E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija, BSH miraton rregulloren e re për bankat

Dyfishimi i kredive të këqija po rrezikon seriozisht sistemin bankar në vend, e cila duket se nuk i ka marrë në konsideratë sugjerimet e Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit, nisur nga miratimi që iu bë ligjit "Për bankat", vitin e kaluar, ka nisur përgatitjen e rregullores së re, e cila është miratuar në javën e kaluar nga Këshilli Mbikëqyrës. Në thelb, ndryshimet që iu bënë kësaj rregulloreje synojnë parandalimin e ekspozimit të bankave të nivelit të dytë ndaj riskut të moskthimit të kredive, sikundër po vërehen shenja të tilla në muajt e fundit. Ekspertë të bankës kanë shpjeguar disi teknikisht për gazetën se çfarë sjell udhëzimi i ri për bankat dhe çfarë synohet. Banka e Shqipërisë, në kuadrin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" (ligji "Për bankat"), është në procesin e rishikimit tërësor të kuadrit rregullativ mbikëqyrës që rregullon veprimtarinë e bankave dhe degëve të bankave të huaja në vend. Konkretisht, rregullorja përcakton tërësinë e rregullave dhe kritereve të autoritetit mbikëqyrës për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj një personi/klienti ose grup personash/klientësh të lidhur ose në një marrëdhënie të veçantë me bankën, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre. Një pjesë e nenit 7 të saj, sqaron konceptin e "Ekspozimit të madh". Nëse ekspozimi i bankës ndaj një personi ose pale të tretë që përbën shumën e të gjitha marrëdhënieve në aktiv të bilancit dhe angazhimeve jashtë bilancit me këtë person ose kundërparti dhe persona të lidhur më të në raport me kapitalin rregullator të bankës i shprehur në % është i barabartë ose më i madh se 10% do të konsiderohet ekspozim i madh për bankën. Në rast të tejkalimit, BSH merr masa korrektuese, ndëshkimore dhe sanksionet e parashikuara në ligjin "Për bankat". "Në këtë pikë, bankat nuk mund të japin p.sh kredi për një person apo grup personash të lidhur me të në rast se shkelin kufijtë e përcaktuar në ligj dhe kjo bën të mundur monitorim efektiv të rrezikut të përqendrimit në disa kredimarrës apo në të tjera forma të investimit të fondeve të bankës (p.sh në depozita pranë të tretëve, letra me vlerë, obligacione etj).


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›