E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albpetrol, 15 miliardë USD naftë

Komisioni i Ekonomisë

Debati në Komisionin e Ekonomisë për privatizimin. Bozdo: Prodhimi, pjesë e shtetit.

Privatizimi, PS: Kujt po ia falim 210 milionë fuçi?

Opozita në Komisionin e Ekonomisë ka kundërshtuar me forcë dy projektligjet që sanksionojnë ndryshimin e taksimit të Albpetrolit dhe mënyrën se si kjo kompani do ti menaxhojë marrëdhëniet me operatorë të tjerë pas privatizimit. Për deputetët e Partisë Socialiste, ky privatizim nuk ka sens dhe dëmi që do ti shkaktohet buxhetit dhe shqiptarëve është i pallogaritshëm. Zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, ka dhënë përgjigje për pyetjet që janë drejtuar më shumë nga deputetët e së majtës, kurse maxhoranca u pozicionua në mbrojtje totale dhe votim pro.
Opozita
Debatet më të mëdha në Komisionin e Ekonomisë u zhvilluan mes opozitës dhe zëvendëministrit Eno Bozdo. Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, akuzoi se Albpetrol po falet nga qeveria, pasi rezervat e naftës nën tokë kanë një vlerë jashtëzakonisht të lartë. Ai iu referua shifrës së zëvendësministrit Bozdo, se në nëntokën ku operon Albpetroli ka edhe 30 milionë tonë naftë të aksesueshme, për të bërë një llogari mbi vlerën që ka kjo pasuri. Nëse  bëjmë një llogari, i bie që në rezervë të kapshme të kemi 210 milionë fuçi të panxjerra në tokë. Dhe po që se do të marrim që çmimi do të jetë në stanjacion, shumëzuar me 70 dollarë mesatarja për fuçi, shuma shkon 15 miliardë dollarë pasuri, që është e aksesueshme nën tokë të fushave të naftës që zotërojmë. Pyetja ime është: çfarë jemi duke bërë, kujt jemi duke ia falur atë pjesë që do ti takonte buxhetit dhe popullit?, u shpreh Ahmetaj.
Marrëveshja
Pikëpyetja më e madhe e opozitës dje ishte: çfarë po privatizohet me marrëveshjen që përmendet në projektligjet për Albpetrolin? Deputetët Erjon Barçe, Mimi Kodheli, Albert Caci dhe Arben Ahmetaj janë ndalur gjatë te kjo pikë, duke cilësuar se shteti po i jep të drejta kompanisë që do të blejë Albpetrolin të përfitojë nga ajo që deri tani shkonte në buxhet si pjesë e qeverisë. Po kështu ata kanë kërkuar të dinë si do ti menaxhojë marrëdhëniet me operatorët e tjerë kjo kompani. Zëvendësministri Eno Bozdo ka sqaruar se qeveria po privatizon një kompani që do të operojë si private, dhe jo puset dhe naftën. Projektligji nuk privatizon puset e naftës. Projektligji privatizon një kompani, e cila është sot shtetërore dhe do operojë nesër pas privatizimit, si gjithë kopanitë e tjera. Rezervat e naftës ngelen pasuri e këtij vendi. Pusi dhe nafta nuk privatizohen, tha Bozdo.

25 vjet është afati maksimal i marrëveshjes hidrokarbure që do ti lejojë Albpetrolit të zhvillojë aktivitetin  e kërkimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit. Ky është afati maksimal që përcaktohet nga ligji për hidrokarburet.

