E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia me probleme arrin 105 mld lekë, ulet ritmi i rritjes

Emirjon Senja

Rritja e kredive me probleme ka ulur ritmin, megjithatë ato mbeten në nivele shqetësuese. Shoqata e Bankave ka publikuar sëfundmi treguesit e kreditimit deri në fund të muajit janar duke pasqyruar një nivel të kredive me probleme prej 18.9 për qind. Krahasuar me dhjetorin, rritja është vetëm 0.1 pikë përqindje, po kaq ka qenë rritja e tyre edhe gjatë muajit dhjetor krahasuar me nëntorin duke rritur shpresat se tashmë do të kemi një stabilizim të këtyre treguesve dhe se bankat do të fillojnë të lirojnë kushtet e kreditimit.

Sipas të dhënave, deri në fund të muajit janar, bankat kanë kredituar ekonominë me gjithsej 564.5 miliardë lekë. Kjo shifër është rreth 15 për qind më e lartë krahasuar me janarin 2011, gjë e cila tregon një ecuri pozitive për sa i përket kreditimit. Nga e gjithë shuma e kredituar deri në fund të janarit, rreth 105 miliardë lekë konsiderohen kredi me probleme, për të cilat bankat hasin vështirësi në mbledhjen e parave të investuara.

Vështirësitë kanë të bëjnë kryesisht me pamundësinë e kredimarrësit për të shlyer detyrimet apo mungesën e informacionit të bankave për aktivitetin e tij. Një kredi kategorizohet me probleme atëherë kur kredimarrësi vonohet nga tre deri në gjashtë muaj në shlyerjen e kësteve. Fillimisht kredia kategorizohet si kredi nën standard, vlera e këtyre kredive përllogaritët në rreth 51.8 miliardë lekë bashkë me interesat. Nëse kredimarrësi vonohet më shumë se gjashtë muaj (maksimumi 1 vit) në shlyerjen e kësteve, kredia kategorizohet si në dyshim. Kreditë e kësaj kategorie janë 20.5 miliardë lekë. Në rastet e vonesave për më shumë se një vit e gjysmë, kredia kategorizohet si e humbur. Kategoria në fjalë, janë kreditë të cilat bankat nuk presin më ti rimarrin. Nga të dhënat e publikuara mësohet se kredia e humbur deri në fund të janarit 2012 përllogaritet në rreth 34.2 miliardë lekë ose rreth 300 milionë dollarë.

Bankat ndërkohë mbajnë rreth 922 miliardë lekë depozita të shqiptarëve. Depozitat janë rritur me rreth 12 për qind krahasuar me janarin 2011, periudhë në të cilën përllgariteshin në rreth 825 miliardë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›