E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paditet Bashkia e Tiranës: Të dëmshpërblejë familjarët e shtëpive të prishura



Banorët e mbetur në qiell të hapur nga prishja e shtëpive në Laprakë kanë protestuar dje, për të marrë dëmshpërblimin nga Bashkia e Tiranës. Ndonëse kanë qenë në proces legalizimi, përpara një viti, shtëpitë e tyre u prishën nga Policia Ndërtimore e kryeqytetit, pas një vendimi të bashkisë. Banka Botërore ka një fond të caktuar për dëmshpërblimin e këtyre banesave, por banorët nuk kanë marrë asnjë lekë, as nga bashkia e as nga zyra e BB-së në Tiranë.

Banorët dhe juristët e minibashkisë së Laprakës deklaruan se do të padisin bashkinë për të fituar të drejtën e tyre. “Kryetari ka shkelur ligjin dhe ne u jemi drejtuar organeve kompetente dhe gjykatës dhe kemi hapur një çështje penale, bazuar në të gjitha dokumentacionet që kemi grumbulluar”, – tha juristi i minibashkisë.

Banorët: Duam dëmshpërblim

Familjet e 12 shtëpive të prishura nga Bashkia e Tiranës kanë deklaruar se do të ndjekin rrugën ligjore për të marrë atë që u takon. Shtëpitë e tyre, që ishin në proces legalizimi, u prishën nga bashkia, ndonëse ligji e ndalon diçka të tillë.

“I kemi dorëzuar të gjitha dokumentet në bashki dhe te ALUIZNI. Po presim. Kemi marrë vesh që ka një fond të Bankës Botërore për dëmshpërblim, por nuk kemi marrë gjë, nuk kemi parë as dëmshpërblim e asgjë tjetër”, – u shpreh një prej banorëve, duke shtuar se do të ndjekin të gjitha rrugët për të marrë djersën e tyre.

Sipas tyre, bashkia nuk i ka pranuar kërkesat, ndonëse kryebashkiaku Rama kishte premtuar dëmshpërblim. Ata u lajmëruan vetëm 2 ditë përpara prishjes së shtëpive, duke thyer në këtë mënyrë edhe procedurat ligjore. “Nuk na kanë thënë gjë që do prishen, që të paktën të kishim marrë masat. Ku t’i shkosh bashkisë? Bashkia nuk pranon”, – deklaroi një banor.

Rama kishte deklaruar se banorët do të strehoheshin gjetkë me fondet e bashkisë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. “Shtatë vetë jemi në rrugë të madhe. Siç ishin të zotët të na nxirrnin nga shtëpia, ashtu nuk duhet të na lejonin t’i ndërtonim këto shtëpi. Duhet të na sigurojnë. Jemi njerëz, nuk jemi kafshë”, – tha një prej protestuesve.

Minibashkia: Është shkelur ligji

Ndërkohë, kryetari i njësisë bashkiake numër 11, z. Haki Mustafa, deklaroi dje për mediat se procesi i legalizimit është penguar nga ana e Bashkisë së Tiranës. Ai tha se bashkia po përdor një studim të kryer nga një firmë private për interesat e saj, për të prishur shtëpitë në proces legalizimi.

“Një tjetër pengesë kemi hasur në punën e bërë me studimin urbanistik, për të cilën Bashkia e Tiranës thotë që këto janë zona me studim urbanistik dhe nuk ka nevojë të bëhen legalizimet. Faktikisht nuk është kështu, se këto janë zona me studim pjesor, që i ka bërë një firmë për interesat e saj”, – tha z. Mustafa.

Ndërsa edhe sekretari i minibashkisë, z. Isa Doci, deklaroi se projekti i Bankës Botërore nuk ka përcaktuar përgjegjësitë dhe se ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga kryebashkiaku Rama. “Këtu ka një projekt pilot dhe dikush duhet t’i përgjigjet situatës së ndodhur. Në mënyrë arbitrare është ndërhyrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës”, – tha ai.

Ndonëse ligji përcakton se objektet në proces legalizimi nuk mund të prishen, kryetari i Bashkisë së Tiranës vendosi të prishë më shumë se 40 shtëpi në të gjithë Tiranën brenda vitit të kaluar. Për këtë, nuk është dhënë asnjë dëmshpërblim, ndonëse fondi përkatës i Bankës Botërore ekziston, por nuk dihet se çfarë është bërë me të.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›