E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetanosi mungon në urgjenca dhe farmaci

Në asnjë nga spitalet e urgjencat e Tiranës nuk e gjen ampulën

e tetanosit. Në ke urgjencë, duhet të shëtisësh farmaci më farmaci, i plagosur për të gjetur ampulën e tetanosit. Në fund fare do ta kuptosh se i gjithë kërkimi nëpër barnatore ka qenë i kotë, sepse të gjithë farmacistët ngrenë supet kur i pyet nëse kanë ampulën e tetanosit dhe të përgjigjen me një përgjigje të shkurtër: "Ka mungesë tregu".

Të gjithë mjekët në urgjencat e spitaleve të rekomandojnë ta blesh në farmacitë private.

Nga ana tjetër, në të gjitha farmacitë dhe depot farmaceutike të kryeqytetit tetanosi mungon që prej 4 muajsh.

Me pak njohje dhe miqësi, ampulën e tetanosit e gjen vetëm në një farmaci në Tiranë. Shitet pa pullë, me çmim të kripur, njëmijë lekë të reja, në një kohë kur katër muaj më parë është shitur 160 lekë dhe fleta e përdorimit është vetëm në gjuhën greke.

Gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në çdo spital dhe qendër shëndetësore, ku të ofrohet ndihma e shpejtë. Të gjithë mjekët të pyesnin nëse e kishe ampulën me vete. Meqenëse është një ampulë që duhet bërë 24 orë që nga momenti i aksidentimit, mjekët të qetësojnë dhe të thonë se duhet të kërkosh në të gjitha farmacitë private të Tiranës se mund ta gjesh.

Më në fund, në urgjencën e Tiranës, një mjek merr në telefon një farmaciste dhe e rekomandon gazetaren e "Fiks Fare" që ta blejë ampulën e shumëkërkuar pikërisht te kjo farmaci që me sa duket është e vetmja në Tiranë ku mund të gjesh tetanosin.

QSUT, tek Infektivi

Infermierja - Çfarë kishe goce?

Fiksi - Këtu është infektivi?

Mjeku - Po.

Fiksi - Interesohem për një tetanos se nuk po gjej asgjëkundi nëpër farmaci.

Mjeku - Po nuk ka edhe këtu.

Infermierja - Doktor ndihmoje pak gocën.

Mjeku - Çfarë, si ta ndihmoj unë?

Infermierja - Ndihmoje.

Mjeku - Po nuk ka ampula pra, çfarë t‘i bëj unë?!

Infermierja - Pse duhet t‘i blejë?

Mjeku - Po pra.

Infermierja - Po të shkojë dhe t‘i blejë dhe të vijë t‘i bëjë.

Fiksi - Po nuk po gjej.

Mjeku - Ja të shkojmë dhe të pyesim këta çunat se ku i kanë blerë se po bëjnë një tetanos dhe e kanë blerë. Hajde të pyesim. Ku e bleve atë tetanosin se kemi një paciente tjetër dhe nuk ka?

Pacienti - Në poligrafik.

Fiksi - Ok. Këtu nuk ka?

Mjeku - Nuk ka. As Tirana nuk ka më, sepse ngaqë shkojnë dhe i blejnë njerëzit janë mbaruar fare rreth e qark. Kemi tre muaj pa u furnizuar.

Te Spitali Ushtarak

Fiksi - Ku mund të bëjmë një tetanos?

Mjekja roje - E keni blerë?

Fiksi - Urdhëro

Mjekja roje - E keni blerë?

Fiksi - Jo.

Fiksi 2 - Jo, pse nuk ka në spital?

Mjekja roje - Jo. Nuk ka spitali. Rrezik ta gjeni edhe nëpër farmaci private, rrezik.

Fiksi - Ne pyetëm para se të vinim këtu...

Mjekja roje - Kishte?

Fiksi - Jo nuk kishte...

Mjekja roje - ... eee se kam dëgjuar në fakt që nuk ka.

Fiksi - Mendova që do të ketë këtu te Spitali Ushtarak.

Mjekja roje - Nuk ka, po me gjithë shpirt.

Fiksi - Po si do ia bëjmë?

Mjekja roje - Do ta gjeni.

Infermierja - Do ta gjeni. Tani shkoi një i sëmuri ynë, shko pyete se ku e ka marrë.

Fiksi - Nuk mban spitali ëë?

Infermierja - S‘ka pra, nuk mban.

Fiksi 2 - Nuk mban as për raste urgjencash?

Infermierja - S‘ka pra, ku ta gjejmë ne, çfarë të bëjmë, ku ta prodhojmë? I them shko e blije. Pret 24 orë se ajo bëhet për 24 orë. Mund ta bësh brenda 24 orëve, 24 orë e gjen atë.

Tek Ambulanca Qendrore

Fiksi - Tetanosin mund ta bëj këtu?

Infermierja - E ke marrë ti atë?

Fiksi - Kë?

Infermierja - Gjilpërën? Jo.

Fiksi - Përse nuk ka gjilpërë tetanosi këtu?

Infermierja - Jo nuk ka fare. N.q.s e ke marrë mund të të ndihmojmë... se këtu nuk ka fare.

Fiksi - Unë kam pyetur në shumë farmaci dhe nuk kam gjetur dhe mendova se mos kishit ju?

Tek Urgjenca e Tiranës

Fiksi - A keni tetanos se desha të bëj tetanosin?

Infermieri - Po ajo blihet në farmaci, se ajo mbahet në kushte frigoriferike, se ne nuk kemi (frigorifer) ... Blihet në farmaci.

Fiksi - Po nuk po gjej nëpër farmaci. Shefqet, ku mund të gjejë një ampulë për tetanosin kjo goca?

Fiksi - Po ju nuk mbani?

Mjeku - Jo. Normalisht duhet të mbajmë, po ta tregoj se unë i kam ato, por nuk na kanë ardhur. Mora një pjesë furnizim, por nuk kanë ardhur akoma.

Fiksi - Nuk po gjej edhe në farmaci dhe thashë se mund të ketë në urgjencë.

Mjeku - Jo, sinqerisht.

Mjeku - Po. (nxjerr tel. për të telefonuar farmacisten)

Mjeku - O …a ke tetanos ti moj? Jo, jo, tetanos se do një zonjushë këtu për të bërë një tetanos për babain e saj, por nuk ka ampula në asnjë vend. Ke ëëë? Ik.

Infermierja - E din farmacinë e …?

Mjeku - Është te rruga sipër Medresesë në krahun e djathtë

Fiksi - Shumë, shumë faleminderit.

Mjeku - Po më duket se qenkan të shtrenjta sa për dijeni.

Fiksi - Po çfarë do bëjmë, në raste të tilla do ta blejmë.

Mjeku - Nejse, unë po të tregoj me sa më tha ajo që janë të shtrenjta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›