Kreditë, 18.8% të këqija, frenohet rritja
Në fund të vitit 2011, kreditë e këqija arritën nivelin 18.8 për qind të portofolit total të dhënë nga sektori bankar. Shoqata e Bankave, në analizën vjetore për vitin e kaluar, vlerëson se ky nivel i ka detyruar bankat që të jenë më të kujdesshme në projektet që zgjedhin tani për të financuar. Gjithsesi, Shoqata e Bankave vlerëson se ka një shfaqje pozitive që lidhet me kreditë me probleme, që është ngadalësimi i ritmit të rritjes së tyre. Kreditë me probleme arritën në dhjetor në 18.8%, nivel ky i ndikuar jo vetëm nga problematikat në sektorë të caktuar të ekonomisë, por dhe nga ngadalësimi i dukshëm i ritmeve të rritjes së kredisë 2-3 vitet e fundit. Gjithsesi, ritmet e rritjes së raportit të kredive me probleme kanë qenë në rënie, duke shënuar rritjen më të ulët prej 0.4 pikësh përqindje gjatë tremujorit të fundit të vitit 2011, shprehet Shoqata e Bankave në analizën e saj. Përkundër kujdesit që kanë bërë bankat për të përzgjedhur projektet e financimit me kredi, portofoli total ka pësuar rritje. Në analizën vjetore rezulton që portofoli i kredisë është rritur me 15.3 për qind, duke arritur një vlerë monetare prej 566 miliardë lekësh, çka përbën 51 për qind të aktiveve të sistemit bankar. Tremujori i fundit i vitit u karakterizua nga një përfshirje më e madhe e bankave në financimin e sektorit privat, duke shënuar rritje të kredidhënies prej 4.4%, rritja më e lartë krahasuar me tre tremujorët e tjerë të vitit. Kreditë për korporatat u rritën me 21.6%, vlerëson Shoqata e Bankave, duke nënvizuar se dy sektorët kyçë më të kredituar janë shërbimet dhe industria.
0.4 per qind u rritën në tremujorin e fundit të vitit 2011 kreditë e këqija. Ky nivel rritjeje vlerësohet si më i moderuar krahasuar me tremujorët e kaluar. Në total, kreditë më probleme arritën 18.8 për qind.