E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhuku: Vonesa e ligjit për Amnistinë, dështim i procesit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 04-04-2011 13:18

Konfindustria ka propozuar dje publikisht amendimet e saj për draftligjin e Amnistisë Fiskale të miratuar nga Këshilli i Ministrave ditë më parë. Duke iu referuar vendeve të BE-së, kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, thotë se Amnistia fiskale në formën e plotë është e mundshme të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë me shumicë të thjeshtë dhe jo me 3/5 e deputetëve, sepse, sipas tij, nuk ka asnjë rast të vetëm në të gjitha rastet e vendeve të BE në të cilat miratimi i amnistisë fiskale të ketë kërkuar 3/5 e votave të deputetëve, por pa përjashtim janë kaluar vetëm me shumicë të thjeshtë. Konfindustria në propozimet e saj kërkon marrjen e të gjitha masave dhe në kohë sa më të shpejtë për të shfrytëzuar kohën e kthimit në atdhe të emigrantëve shqiptarë me rastin e pushimeve verore, që vlerësohen si përfituesit dhe kontribuesit kryesorë të faljes fiskale. Ajo sugjeron që norma e penaliteteve për qytetarët prej 3% e vlerës së përgjithshme financiare të amnistuar është e pranueshme, parë edhe përvojat e vendeve të tjera dhe vlera prej 3% të zbatohet edhe për kapitalet dhe asetet e biznesit për hir të parimit të barazisë dhe rregullsisë së procesit. Konfindustria kërkon gjithashtu heqjen e penalitetit prej 1% të vlerës së rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për qytetarët, për shkak se shmangiet janë pasojë e drejtpërdrejtë dhe vetëm e ndryshimeve të shpejta dhe të paarsyeshme ligjore. Ajo propozon edhe mënjanimin nga skema e amnistisë e të drejtave të bankave të nivelit të dytë, në të cilat do të bëhet vetë deklarimi për të kontrolluar origjinën e parave dhe kapitalit. Sipas Konfindustrisë, legjislacioni shqiptar ka institucione dhe ligje të veçanta, si p.sh. ligji i ashtuquajtur anti-mafia, që mund të kryejnë procesin e verifikimit në fazat e mëvonshme. Pika që Konfindustria këmbëngul, ka të bëjë me zbatimin praktik të projektligjit, gjë që kërkon të parashikohet në ligj nxjerrja e akteve nënligjore përkatëse për procedurat praktike, që duhet të ndjekin qytetarët dhe bizneset, që do të përfshihen me vetëdashje në procesin e amnistisë. Në këtë mënyrë, Gjergj Buxhuku bashkë me propozimet e komunitetit të biznesit që përfaqëson, i ka kërkuar qeverisë dhe politikës shqiptare që ta miratojë sa më shpejt projektligjin për amnistinë e plotë. Sipas tij, vonesa e miratimit të këtij ligji bën që të mos hyjnë në Shqipëri miliona euro dhe çdo vonesë tjetër do të sillte dështimin përfundimtar dhe të përhershëm të gjithë procesit. Buxhuku vlerëson projektligjin e amnistisë fiskale të miratuar nga Këshilli i Ministrave, duke u shprehur se në thelbin e tij ai është cilësor dhe i pranueshëm, por ka nevojë vetëm për disa përmirësime plotësisht të mundshme për t’u kryer lehtësisht deri në javën e ardhshme, përpara kalimit të tij për miratim në Parlament. Ndërsa pak ditë më parë, në një konferencë të organizuar nga BiznesAlbania i janë paraqitur qeverisë amendimet për draftligjin e Amnistisë Fiskale. Konferenca pati qëllim diskutimin teknik të këtij draftligji. Biznesi kërkoi nëpërmjet amendimeve që tarifat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për sipërmarrjen të jenë jo më shumë se 3%, ndërsa tarifat për rivlerësimin e pajisjeve dhe makinerive jo më shumë se 5%. Ndërsa opozita në parim është pro procesit të Amnistisë Fiskale, por vendos kushte për realizimin e tij. Sipas saj, kjo që pretendohet të bëhet në këtë moment fushate është biznes elektoral. Opozita propozon që biznesi të ketë dëshirën të zbresë nga ndikimet politike dhe të ketë një afat që të diskutohet gjatë e të lihet pas zgjedhjeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›