Tregtarët: Rriten çmimet e produkteve industriale me 10-20 lekë
Çmimet e produkteve të shportës janë rritur me 10-20 lekë javën e fundit. Nga një vëzhgim i gazetës MAPO në marketet dhe dyqanet ushqimore në kryeqytet, ka rezultuar se çmimet e produkteve industriale kanë pësuar rritje të ndjeshme javën e fundit të marsit. Sipas tregtarëve, rritja e vazhdueshme e çmimeve po ndikon ndjeshëm në uljen e kërkesës, pavarësisht se produktet, të cilave çmimet po u rriten janë produkte bazë të jetesës. Tregtarët shprehen se për arsye të rritjes së vazhdueshme të çmimeve, janë përballë faktit që të mos furnizohen me të gjitha produktet, pasi u mbeten stok. Ata shprehen se të gjitha produktet e shportës janë rritur me 10-20 lekë . “Miellin, të cilin më parë e tregtoja me 90 lekë, këtë javë pas furnizimit të fundit e shes me 110 lekë. Ndërsa vaji varion 230, 240, 260 lekë nga 210, 220, 240 që i kam tregtuar më parë përkatësisht”- u shpreh një tregtare në një një minimarket të kryeqytetit. Nga vëzhgimi ka rezultuar se orizi nga 140 lekë ka shkuar 170 lekë, sheqeri nga 130 lekë ka shkuar 150 lekë. Sipas tregtarëve, ka dy arsye rritja e vazhdueshme e çmimeve, rritja e vlerës së euros dhe stabiliteti i saj në pozita dominuese dhe abuzimi i furnitorëve. Sipas tyre, kur një euro kushtonte më pak se 140 lekë, çmimet nuk pësuan rritje. “Ndërsa kur kursi i këmbimit valutor, i ndikuar nga bursa ndërkombëtare ka kohë që mbetet i stabilizuar, duke i ofruar monedhës europiane një vend dominues mbi 140 lekë, çmimet po rriten në mënyrë të vazhdueshme. Njëkohësisht, furnitorët abuzojnë me këtë fakt dhe rrisin edhe vetë çmimet, duke na detyruar të mos furnizohemi me të gjitha produktet”- u shpreh një tregtar. Që prej dy javësh, euro po njeh një stabilizim të vlerës, duke u tregtuar mbi 140 lekë. Shtrenjtimi i euros në tregun e brendshëm, reflektim ky sipas ekspertëve i tregut valutor ndërkombëtar, ka ndikuar edhe në rritjen galopante të çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, duke patur parasysh që në tregun tonë shiten më shumë mallrat e importit. Nga ana tjetër, tregtarët ushqimorë justifikojnë rritjen progresive të çmimeve të produkteve të shportës edhe me rritjen e akcizës, por njëkohësisht rritja e çmimeve shpjegohet edhe me abuzimin.