Kreditë, bankat s’kanë ulur interesin
Vendimi i uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë me 0.5 për qind nuk ka ndikuar ashtu siç u tha në norma interesi për kreditë më të butë. Bankat e nivelit të dytë ende nuk kanë marrë vendime për të ulur normat e interesit të kredive. Kështu shqiptarët vazhdojnë ta paguajnë shtrenjtë kredinë, si disa muaj më parë. Por vendimi i BSH-së për të ulur normën e interesit nga bankat e nivelit të dytë është marrë parasysh vetëm për depozitat. Bankat kanë nxituar ta reflektojë efektin e saj, duke ulur normat e interesit për depozitat e shqiptarëve. Kështu, ata që kanë depozitar para në bankat shqiptare do të fitojnë më pak, pasi interesi është ulur. Të pyetur për këtë çështje, ekspertë të Bankës së Shqipërisë thonë se bankat e nivelit të dytë kanë të drejtë të marrin vetë vendime. “Ulja e normës së interesit nga bankat e nivelit të dytë është një vendimmarrje e tyre, janë ato që vendosin ndryshimin e interesave. Ato nuk kanë ulur interesat e kredive, për më tepër që kredia në Shqipëri jepet më së shumti në valutë të huaj, por nga ana tjetër kanë ulur interesat e depozitave”. Drejtues të bankave të nivelit të dytë të pyetur nga “standard” për këtë çështje thonë se janë në shqyrtim dhe pritet vendimmarrja e bordeve drejtuese për ndryshimin e normave të interesit. Sipas tyre, mund të ketë ulje, por kjo do jetë gati e papërfillshme, që mund të shkojë deri në 0.5 për qind dhe kjo nuk do të ndihet shumë tek kredimarrësit. Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë janë bërë gati të japin më shumë kredi për këtë vit, pasi kërkesa për të është në rritje.
Disa drejtues bankash janë deklaruar se bankat e tyre kanë një nivel më të lartë të portofolit të kredisë, krahasuar me vitin 2008. Bankat që japin më shumë kredi për këtë vit janë Banka Popullore, banka “Credins”, “ProCredit Bank”, “Tirana Bank” dhe disa të tjera. Drejtuesit e këtyre bankave ende nuk bëjnë të njohur shifrën e portofolit të kredisë për 2009-n, pasi atë do ta bëjnë të ditur në daljet e tyre publike, ku do të njohin publikun edhe me shërbimet e reja që afrojnë për këtë vit. Por nga ana tjetër, pranojnë se më shumë para do të hidhen në tregun e kredive për këtë vit, të cilat do të jenë të destinuara, si për biznesin, ashtu edhe për konsumatorin. Zhvillimet e deritanishme tregojnë se bankat e nivelit të dytë nuk po frenojnë aktivitetin e tyre për këtë, madje synojnë ta zgjerojnë atë, çka tregon se efekti krizë qëndron ende larg sistemit bankar shqiptar. Por edhe politika e Bankës së Shqipërisë e tillë ka qenë, që të nxiste bankat e nivelit të dytë të rritin kreditimin për vitin në vazhdim. Vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në ceremoninë e largimit të FMN-së nga Shqipëria, i bëri thirrje sistemit bankar, si atij vendas, ashtu dhe bankave mëma, që të analizojnë me kujdes ekonominë shqiptare për t’i dhënë asaj mundësitë reale nëpërmjet mbështetjes me kredi bankare, pavarësisht krizës globale. Të dhënat e vitit 2008 ende nuk janë përpunuar nga Banka e Shqipërisë si total vjetor, por të dhënat 3-mujore tregojnë për rritje të kredisë. Kredia për ekonominë në tremujorin e tretë të vitit 2008 u rrit me 29 miliardë lekë, kundrejt 3-mujorit të dytë, duke ruajtur ritmet e larta të rritjes vjetore prej 43 për qind, bëhet e ditur në raportin e fundit mbi zhvillimet ekonomike në vend të Bankës së Shqipërisë. Sipas BSH-së, kontributin kryesor në rritjen e kredisë vazhdon ta japë kredia në valutë, e nxitur nga diferenca pozitive e normave të interesit të kredisë në lekë ndaj asaj në valutë. Ndërkohë që bizneset kanë qenë përdoruesit më të mëdhenj të kredisë bankare, duke zënë rreth 66 për qind të totalit të portofolit të kredisë.
BSH do të forcojë kushtet për marrjen e kredive nga individët
Marrja e kredisë nga individë do të jetë më e vështirë këtej e tutje. Banka e Shqipërisë ka vendosur të forcojë kushtet për të dhënë kredi për këtë kategori. Dhënia e kredive konsumatore apo kredive me hipotekë për individët do të ketë rregulla të tjera. Pikërisht këto rregulla pritet të miratohen javën që vjen në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Burime zyrtare nga BSH bëjnë me dije se në datë 11. 02. 2009, në selinë e Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me këtë rend dite: projekt-rregullorja “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore për individët”. Këto masa, sipas ekspertëve, merren për të minimizuar rastet e kredive me probleme, duke mënjanuar kështu personat që shihen si risk për kthimin e një kredie në bankë. Po në këtë mbledhje pritet të kalojë projekti “Dokumenti i veprimtarisë bankare dhe financiare”, sipas ligjit “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, projekti “Për miratimin e kërkesës për zvogëlim kapitali të Bankës Italiane të Zhvillimit sh.a.”. Çështje të tjera që do të diskutohen në Këshillin Mbikëqyrës janë informacioni “Mbi propozimet për disa ndryshimeve në ligjin “Për sigurimin e depozitave””, informacioni “Mbi ndërhyrjet në tregun e parasë dhe në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008”, si dhe informacioni “Mbi ecurinë e rezervës valutore dhe të portofoleve të investimeve për muajin dhjetor të vitit 2008”.