Debati në komisionin e ekonomisë
Arben Ahmetaj:
Qeveria ka thënë: Po unë do të shes të drejtat dhe Albpetroli do të ketë të drejtat për të mbledhur pjesën e qeverisë, pra prodhimin që i përket qeverisë, që në buxhet kalon në formën e keshit. Zëvendësministri tha me të drejtë që ngelen edhe 30 milionë tonë rezervë e shfrytëzueshme. Në konceptin e rezervës së kapshme është koncepti i nxjerrjes së naftës me teknologjinë aktuale. Nëse  bëjmë një llogari, i bie që në rezervë të kapshme të kemi 210 milionë fuçi të panxjerra në tokë. Dhe po qe se do të marrim që çmimi do të jetë në stanjacion kur gjithë treguesit janë që ai do të shkojë deri në 200 dollarë fuçia, shumëzuar me 70 dollarë mesatarja për fuçi, shuma shkon 15 miliardë dollarë pasuri, që është e aksesueshme në nëntokën e fushave të naftës që zotërojmë. Pyetja ime është: çfarë jemi duke bërë, kujt jemi duke ia falur atë pjesë që do ti takonte buxhetit dhe popullit? 210 milionë fuçi, zoti Mondi, bëjnë 15 miliardë dollarë, të cilën flitini ndërgjegjes kujt doni tua falni.
Eno Bozdo: E rëndësishme është të kuptojmë diçka. Projektligji nuk privatizon puset e naftës. Projektligji privatizon një kompani, e cila është sot shtetërore dhe do të operojë nesër pas privatizimit si gjithë kopanitë e tjera. Rezervat e naftës ngelen pasuri e këtij vendi. Pusi dhe nafta nuk privatizohen. Ato 30 milionë fuçi që nesër shpresojmë të bëhen 130 milionë, ne i japim të drejtën një kompanie private. Ashtu si në 2004-n i është dhënë e drejta një kompanie private dhe ka marrë zonën që prodhon 90 për qind të prodhimit për 25 vjet. Do të ishte më e kuptueshme nëse do të flisnim për koncesion, por ne nuk duam të japim puset me koncesion, ne do japim kompaninë. Në kompani, përveç së drejtës për të punuar dhe zhvilluar zonat, janë edhe të drejta të tjera që kanë të bëjnë me rrjetet e gazit dhe naftës me depozitat me punëtorët, me ofiçinat. Nëse do të kishim ndjekur këshillën e opozitës, po të ishte dhënë me koncesion e gjithë kjo pasuri, do të rrënohej. 30 milionë fuçi naftë janë pasuri e këtij vendi, do mbeten pasuri e këtij vendi.
Sherefedin Shehu: Unë dua të them me keqardhje që kjo mënyrë diskutimi nuk është aspak serioze. Mendoj që duhet të reflektojmë dhe të jemi konstruktivë në diskutime. Sapo dëgjuam disa statistika, por që janë vetëm për ti hedhur për konsum publik, pasi sa të qartësohen ata, këtu mbizotëron filozofia se do të ngelet diçka nga ato që thuhen. Duhet të kemi parasysh dhe si i përdorim shifrat, se 70 dollarë është bursa e Londrës, por 40 dollarë është ajo e Shqipërisë. Megjithatë, aritmetika nuk është për deputetët, ne nuk jemi për aritmetikë, por për të bërë politika, dhe këto projektligje të sotme lidhen me një politikë të madhe, që është privatizimi, i cili ka provuar që është çelësi i suksesit në industritë e naftës. Dhe çelësi i suksesit ilustrohet më mirë me efektet që janë dhënë. Në të njëjtat vendburime është dyfishuar prodhimi i naftës.
Arben Malaj: Zëvendësministri duhet të qartësohet për diçka. Në këtë rast nuk jemi si te kontrata e 2004-s, që është dhënë dhe që rezulton se është e suksesshme. Problemi qëndron që është privatizimi i fundit që bëhet për këtë sektor dhe njëkohësisht janë në pikëpyetje si do të zgjidhet statusi ligjor i përfitimeve që ka Albpetroli mbi të drejtën e prodhimit për shkak të kontratave që ka lidhur shteti me gjithë operatorët e tjerë. Ju theksuat që barra fiskale qëndron në mes. Problemi është që në sistemin e taksimit, përveç rentës dhe tatimfitimit, shteti merr si të ardhur të tij në neto edhe këtë pjesë të prodhimit para 93-shit dhe pas 93-shit. Ne do ta diskutojmë dhe më gjatë se çfarë statusi do të ketë kompania e Albpetrolit: do jetë agjent tatimor që mbledh për llogari të shtetit, apo do ta hiqni fare këtë si të ardhur në favor të shtetit? Ky problem është shumë delikat.
Albert Caci: Zoti zëvendësministër, nëse Albpertoli merr këto të drejta dhe në një moment falimenton, çfarë bëhet me të?
Eno Bozdo: I kalon shtetit dhe ndiqet e njëjta praktikë sipas ligjeve që veprojnë edhe për kompanitë e tjera në vend.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›