E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia për kanalizimet, firmoset marrëveshja me gjermanët

Është nënshkruar në ambientet e Ministrisë së Financave marrëveshja qeveritare midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Shqipërisë për projektin "Furnizimi me ujë të pijshëm dhe përpunimi i ujërave të zeza - faza Korça IV". Marrëveshja u nënshkrua për palën gjermane nga ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt dhe për palën shqiptare nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Dy fazat e para të projektit ne lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm janë përmbyllur me sukses. Këto masa kanë mundësuar furnizimin me ujë të pijshëm të rreth 80 mijë banorëve në qytetin e Korçës dhe përmirësuar dukshëm kushtet e jetesës, si dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Faza e tretë, në lidhje me përpunimin e ujërave të zeza, është duke u implementuar. Kjo fazë e katërt, e nënshkruar dje, rrit kontributin financiar të Qeverisë Federale Gjermane për Republikën e Shqipërisë, vetëm për këtë projekt në shumën rreth 38 milionë euro. Fazat III dhe IV të projektit parashikojnë ndër të tjera instalimin e stacionit të pompave, ndërtimin e një tubacioni, riparime të kolektorëve ekzistues dhe ndërtimin e të tjerëve, si dhe lidhjen e banesave me rrjetin e kanalizimeve. Në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim Qeveria Federale Gjermane i ka vënë në dispozicion Qeverise së Republikës së Shqipërisë si në nivel dypalësh, ashtu edhe shumëpalësh, që prej vitit 1988 mbështetje financiare në shumën rreth 700 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›