Vëzhgimi/ Zgjerohet tregu privat i energjisë, arrin në 372 numri i hidrocentraleve
Në dhjetor të vitit 2011, Parlamenti vendosi që, duke filluar nga 1 janari i vitit 2012, të gjithë konsumatorët e mëdhenj industrialë duhej të blinin energji jo me çmim të rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), por me çmim të liberalizuar në bursë. Konkretisht, të gjithë konsumatorët e energjisë me një konsum vjetor më të madh se 50 milionë kËh, janë të detyruar tashmë që të klasifikohen si “Klientë të kualifikuar”. Sipas ligjit, këta klientë, që vlerësohet se janë 10-15, duhen të furnizohen jo më nga “CEZ Shpërndarje” me çmim fiks, por nga çdo furnizues i kualifikuar dhe i licencuar nga ERE, duke hapur kështu për privatin një treg prej rreth 50 milionë eurosh (vlerësohet nga ERE se klientët e mëdhenj industrialë konsumojnë rreth 14% të totalit të energjisë). Pikërisht ky liberalizim ka nxitur aktivitetin e kompanive private të tregtimit të energjisë, por që janë licencuar gjithashtu dhe si furnizues të kualifikuar (që kanë të drejtë t’u shesin energji klientëve të kualifikuar). Kompania më e madhe në këtë segment ka qenë sllovenia GEN-I, që ka shënuar një trefishim të aktivitetit në 2012-n, në 12.7 miliardë lekë, duke u ngjitur me shpejtësi në listën e 15 sipërmarrjeve më të mëdha në vend. Aktive në këtë segment ka qenë edhe GSA, që gjithashtu ka dyfishuar xhiron e saj, në 6 miliardë lekë. Ndërkaq në mbledhjen e fundit të qeverisë Berisha u vendos dhënia me konçension e 12 hidrocentraleve nga Gramshi në Valbonë dhe dy parqe ere, njëri në qarkun e Elbasanit tjetri në qarkun e Gjirokastrës. Për ndërtimin e këtyre 12 HEC-eve dhe dy parqeve të erës do investohen rreth 500 milionë euro dhe do të punësohen rreth 4 mijë vetë. Me këto 12 HEC-e arrin në 372 numri i hidrocentraleve të dhëna me konçension për ndërtim, nga viti 2007 deri tani. “Për ne energjia është promotor kryesor i zhvillimit të vendit. Shqipëria vend lider në rajon për prodhimin e energjisë ujore është dhe do të mbetet motoja jonë!”, u shpreh kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, këto vepra punësojnë në mënyrë të shpërndarë në të katër anët e vendit deri në zonat më të thella dhe ndryshojnë jetën e atyre komuniteteve, ndërtojnë infrastrukturë lokale dhe me këtë ndryshojnë jetën e atyre komuniteteve. “Sulmet që i janë bërë këtij procesi janë sharlataniste, janë të denja vetëm për bijtë e etërve dhe nuk kanë asgjë të vërtetë. I kërkoj të kontrollojnë çdo koncesion dhe do të gjejnë transparencën më maksimale, edhe aty ku do t’i dalin hallat, dajat, tezet, krushkat e krushqit e tyre, pasi nuk është bërë asnjë diskriminim. Gjëja e fundit dhe më e gabuar që bën është t’i sulmosh unblock. Tani ata nuk shkojnë të marrin kredi në banka. Ne kemi një marrëveshje me bankat dhe jemi përpjekur shumë të krijojmë një nxitje të tyre për kredi, pasi ky është bërë një biznes shumë i leverdishëm. Kushtet e krijuara në Shqipëri, heqja e disa detyrimeve fiskale, krahu i punës kanë bërë që të përgjysmohet koha kthimit të investimit. Këtu qëndron edhe një nga shkaqet pse kjo garë ecën në mënyrë kaq të ethshme”, theksoi kryeministri Berisha.