OST, kufizime në 5 qytete, punime në linjën 220 kv Rrashbull-Tiranë
Pesë qytete do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike për shak të punimeve që do të kryhen në linjën e tensionit të lartë. Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a. njofton se ditën e premte, dt. 06-02-2009, nga ora 12:00-15:00, do të kryhen punime në linjën 220 kv Rrashbull-Tiranë, për pasojë do të ndërpritet energjia elektrike në qytetet: Durrës, Kavajë, Vlorë, Lushnje, Fier. Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a., kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe biznesit, për shqetësimet që mund të krijohen gjatë 3 (tre) orëve të punimeve.
Titujt e pronësisë pengojnë investitorët e huaj
Problemi i titujve të pronësisë vazhdon të mbetet një ndër shqetësimet kryesore, që frenon investimet e huaja. Një shqetësim ky i ngritur nga diplomacia e huaj në vend, por edhe nga investitorët, është pranuar edhe nga vetë drejtuesit e qeverisë shqiptare.
“Çështja e titujve të pronësisë është komplekse dhe me ndikim në investimet e huaja”, - ka deklaruar dje zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, në seminarin "Të Drejtat e Pronësisë mbi Tokën: instrumentet dhe zgjidhjet e mundshme për reduktimin e kostove të transaksionit nga pikëpamja e Investimeve të Huaja Direkte”. Por, ai theksoi se METE ka marrë disa iniciativa që tentojnë të zbusin këtë problem. Në këtë drejtim ai shtoi se "ka kontrata reale për ngritjen e parqeve industriale dhe qeveria shqiptare ka luajtur rolin e garantit për sipërfaqet e parqeve industriale, për sa i përket titullit të pastër të pronësisë". Sipas tij, "janë 4 kontrata të nënshkruara për parqe industriale dhe të tjera që pritet të vijnë, por kjo nuk është e mjaftueshme, pasi ne mendojmë që ka mënyra dhe rrugë të tjera për të trajtuar një problem kompleks, siç është ai i pronësisë". Nëpërmjet këtij seminari, sipas Bozdos, do të kërkohet të trajtohet dhe ofrohen zgjidhje mbi një nga problemet më të mëdha të vendit, atë të pronësisë mbi tokës, në perspektivën e barrierave që ky problem ngre lidhur me investimet e huaja, por edhe atyre vendase.