Kredidhënia, ekspertët: Duhen gjetur mënyra për të kredituar biznesin e individët
Bankat zgjedhin t’i japin kredi qeverisë, më shumë se të kreditojnë biznesin e individët në vend
Bankat po zgjedhin t’i japin kredi qeverisë, më shumë se të kreditojnë biznesin e individët në vend. Arsyeja është e thjeshtë, një e katërta e kredive të dhëna në ekonominë tonë shlyhen me vonesë. Për ekspertët e ekonomisë, mungesa e financimit për bizneset e individët mund të përkeqësojë më tej vlerat e kredive të këqija, ndaj duhen gjetur mënyrat për të financuar ekonominë Për ekspertët e ekonomisë, kredidhënia është e nevojshme edhe pse banka mund të ketë normë më të ulët fitimi Ndërsa ekspertë të tjerë, e shohin nxitjen e kredisë edhe nga qëndrimi i qartë i qeverisë së ardhshme Më pak se një muaj më parë, Banka e Shqipërisë e uli normën bazë të interesit në 3.5 %, por ekspertët mendojnë se kostot e kredisë duhen ulur edhe më tej për të nxitur financimin. Banka e Shqipërisë konstaton në raportin e fundit mbi aktivitetin kreditues në vend se kërkesa për kredi nga sipërmarrja mbetet e ulët, ndërsa ajo është rigjallëruar për individët. Sipas Bankës Qendrore, për bizneset, rënia e kërkesës u vu re në ndërmarrjet e mëdha dhe për kredinë për qëllime investimi. Për individët, për herë të pare që nga tremujori i dytë i vitit 2011, kërkesa ka qenë në rritje, si për kreditë me qëllim blerje banese ashtu dhe për kredinë me qëllim financimin e konsumit Nevoja për blerje banese dhe për financim të konsumit, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme si dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga bankat, kanë ndikuar pozitivisht nivelin e kërkesës për kredi të individëve. Ndërkaq përsa i përket biznesit ekspertët e bankës vlerësojnë se faktorët që kanë ndikuar negativisht ne rënien e kërkesës për kredi janë situata aktuale dhe e pritshme makroekonomike në vend, si dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Përsa i përket tremujorit të tretë të këtij viti, standardet e kredisë për bizneset pritet të lehtësohen, ndërkohë që kjo nuk do te ndodhe me kërkesën për kredi. Ekspertët e kredisë presin rënie të lehtë të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013. Sipas madhësisë së biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë më e ulët si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu dhe nga korporatat. Ndërsa për individët, pritet një rritje e lehte e kërkesës për hua dhe një lehtësim i mëtejshëm i standardeve.