, janë disa nga kërkesat e tyre për qeverinë
Shoqata e Ndërtuesve Shqiptarë, i kërkon qeverisë të hartojë një plan të detajuar antikrizë. "Gati të bashkëpunojmë"
Ndërtuesit i kërkojnë qeverisë të hartojë një plan të detajuar antikrizë, për të përballuar situatën e rëndë, me të cilën po përballet ky sektor. Drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë thanë dje se janë të gatshëm të marrin pjesë në hartimin e kësaj strategjie, e cila do të ndihmonte daljen nga situata e rëndë që ka përfshirë një nga industritë kryesore të vendit. Drejtori Ekzekutiv i SHNSH-së, Maksim Muçi, në emër të ndërtuesve, i paraqiti qeverisë një listë me kërkesa, duke thënë se me mirëkuptimin e saj dhe me kontributin e të gjithëve, situata mund të përmirësohet. "Ndërtimi po vuan mungesën e likuiditeteve dhe të financimeve, së pari, për shkak të rënies së kreditimit bankar të ekonomisë në përgjithësi dhe të ndërtimit në veçanti dhe, së dyti, për shkak të rënies së remintancave të emigrantëve, si burim i rëndësishëm financimi për tregun shqiptar të ndërtimit",- tha Muçi. Sipas tij, në 3-mujorin e fundit të vitit 2008, shitjet në këtë sektor pësuan një rënie të dukshme, ku mbi 4 mijë apartamente dhe dhjetëra mijëra metra katrorë ambiente tregtare, kanë ngelur pa shitje.
Kërkesat
Ndërtuesit kërkojnë nga qeveria të lëvrojë kredi të buta për nxitjen e strehimit për shtresat në nevojë, megjithëse ajo ka deklaruar së ka gati planin për 6600 apartamente. "Të ulet norma e TVSH-së. Ka ardhur koha të bëhet diferencimi i TVSH-së, duke e ulur atë për mallrat jetike të konsumit të gjerë e ndërtimin dhe duke e rritur për mallrat e luksit, për mallrat që dëmtojnë shëndetin dhe ndotin ambientin",- theksoi drejtori i Shoqatës. Ai kërkoi nga qeveria shfuqizimin e akteve nënligjorë, që lidhen me pagat referuese, manualet e preventimit të ndërtimit, çmimet e referencës, etj. Një nga kërkesat e ndërtuesve ishte edhe ndërhyrja e qeverisë për dhënien fund të ndërtimeve informale në mbarë vendin. Sipas tyre, suksesi i këtij procesi do të gjallërojë tregun e pasurive të patundshme, duke stimuluar rritjen e ekonomisë.
Kërkesat
-Të bëhet politikë stimuluese për investime serioze dhe domethënëse në turizëm, i cili është sektori prioritar, më premtues dhe me të ardhme për ekonominë tonë.
-Të merren masa prioritare nga qeveria për përshpejtimin e punës për miratimin e ligjit të planifikimit urban dhe miratimin e planeve rregulluese të qyteteve më të mëdha, të cilët, realisht janë bërë pengesë për zhvillimin e ndërtimit në tërësi.
-Të ndryshohet Vendimi i Këshillit të Ministrave për kategorizimin e shoqërive të ndërtimit, në mënyre që licencimi i tyre të kushtëzohet nga i gjithë aktiviteti historik i tyre në ndërtim dhe jo vetëm me katër vitet e fundit të aktivitetit.
Ndërtimi u rendit tek sektorët optimistë
Raportet dhe vrojtimet tregojnë se çmimet në këtë sektor flasin për një tendencë të lehtë në rënie, kjo edhe si shkak i rënies së kërkesës nga qytetarët. Banka e Shqipërisë, në raportin për 6-mujorin e dytë të 2008-ës, tregon për një rënie me 3% të çmimeve të apartamenteve në vend. Ndërkohë që, ofertat me ulje çmimesh, po bëhen më të shpeshta. Në një vrojtim të fundvitit të kaluar, të organizuar po nga Banka, sektori i ndërtimit tregonte një indeks pozitiv besimi, duke u cilësuar si i vetmi sektor optimist për vitin 2009, pavarësisht klimës së përgjithshme ekonomike që pritet të jetë negative. Gjatë tre muajve të parë të vitit në këtë sektor pritet një rritje e shitjeve dhe përmirësim në situatën e punësimit. Vrojtimit tregon se niveli i përgjithshëm i çmimeve pritet të rritet pak, por gjithsesi mbetet në nivele të ulëta në krahasim me mesataren afatgjatë",- thuhej në Indeksin e publikuar nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, me dy daljet publike brenda pak javësh, ndërtuesit po shfaqin shenja aspak optimiste për ecurinë pozitive të këtij sektori, gjatë këtij viti.