Kujtesa kolektive sipas Romanos
Stefano Romano, një artist italian që prej pak vitesh jeton në Tiranë, prezanton nesër ekspozitën personale «Kujtesa kolektive». Është një punë e konceptuar enkas për një microgallery, e cila flet për tensionin që zhvillohet sa herë që bëjmë një zgjedhje në jetën tonë. Një zgjedhje të çon në mënyrë të paevitueshme në humbjen e diçkaje kështu kur jeta ime u nda mes dy shteteve (Shqipërisë dhe Italisë), në mënyrë të pakthyeshme, koha ka ndërtuar shtresa jete që tashmë nuk mund të zgjidhen duke zgjedhur thjesht një nga vendet për të jetuar, sepse në mënyrë të paevitueshme do të humbisja diçka tjetër.
Artisti u ka kërkuar një seri njerëzish të lidhur me të në mënyra të ndryshme (që nga lidhjet e ngushta familjare deri tek të njohurit) të kujtojnë për të një copëz nga jeta e tij. Secili prej tyre ka kujtuar një episod apo seri episodesh në të cilat gjendej artisti, duke përshkruar historinë e një marrëdhënieje, atë që ka midis tyre.
Pas kësaj faze të mbledhjes së kujtimeve të të tjerëve me të, Romano i ka shkruar ato në copa pëlhure të kuqe (ngjyrë kjo mjaft e pranishme në prodhimet e tij më të fundit), duke përmbushur kështu nëpërmjet shkrimit një ripërvetësim të atyre kujtimeve. Copat e pëlhurës u qepën së bashku duke formuar një të vetme, e cila u fiksua në muret e galerisë, duke u rrotulluar rreth vetes në mënyrë që të jetë e pamundur të lexohen këto rrëfime nga spektatori, dhe duke u tërhequr deri në pikën e tensionit maksimal që pëlhura mund të durojë, përtej së cilës thjeshtë do të grisej.
Është ideja e një galerie në miniaturë, portabël, që nuk ka pretendime të mëdha por që pretendon ide të mëdha. Sfida është realizimi i një vepre arti si pjesë e kërkimit artistik të artistit të ftuar, e që në të njëjtën kohë duhet të magjeps edhe vetë autorin.
Ekspozita hapet në orën 18.00 tek The office contemporary art space affair, Pall. Classic Konstruksion, Rr. Pjetër Budi. Qëndron hapur deri më 13 prill. / E.Demo