E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia rritet me 7.5 miliardë lekë ose 5 herë më pak

12/11/2009  Financimi i sektorit privat

Sistemi bankar shqiptar gjatë 5 viteve të fundit ka shfaqur rritje të ndërmjetësimit financiar në vend. Gjithsesi krahasuar me fundin e vitit 2008, portofoli i kredisë është rritur me 7.5 miliardë lekë ose rreth 5 herë më pak se në të njëjtën periudhë një vit më parë. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë shpjegojnë se nivelet e larta të rritjes së portofolit të kredisë kanë ndikuar në rritjen e raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto i cili në muajin maj 2009 arriti në 39 për qind. Për pjesën më të madhe të vitit 2008 ritmet e larta të portofolit të kredisë krijuan një hendek pozitiv krahasuar me prirjen historike. Pakësimi i fondeve të bankave (sidomos në valutë) dhe rritja e pasigurisë në vend ndikuan në ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes të kredisë. Në muajin maj rritja vjetore reale e kredisë shënoi 19 për qind, në krahasim me 33 për qind në muajin dhjetor 2008. “Në këtë ecuri mendohet të kenë ndikuar vështirësitë e bankave për gjenerimin e likuiditeteve të nevojshme për kredidhënie, rritja e kredive me probleme si dhe efekti i sektorit fiskal, i cili gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një kërkesë e lartë për financim, si pasojë e rritjes së dukshme të shpenzimeve fiskale”, - theksojnë ekspertët. Rritja vjetore nominale e portofolit të kredisë arriti në 27 për qind. Ngadalësimi i kredisë në terma nominalë shfaqet më i moderuar se norma reale, për shkak të ndikimit pozitiv që ka dhënë në portofol zhvlerësimi i lekut ndaj valutave kryesore krahasuar me një vit më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›