Malaj: Buxheti nuk parashikon skenarët e krizës
Socialistët bëjnë publike rezervat që kanë në raport me projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009. Nënkryetari socialist i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Arben Malaj, deklaroi dje se buxheti i vitit 2009 u përgatit dhe po diskutohet në mungesë të transparencës ndaj publikut dhe komunitetit të biznesit. Sipas tij, qeveria, e ndërgjegjshme për dështimet, i shmanget ballafaqimit publik për qeverisjen 4-vjeçare. Shqetësimi i parë konsiderohet rënia e të ardhurave në fundin e vitit 2008, që po kompensohet nga qeveria me mbledhje abuzive të të ardhurave nga doganat dhe tatimet. "Kjo rëndon akoma më shumë biznesin dhe ekonominë tonë. FMN deklaroi se qeveria po tenton të kompensojë rënien e të ardhurave me mbledhje abuzive të të ardhurave", tha Malaj. Teksa shtoi se raporti i fundit i BE thekson se 75% e rritjes së të ardhurave në vitin 2008 është nga rritja e çmimeve, çka do të thotë se shqiptarët kanë paguar më shumë dhe janë varfëruar më shumë. "Njëkohësisht kjo tregon se qeveria ka dështuar në luftën kundër kontrabandës dhe korrupsionit", këmbënguli ish-ministri i Financave. Shqetësimi i dytë është që realizimi i investimeve publike dhe dështimet e tyre 300 milionë dollarë ishte dështimi për vitin 2007, realizim më pak se 50% është niveli i investimeve për 9 muajt e vitit 2008. "Abuzuese shpërdoruese dhe korruptive duket politika e investimeve publike për vitin 2009", vijoi Malaj. PS mendon se projektet, që po çelen në prag të fushatës elektorale, do të rëndojnë zvarritjen e shumë investimeve të nisura dhe të papërfunduara për disa vite rresht. "Qeveria po tenderon projekte qindra milionë lekë dhe çel në buxhet për këto projekte 5-10% të shumës. Kjo tregon keqpërdorim të parave të taksapaguesve shqiptar dhe korrupsion në rritje me investimet publike", theksoi Malaj. Shqetësimi i tretë është dështimi për investimet në sektorët jetikë arsim, shëndetësi dhe bujqësi. "Kjo është arsyeja pse sot sistemi arsimor dhe shëndetësor ndodhen në një gjendje kritike", vlerësoi Malaj. Një tjetër e metë e vënë re rezulton të jetë deficiti në rritje që qeveria aplikoi gjatë mandatit të saj, duke rritur barrën e krizës për vitet pasardhëse. "Shqetësimi i pestë është papërgjegjshmëria për sfidat që ka vendi në kushtet e krizës ekonomike globale. Eksportet tradicionale mund të bien, ndërsa bujqësia është braktisur totalisht, mbështetja e saj buxhetore është më e vogël se në vitin 2005, ndërsa investimet e huaja janë 3 herë më të vogla në këtë sektor jetik dhe që mund të lehtësojë varfërinë e 50% të popullsisë së vendit", këmbënguli Malaj. Ai konstatoi se qeveria deklaroi se rritja ekonomike për 2008 do të ishte dyshifrore rreth 11%, me e madhe se e Kinës dhe Indisë, FMN parashikon një rritje rreth 6%, ose 200% më pak se deklarata e Kryeministrit.