Kreditë e lehtësuara, përfitimet sipas numrit të anëtarëve të familjes
Përcaktimi i masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, për blerjen e një banese me kosto të ulët, bëhet sipas përbërjes familjare. Kështu, në bazë të numrit të personave të një familjeje, varet edhe shuma maksimale dhe minimale në lekë. Bashkia e Tiranës ka detajuar të dhënat për të gjithë qytetarët që kërkojnë të aplikojnë për banesa me kosto të ulët. Sipas llogaritjes së bërë nga Drejtoria e Strehimit, një familje është llogaritur të jetë me 1 ose dy persona dhe në numrin më të lartë të saj është llogaritur që një familje e madhe të jetë 4 deri në 6 persona. Familjet me numër më të madh personash duhet të kenë të ardhura më të shumta se ato me më pak persona në përbërjen e tyre.
Rastet
Bashkia e Tiranës, është duke aplikuar Programin e Banesave me Kosto të Ulët, program i cili mundëson ndarjen e 250 kredive të lehtësuara nga shteti. Në këtë pikë, Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social ka nxjerrë njoftimet zyrtare në Zyrën e Informimit të Qytetarëve, në njësitë bashkiake të qytetit të Tiranës për të gjithë qytetarët ose familjet që kanë paraqitur pranë zyrave përkatëse në bashki, kërkesën për strehim. Qytetarët që duan të përfitojnë në Programin e Banesave me Kosto të Ulët, kanë mundësi të përfshihen nëse kanë nivelin e të ardhurave sipas përcaktimit të bërë nga specialistët. Kështu, niveli i të ardhurave duhet të jetë në kufijtë e: 24 699 - 41 292 lekë (61 938 lekë), për familjet e përbëra nga 1- 2 persona. Për familjet e përbëra nga 2-3 persona, të ardhurat duhet të jenë në kufirin e 34 356 – 55 348 lekëve (83 022 lekë ). Familjet që kanë në përbërjen e tyre 3 deri në 4 persona duhet të kenë të ardhura mujore në shumën 44 841 – 71 431 lekëve (107 146.5 lekë).
56 569 – 90 556 lekë (135 834 lekë), duhet të kenë të gjitha familjet që janë të përbëra nga 4-6 persona, që është dhe përbërja më e madhe e llogaritur nga specialistët e strehimit.
Situata
Për përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, familjarët duhet të drejtohen pranë Entit Kombëtar të Banesave pasi sipas udhëzimit do të paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%. I gjithë dokumentacioni i dorëzuar pranë Drejtorisë së Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social shqyrtohet paraprakisht nga sektori i strehimit dhe pastaj nga Komisioni i Strehimit ngritur me vendim të Këshillit Bashkiak nr. 63, datë 08.11.2005 “Për miratimin e Komisionit të Strehimit”. Ndër të gjithë aplikantët do të jenë fitues ata që kanë fituar pikët maksimale sipas sistemit të pikëzimit të miratuar me VKB nr. 51, datë 19.12.2008 për “Miratimin e sistemit të pikëzimit për bonusin e strehimit dhe sistemit të pikëzimit për subvencionimin e familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuar nga shteti”.
box
Dokumentet për të përfituar kredi të lehtësuar
Certifikatën e lindjes së aplikantit dhe certifikatën e gjendjes familjare;
Vërtetimin për vendbanimin në bashkinë ku kërkohet strehimi ose lejen e banimit, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit;
Vërtetimin e të ardhurave neto të familjes;
Dokumentacionin përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
Dokumentin nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njëri nga anëtarët e familjes është i vetëpunësuar;
Vërtetimin nga zyra e ndihmës dhe përkujdesit pranë bashkive, për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
Vërtetimin nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore, për personat në pension;
Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë;
Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi të strehimit;
Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
Dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja;
Vendimin e gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara;
Vërtetimin përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit;
Vendimin e komisionit mjekësor të përcaktimit të verbërisë ose të komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë për punë, për individë me aftësi të kufizuara, që trajtohen sipas shkronjës "d" të nenit 5 të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004 "Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane" .
Dokument që vërteton se familja jeton në shtëpi me ish pronarë
Dokument që vërteton se familja ka humbur shtëpinë në firmat piramidale.
Dokument që vërteton se familja ka mbetur e pastrehë për shkak të zbatimit të projekteve publike e ndërtimit të veprave me interes publik (shembje banesave informale, lirim objektesh me funksione publike)
Deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme.
Të ardhurat mujore sipas përbërjes familjare
24 699 - 41 292 lekë (61 938 lekë), për familjet të përbëra nga 1- 2 persona
34 356 – 55 348 lekë (83 022 lekë ), për familjet të përbëra nga 2-3 persona)
44 841 – 71 431 lekë (107 146.5 lekë, për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona
56 569 – 90 556 lekë (135 834 lekë), për familjet të përbëra nga 4-6 persona
17 Nentor 2009