E Hënë, 2 Nëntor 2026

Privatizimi, Berisha: Investitorët rrisin besimin ndaj ekonomisë shqiptare



Biznesi i huaj vazhdon të gjejë ambientin e duhur në Shqipëri për të investuar kapitalin e tij. Përfundimi i procesit të privatizimit të disa shoqërive shtetërore, i sjellë arkës së shtetit të ardhura të konsiderueshme në një kohë kur kriza globale po kërcënon ekonomitë e shumë vendeve. Këtë fakt, Kryeministri Berisha e ka konsideruar si besim të investitorëve të huaj ndaj ekonomisë shqiptare. Berisha e ka quajtur këtë javë, java e besimit të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare. Brenda kësaj jave u mbyll kontrata e blerjes së 12 për qind të paketës së aksioneve të AMC-së nga kompania “Cosmote”, me 48.2 milionë euro. Ministria e Financave mori 300 milionë euro kredi nga bankat e huaja, si dhe u mbyll kontrata e shitjes së OSSH-së, me një vlerë prej 102 milionë euro.

Teuta Shamku

Brenda kësaj jave u mbyll kontrata e blerjes së 12 për qind të paketës së aksioneve të AMC-së nga kompania “Cosmote”, e cila i solli buxhetit të shtetit 48.2 milionë euro. Ministri e Financave mori 300 milionë euro kredi nga bankat e huaja, që do të shërbejë për t’i ardhur në ndihmë buxhetit të vitit 2009, nëse krijohen probleme me realizimin e investimeve. Nga ana tjetër është mbyllur kontrata e shitjes së OSSH-së, e cila u ble nga kompania çeke CEZ me një vlerë prej 102 milionë euro. Nisur nga këto fakte, Kryeministri Berisha ka deklaruar dje në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave se investitorët e huaj kanë rritur besim ndaj ekonomisë shqiptare dhe po investojnë kapitalet e tyre në Shqipëri. Kryeministri Berisha u shpreh se zhvillimet pozitive të javës së fundit, privatizimi i sektorit të shpërndarjes së energjisë, shitja e 12 për qind të aksioneve të qeverisë në AMC dhe përfitimi i rreth 250 milionë euro kredi nga banka të mëdha ndërkombëtare për Shqipërinë, shprehin besimin e madh të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare. “Kjo javë ka qenë me të vërtetë një javë e madhe dhe do ta cilësonim si java e besimit të madh të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare”, - tha Kryeministri, duke theksuar se është një akt unik në Evropë që, në një hark kohor 7-ditor, kjo qeveri finalizon dy akte madhore privatizimesh. Kryeministri theksoi se qeveria miraton kontratën e përfunduar me kompaninë çeke ÇEZ për finalizimin e privatizimit të sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike. “Ministri Bode informoi mediat dhe opinionin për kredinë rreth mbi 250 milionë euro, ose ndryshe rreth 300 milionë dollarë, që “Dojce Bank”, “Raiffeisen Bank” dhe banka të tjera të mëdha, i akorduan Shqipërisë. Gjithashtu, të hënën, Ministria e Ekonomisë finalizoi me sukses të plotë një privatizim tjetër, ose më saktë shitjen e aksioneve të qeverisë me një nga çmimet më të leverdishme, me 48 milionë euro”, - theksoi në fjalën e tij Kryeministri. Kreu i qeverisë vuri në dukje se, në kulmin e tronditjeve të mëdha financiare dhe ekonomike të planetit, në kohën kur kriza ka rikthyer nacionalizimet, në Shqipëri realizohet me sukses të plotë privatizimi i KESH-it, AMC-së dhe Shqipërisë i ofrohet një kredi 25 për qind më e madhe sesa njërit prej 5-6 vendeve më të mëdha të Evropës dhe që është shumë herë më i zhvilluar se Shqipëria. “E gjithë kjo ka vetëm një shkak madhor, vetëm një shtyllë dhe kjo është situata ekonomike e Shqipërisë”, - vijoi ai. Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë vlerësoi punën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave dhe administratën e tyre, për realizimin e privatizimeve të mëdha, duke bërë të mundur zbatimin e programit të qeverisë. “Me këto privatizime të muajve të fundit arkëtohen në arkën e qytetarëve shqiptarë 250 milionë euro, duke garantuar se vlera e këtyre parave është shumë herë më e madhe, duke pasur parasysh menaxhimin shumë herë më të mirë të këtyre korporatave dhe shmangien e korrupsionit në to”, - theksoi kreu i qeverisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha falënderoi ekipin e Ministrisë së Financave, duke u shprehur se ky ekip ia ka dalë të konsolidojë në Shqipëri disiplinën fiskale, një nga disiplinat jetike në këtë vend. “Pa këtë disiplinë fiskale, të gjitha projektet do të ishin të pamundura, pa rezultatet e kësaj disipline fiskale, nuk do të ishte ky besim që gëzon sot Shqipëria, pasi para së gjithash dhe mbi të gjitha bankat janë çështje besimi, sepse paraja është çështje besimi”, - u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›