E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia për banesat sociale me qira, vetëm për 6 bashki

Kredia prej 15 milionë eurosh për ndërtimin e 1132 banesave sociale me qira, në të gjithë vendin, tashmë ka marrë miratimin për t‘u lëvruar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB). Fillimisht do të përfitojnë katër bashki, ajo e Beratit,

Fierit, Kavajës dhe Peshkopisë. Ndërkohë që shpërndarja e shumës së kredisë respektive do të vijojë javën që vjen edhe me dy bashkitë e tjera më të mëdha, atë të Tiranës dhe të Durrësit. Një lajm i tillë është konfirmuar dje zyrtarisht nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike.

Shlyerja

Kredia për këtë projekt është marrë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës me garanci shtetërore. Ajo do të shlyhet për 20 vjet, nga të cilat 1-5 vjet janë grace period. Principiali i kredisë do të shlyhet nga vetë bashkitë, ndërsa interesi nga buxheti i shtetit. Kredia financon 60% të vlerës totale të projektit (pa TVSH). 180 000 euro janë grant për asistencën teknike. Ndërsa TVSH-ja do të rimbursohet nga buxheti i shtetit, i cili financon gjithashtu edhe një përqindje të caktuar për kosto lokale për bashkitë e vogla e të mesme. Nga kjo, përjashtim bëjnë vetëm Bashkia e Tiranës dhe ajo e Durrësit.

Ndërtimet

Zbatimi do të fillojë me disbursimin e kredisë, e cila do të bëhet gjatë muajit nëntor. Kjo, pasi procedura e disbursimit duhet të përfundojë brenda ditës së sotme, 15 nëntorit, ndërsa ndërtimi i banesave sociale, që më pas do të jepen me qira për të pastrehët do të bëhet sipas gatishmërisë së bashkive. Më tej, pushteti lokal do të përfundojë projektet, do të realizojë prokurimet për të nisur më tej me fillimin e ndërtimeve. Specialistët e Ministrisë së Punëve Publike kanë përllogaritur se përafërsisht ndërtimi mund të nisë nga fillimi i vitit 2009. Sipas statistikave, ndërtimi i një godine banimi zgjat deri në 11-18 muaj. Sipas përfaqësuesve zyrtarë të MPPTT-së, pas një pune tepër intensive me bashkitë pjesëmarrëse në projekt, CEB ka miratuar lëvrimin e kredisë për katër bashkitë e para: Berat, Fier, Kavajë e Peshkopi dhe do të vijojë javën që vjen edhe me dy bashkitë e tjera: Tiranë e Durrës. Këto janë edhe përfitueset më të mëdha të këtij projekti. Bashkia e Tiranës do të marrë 5 685 000 euro për 360 banesa sociale që do të jepen me qira. Bashkia e Durrësit do të përfitojë 3 341 410 euro për 340 apartamente të tilla.

Koordinuesi i projektit

Ministria e Punëve Publike është edhe institucioni koordinues i këtij projekti, përmes strukturave të saj ekzistuese. Pra, nuk do të ngrihen struktura të reja, por ato ekzistueset, që janë edhe përgjegjëse për politikat e strehimit dhe ato për buxhetin do të koordinojnë këtë projekt. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike bëjnë të ditur se për një gjë të tillë është rënë dakord edhe me huadhënësin. Ndërsa bashkitë do të ngrenë struktura ose do të forcojnë strukturat ekzistuese, bazuar te të njëjtat principe, të cilat do të jenë përgjegjëse për zbatimin e të gjithë ciklit të projektit, deri në përfundimin e ndërtimit, marrjen në dorëzim, përzgjedhjen e përfituesve, përcaktimin e nivelit të qirasë, lidhjen e kontratave sociale dhe administrimin e mirëmbajtjen e banesave.

Përgjegjësitë e zbatimit

MPPTT hartoi projektin, studimin e fizibilitetit, të cilin ia paraqiti CEB për miratim, punoi me bashkitë për ndarjen e shumës së kredisë, për procedurat e zbatimit të projektit, për llogaritjet e detyrimeve buxhetore të tyre. Por edhe për çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e projektit, që nga identifikimi i trojeve, kalimi i tyre në pronësi të bashkive, hartimi i projekteve teknike, plotësimi i fishave etj. Drejtoria e Strehimit në MPPTT është ai i mbikëqyrësit të ecurisë, koordinuesit mes bashkive dhe CEB për probleme që mund të dalin gjatë zbatimit, për koordinimin e asistencës teknike, administrimin e banesave, si metodologjia e përcaktimit të qirasë, rregullat për shfrytëzimin nga banorët dhe mirëmbajtjen nga bashkia etj.

Ky projekt është konsideruar si pilot, pasi do të shërbejë si shembull për ecurinë e mëtejshme, në kuptim të mënyrës së planifikimit të fondeve, bashkëpunimit me bashkitë, nevojat që mund të dalin për plotësime ligjore etj. "Për vitin që vjen, janë planifikuar fonde, jo vetëm për vazhdimin e projektit me financim të CEB (TVSH e kosto lokale), por edhe për fillimin e projekteve të reja", shprehen përfaqësuesit e MPPTT-së. A. Rr.

Të pastrehët

Cilat kategori përfitojnë nga ky projekt

Përfitojnë familjet që plotësojnë dy kushte bazë: nuk disponojnë banesë në pronësi (këtu mund futen edhe ata që banojnë në banesat e ish-pronarëve) dhe kanë të ardhura të ulëta.

Brenda këtyre kushteve përzgjidhen me përparësi familje që në përbërjen e tyre kanë: invalidë, ose persona me aftësi të kufizuara; persona që kanë statusin e jetimit; gra të divorcuara që kanë në ngarkim fëmijë; të moshuar pa përkrahje; çifte të reja deri në moshë totale 55 vjeç.

Ndarja e fondeve të kredisë dhe kostos lokale sipas bashkive

Bashkia Shuma e kredisë
(euro)
Nr. i përafërt i apartam. Kosto lokale total buxheti i shtetit Kosto lokale
2008 (buxheti i shtetit)
TVSH total (buxheti i shtetit) TVSH planifikuar për 2008 (buxheti i shtetit)
Berat 624,120 24 21,750,582 10,392,947
Durrës 3,341,410 340
Elbasan 1,127,870 96 18,497,068 8,838,341
Fier 1,325,000 96 21,730,000 10,383,113
Kavajë 662,000 48 27,142,000 12,969,095
Korçë 1,191,600 96 19,542,240 9,337,749
Peshkopi 381,000 24 11,715,750 5,598,065
Shkodër 662,000 48 23,545,685 11,250,690
Tiranë 5,685,000 360
Total 15,000,000 1132 143,923,325 68,770,000 700,000,000 240,000,000



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›