E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe donatorët "tradhtojnë" qeverinë

Në prag të rënies ekonomike, qeveria ndihet e tradhtuar nga donatorët, të cilët gjithnjë e më shumë po ulin nivelin e investimeve. Për vitin 2009, shuma, që institucionet financiare donatore kanë vënë në dispozicion të projekteve të ndryshme, është rreth 21 miliardë lekë, në një kohë kur në 2007 ishte pak më shumë se 32 miliardë lekë. Po ta krahasojmë me vitin 2008, diferenca del më e lartë, pasi projekte të ndryshme infrastrukturore kishin thithur rreth 60 miliardë lekë investime. Duke u nisur nga tendenca gjithnjë e në rënie të investimeve, qeveria u ka bërë thirrje donatorëve, që janë të akredituar në Shqipëri, për më shumë vëmendje. Gjatë takimit të zhvilluar dje me përfaqësues të ndryshëm donatorësh, ministri i Financave, Ridvan Bode, gjeti momentin për t‘u bërë thirrje në drejtim të rritjes së fondeve për investime. Takimi i zhvilluar pa praninë e medias është organizuar nga zv/kryeministri Genc Pollo, i cili lidhej me menaxhimin e donacioneve të dhëna nga qeveritë e huaja dhe organizmat ndërkombëtare, në funksion të realizimit të prioriteteve të vendosura nga qeveria shqiptare. Çështjet e ngritura në takim lidheshin me fondet që japin donatorët për projekte të ndryshme dhe realizimi i investimeve në kohë dhe me efikasitet. Prej vitesh, nivel i investimeve të huaja në Shqipëri nuk e kalon pragun e 50 përqindëshit, ndërsa qeveria bën me faj procedurat që ndjekin donatorët.

Kriza

E gjendur në mes të krizës botërore financiare, e cila pritet të prekë vendin tonë në 2009, qeveria i është rikthyer skenarit për marrjen e kredive nga donatorët si BB, BERZH apo BEI. Pak kohë më parë, Ministria e Punëve Publike dhe ajo e Financave ishin shprehur se do të hiqnin dorë nga skema e financimeve të buta, pasi lëvrimi i fondeve nuk kryheshin në kohë, ndërsa plani për të marrë kredi tregtare po bëhej i realizueshëm. Me marrjen e kredisë 230 milionë euro të Rrëshen-Kalimash, qeveria u duk sikur nuk kishte më nevojë për donatorët, të cilët jepnin kredi me interesa të ulëta, por me kushte. Madje, edhe për largimin e FMN-së nga Shqipëria, qeveria ka përmendur si justifikim faktin se "ekonomia jonë ka arritur në një tjetër stad zhvillimi dhe se do të hiqte dorë nga donatorët". Por, situata ka ndryshuar dhe Kryeministri Berisha ndodhet në udhëkryq për të gjetur financime. Nëse kriza financiare dhe rënia ekonomike në disa vende të botës nuk lejon mundësinë për të marrë kredi tregtare, dhe në një kohë kur Banka e Shqipërisë ka rritur normat e interesit për bonot e thesarit, qeveria është e detyruar t‘u shtrijë dorën pikërisht atyre donatorëve, për të cilët deklaroi se nuk ia kishte nevojën. Madje, kërkesa për ndihmë vjen në një kohë kur Ministria e Financave ka vendosur TVSH të dyfishtë për donacionet që marrin organizatat jofitimprurëse.

SOS

Kur zv/kryeministri bënte thirrje që çdo para e derdhur nga donatorët të shkojë në projektin e duhur, ministri i Financave e shikonte problemin diku tjetër. "Nuk janë dhënë para aq sa duhet. Problem mbeten fondet për projektet e rialokuara, për të cilat kemi marrë vetëm 6 milionë lekë. Mbështetja nga ju duhet të jetë më e madhe, aq më tepër kur rënia ekonomike ka përfshirë mbarë botën", iu drejtua ministri Bode donatorëve. Sugjerimi i ministrit qëndronte në drejtim të rritjes së investimeve te punët publike, por nga ana tjetër duke rishikuar dhe procedurat që mundësojnë efektivitetin tek investime.

Takimi

Nga çështjet më kryesore, të ngritura nga donatorët, ishte nevoja për një administratë publike të qëndrueshme, e cila është në zemër të zbatimit të reformave, lehtësimi i procedurave të rimbursimit të TVSH-së si dhe rritja e rolit të grupeve sektoriale. Drejtoresha e Njësisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj në "Debaskon", Valbona Kuko, bëri një prezantim të detajuar të Sistemit të Planifikimit të Integruar, si dhe të rezultateve të arritura në Anketimin e DAC 2008, mbi monitorimin e efektivitetit të ndihmës së huaj. Në këtë takim u diskutua gjithashtu nevoja për të pasur një strategji të përbashkët dhe për të harmonizuar plan-veprimin për koordinimin e donatorëve dhe ndihmës së huaj në Shqipëri. Në emër të komunitetit donator fjalën e mori Gulden Turkoz-Cosslett, koordinatore rezidente e Kombeve të Bashkuara dhe kryetare e radhës e Sekretariatit Teknik të Donatorëve dhe Helmuth Lohan, ambasador dhe kryetar i Delegacionit të Komisionit Evropian. Në prezantimet e tyre, ata vlerësuan përpjekjet e qeverisë në zbatimin e SKZHI-së dhe organizimin e grupeve sektoriale me komunitetin donator.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›