E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, program të veçantë për punësimin e grave

TIRANË- Kandidati për Kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha u ka kushtuar grave një vend të veçantë në platformën e tij. Basha parashikon që në bashkëpunim me biznesin, të krijojë kushte për trajnimin e grave, mbështetje për hapjen e bizneseve prej tyre. “Unë do të marr përgjegjësi të plota për platformën e punësimit, si objektivi numër 1 në krye të Bashkisë së Tiranës për katër vitet e ardhshëm. Unë kam vendosur, që duke filluar nga vera 2012, të rikthej shkollat dhe kopshtet verore, për të ndihmuar sado pak kauzën e grave në marrëdhënie pune”, - u shpreh Basha, gjatë një takimi me një përfaqësi të grave. Mbështetje të veçantë, Lulzim Basha parashikon edhe për gratë kryefamiljare, për punësimin, strehimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre. “Punësimi i nënave kryefamiljare që nuk kanë marrëdhënie pune do të jetë prioritet absolut në politikat e punësimit të bashkisë. Një zyrë e veçantë, drejtpërdrejtë nën përgjegjësinë time, do të angazhohet për punësimin e çdo nëne kryefamiljare, që nuk është në marrëdhënie pune. Dhe këtë do ta bëjmë, jo vetëm në sektorin publik, por dhe në sektorin privat. Ne do të punësojmë aty ku ka nevojë. Do të mundësojmë kredi me interes 0 për strehim, dhe aty ku keni marrë tashmë kredi, do të shikojmë mekanizmat që edhe aty, këto kredi t’i kthejmë me interesa sa më të ulëta për strehimin. Duke filluar që nga viti i ardhshëm, do të ketë një fond special bursash të universiteteve private dhe publike dhe ju siguroj që asnjë fëmijë i nënave kryefamiljare nuk do të privohet nga e drejta e studimit”, - siguroi Basha. Po dje, Basha është njohur me problematikën e tregut çam, lidhur me infrastrukturën rrugore, mungesën e pastrimit e deri te taksat e larta. “Këto rrugët këtu, mos me fol fare. Lekë japim pa fund për të paguar, por nuk ka ardhur asnjë njeri për të pyetur. Taksë pastrimi paguajmë, por as ka ardhur njeri për të fshirë. Vetë e fshijmë për ditë. Jemi në mes të Tiranës, po nuk u pastrua dhe këtu...Ai na thotë që është treg informal. Po paguaj taksa, por ai nuk të njeh fare. Nuk do të dijë fare”, iu ankua Bashës një tregtar. “Taksa tabelës është e jashtëzakonshme, duhet të mbyllësh dyqanin. Është më e lartë se taksa e biznesit, taksa e tabelës. Shkon një metër diku tek 450 mijë lekë”, - tha një tregtar tjetër. “Ka 12 vjet po e njëjta rrugë. Vijmë këtu me këpucë të llustruara dhe kur dalim marrim letra me vete, për t’i pastruar. Të paktën këto më elementaret po kërkojmë. Me taksat tona ,të rregullohet kjo rrugë”, - shtoi një tregtar i tregut çam. Ndërsa Basha u përgjigj: “Do të të heq një pjesë të mirë të taksave, taksën e gjelbërimit, taksën e tabelës, do të ul 3 herë taksën e pastrimit dhe për çdo taksë që do të merret, do të bëhet shërbimi. Duhet të fillojmë një marrëdhënie të re midis bashkisë dhe qytetarëve, midis bashkisë dhe bizneseve. Një marrëdhënie me respekt të ndërsjelltë, një marrëdhënie transparente dhe për taksat që mbeten duhet të ofrojmë shërbime”. Lulzim Basha mori dje mbështetje edhe nga artistët, Agim Krajka dhe Bujar Kapexhiu, gjatë një takimi që ai zhvilloi me artistët në Akademinë e Arteve. Basha zhvilloi dje një takim edhe me kandidatët e Aleancës për Qytetarin, për këshilltarë të Bashkisë dhe Njësive Bashkiake. Në këtë takim, Basha ka shprehur vendosmërinë e tij për t’i bërë qytetarët pjesë të vendimmarrjes së Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›