E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, qyteti ku pacientët mjekohen pa bërë analizat

19/01/2012  VËZHGIM / Përfundon në spitalin e Janinës nga mbidoza e ilaçeve vajza 6 muajshe

GJIROKASTËR - Dikur spitalet në Shqipëri ishin mjerane, pa aparatura mjekësore, por askush nuk guxonte të jepte recetë pa bërë më parë analizat. Sot ndodh e kundërta, të japin ilaçet pa bërë analizat. Kështu i ka ndodhur Elidon Xh, nga Gjirokastra, babai i dy vogëlusheve, i cili një ditë më parë nxori nga spitali i Janinës (Greqi) vajzën e vogël, e cila u kurua nga pediatri në Gjirokastër për një diagnozë që nuk e kishte. “Personalisht i besoj mjekut, por jam skandalizuar, pasi ime bijë 6-muajshe përfundoi në reanimacion e Janinës (Greqi) nga mbidoza”, thotë Elidoni.

Sipas tij, Erla (vajza e vogël) kishte dy ditë temperaturë të lartë, shkak dalja e dhëmbëve, por mjeku gjirokastrit pa bërë kontroll të hollësishëm kishte konstatuar se pacientja vuante nga grykët. “Të them të drejtën i besova. Bleva ilaçet në farmaci, sipas recetës së mjekut dhe nisa kurat”, shprehet Elidoni, duke shtuar se temperatura nuk iu ul, përkundrazi vazhdonte tatëpjetët.

“Atë mesnatë u nisa fluturimthi drejt Janinës (Greqi). Nuk kisha rrugë tjetër, pasi e kuptova qysh në fillim se kisha gabuar në përzgjedhjen e pediatrit”, rrëfen Elidoni. Për të, ajo mbrëmje ishte jetë a vdekje. “Ndryshe nga pediatri gjirokastrit, mjeku i Janinës nuk u nxitua të jepte diagnozën. Priti tre ditë analizat, pastaj foli”, tregon Elidoni. Në Gjirokastër pothuajse është e pamundur të identifikohen zyrtarisht gabimet mjekësore, në qëllimshme apo të paqëllimshme, pasi mungon raportimi nga ana e personelit mjekësor. Burime zyrtare nga filiali i Institutit të Sigurimeve Shëndetësor në Gjirokastër, pohojnë se deri tani ky institucion nuk ka regjistruar asnjë gabim mjekësor, kjo për faktin se deri tani asnjë pacientë nuk ka bërë një kallëzim të tillë. “Edhe në vendet më të zhvilluara, ku mjekësia ka kapur majat, janë bërë gabime në diagnostikim apo edhe në dhënie të terapisë, por në Gjirokastër ndodh e kundërta, nuk ka asnjë denoncim”, shprehet me habi një specialist i sigurimit, që preferoi të ngelet anonim. Sipas tij, gabimet mjekësore janë njerëzore, por ato janë quajtur “vdekje natyrale”, për shkak të mungesës së kartelës shëndetësore. “Në qoftë se çdo pacient do të kishte një kartelë shëndetësore të informatizuar, mjekët do ta kishin më të lehtë kurimin e tij. Fatkeqësisht ky sistem nuk ekziston”, specifikon specialisti. I njëjti zyrtar thotë se zbulueshmëria e gabimeve mjekësore do vazhdoj të jetë afër zero, pasi institucioni i akuzës nuk ka burime njerëzore të specializuara për të luftuar këtë fenomen. T. Skuqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›