E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme: PS, tentativë për goditje politike



Pas deklaratës së PS-së në adresë të Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesve të policisë, reagoi zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja. Konja tha se Ministria e Brendshme hedh poshtë deklaratën e papërgjegjshme të Partisë Socialiste, e cila tenton të godasë politikisht një nga institucionet më të konsoliduara të shtetit ligjor, Policinë e Shtetit. “Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin e saj në lidhje me sulmet politike ndaj atyre drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pasur rezultatet më të larta në goditjen ndaj trafikantëve të armëve dhe drogës”, - tha Konja. Ai bëri të ditur se Ministria e Brendshme gjen rastin për të shprehur mbështetjen e saj të palëkundur ndaj të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, e veçanërisht ndaj atyre të cilët kanë goditur me ashpërsinë e ligjit grupet e krimit të organizuar, ndaj atyre që kanë bërë të mundur zbulimin e autorëve të vrasjeve të vjetra, ndaj atyre që u kanë sekuestruar trafikantëve sasi të mëdha droge. Ministria e Brendshme siguron opinionin publik se ashtu si deri më tani, institucionet e zbatimit të ligjit në përbërje të saj do të përmbushin misionin e tyre vetëm mbi bazën e ligjit dhe në respekt të lirive dhe të drejtave themelore të individit.

Bushati: Bujqësia, e çoroditur nga projektet qeveritare

Nënsekretari për programin në PS, Ervin Bushati, kritikoi dje përparësitë e qeverisë në bujqësi që, sipas tij, nga 2005-a kanë mbetur vetëm në letër. “Objektiva të cilat cilësohen nga Kryeministri si prioritet të prioriteteve, hidhen në tregun mediatik dhe funksionojnë vetëm si tullumbace qeverisëse. Pa pritur asnjë rezultat; pa dhënë asnjë llogari për projektet e dështuara të vreshtarisë dhe të pemëtarisë të cilat gjatë dy viteve të kaluara u cilësuan si prioritete nga qeveria, tashmë gjendemi përballë prioritetit të radhës, siç doli ulliri”, - tha ai.

Sipas Bushatit, nuk ka asnjë informacion se çfarë është bërë me pemëtarinë dhe me vreshtarinë, çfarë ndryshoi në jetën e bujqve dhe fermerëve shqiptarë pas këtyre projekteve të cilat sot mund të cilësohen thjesht dhe vetëm aventura qeverisëse. “Qeveria e ka bërë zakon të hidhet nga një projekt humbës në tjetrin pa mbyllur llogaritë me taksapaguesit; të braktisë një projekt të dështuar për një tjetër gjëmë. Pasojat e kësaj politike çoroditëse në bujqësi i vuan sot fshati shqiptar”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›