Ngutja e Bodes, ministri u kërkon deputetëve miratimin e shpejtë të buxhetit 2010
Ervin KOÇI
Rritje e re pagash dhe pensionesh, ulje e borxhit publik dhe investime në projektet vendore, janë disa prej synimeve që qeveria premton të realizojë me buxhetin e vitit të ardhshëm. Këto pika janë prezantuar dje nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, përpara deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave të projektbuxhetin e vitit 2010, për të cilin ministri ka kërkuar me ngut miratimin e tij. Ajo çka mund të konsiderohet një risi e këtij drafti është krijimi i një fondi të posaçëm për zhvillimin rajonal. Ministri Bode informoi se, do të krijohet një fond prej 55 miliardë lekësh për investimin rajonal, për projektet e bashkive dhe komunave. Me këtë diskutim të ministrit Bode në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë nisi dje shqyrtimi në parim i projektbuxhetit 2010. Ky projektbuxhet pritet që brenda javës të miratohet në parim edhe në seancë plenare. Ai do të jetë rreth 411 miliardë lekë shpenzime (4.47 miliardë dollarë). Ndërkohë që ky buxhet do të ketë dhe pikat e tij të errëta, për të cilat qeveria edhe pse është zotuar se do ti realizojë, sërish mbetet për tu parë, pasi sigurimi i të ardhurave sidomos për investimet mbart një pikëpyetje të madhe. Por sipas ministrit Bode, “Shqipëria nuk u prek nga kriza ekonomike dhe kjo i lejon qeverisë që të rrisë sërish pagat dhe pensionet, pa përkeqësuar treguesin e borxhit publik”.
Rritja e pagave
Kreu i financave deklaroi se rritja e programuar e të ardhurave do i lejojë qeverisë që të vazhdojë të mbajë stimujt fiskal për të mbështetur rritjen ekonomike. Edhe për vitin që vjen parashikohet një politikë për rritje pagash dhe pensionesh në masën 4 deri në 10 për qind, me efekt në buxhet 2.7 miliardë lekë.
Borxhi publik
Për të rritur shpenzimet, qeveria ka në plan të marrë 50 miliardë lekë borxhe (534 milionë dollarë) për të financuar deficitin buxhetor të vitit 2010. Sipas ministrit të Financave, buxheti do të rritet me rreth 600 milionë dollarë në krahasim me këtë vit, ndërsa deficiti buxhetor është programuar në 3.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rruga Rrëshen-Kalimash pritet të hajë edhe 6 miliardë lekë të tjera më 2010, ndërkohë që ka ngrënë 40 miliardë lekë gjatë vitit 2009. Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon se kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit është 49.767 milionë lekë, prej të cilit 300 milionë lekë financohen nga të ardhurat nga privatizimi. Në rast mosrealizimi të të ardhurave të buxhetit dhe të të ardhurave nga privatizimi, huamarrja për financimin e deficitit, të brendshëm dhe të huaj, nuk ndryshon. Sipas të dhënave të buxhetit për vitin e ardhshëm plot 40.812 milionë lekë do të merren nga tregu i brendshëm për të financuar uljen e deficitit, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 8655 milionë lekë do të merret si financim i huaj. Më pas është Këshilli i Ministrave i cili merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve.
Shkurtimi i shpenzimeve
Por gjatë vitit të ardhshëm qeveria është e vendosur që të ndërhyjë në institucionet e drejtësisë me qëllim reduktimin e shpenzimeve operative. Duket se ligji i cili u miratua pak kohë më parë në parlament për heqjen e automjeteve të deputetëve do të ndryshojë sërish. Kësaj radhe ministria e financave do të heqë makinat për institucionet kushtetuese të drejtësisë, pasi sipas saj ka ende vend për të shkurtuar shpenzimet operative në aparatin shtetëror. “Pavarësisht faktit se kjo situatë mund të shoqërohet me debat mbi ndërhyrjen në pavarësinë e institucioneve- tha ministri Bode, - ulja e shpenzimeve do të shoqërohet me rritjen e pagave për gjyqtarët e shkallës së parë dhe asaj të apelit”. Ministri kërkoi edhe ndihmën e parlamentit të realizuar këtë nisëm, pasi abuzimet që janë vërejtur me shpenzimet e një shoferi sipas tij, “arrijnë në shifra katastrofale, duke u luhatur nga 60 - 100 mijë dollarë në vit”. Ndaj sipas tij, është emergjente që të vijohet me politikën e reduktimit të këtij zëri në buxhet.
Buxheti 2010, qeveria do të investojë 50 milionë euro për vendorët
Vendosja e një kupole për të gjithë projektet buxhetore rajonale, duke krijuar një autoritet për një koordinim të plotë të tyre, është një risi e buxhetit të vitit që vjen. Ministri i Financave Bode, tha se, nëpërmjet këtij komiteti ku vitin që vjen do të kalojnë 50 milionë euro fondet do të adresohen për zonat më në nevojë. "Do të ngrihet një komitet i cili do të kryesohet nga kryeministri, do të ketë në përbërje ministrat, përfaqësues të pushtetit lokal, qarqeve, komunave e bashkive. Krijimi i këtij fondi të zhvillimit të rajonit është një ndërthurje e programeve të vetë komuniteteve në zhvillim me politikat e dikastereve qendrore, të cilat shpesh herë kanë qenë të shkëputura nga prioritetet e komuniteteve lokale",- deklaroi Ritvan Bode. Ky fond sipas ministrit Bode ka për qëllim të zhvillojë zonat e thella të vendit, që kanë një qarkullim të ulët të aktivitetit ekonomik. Pushteti vendor duket se ka mangësi të thella administrative për të kryer investime në infrastrukturë, ndaj përcaktimi i prioriteteve nga qeveria duket se do ti japë më shumë frymëmarrje zonave të thella të vendit. Kjo nisëm e qeverisë vjen në një kohë kur drejtuesit e pushtetit lokal protestuan për ndërhyrje të kompetencave në të zgjedhurit vendor.
Financimi, Kosova dhe Mali i Zi kërkojnë borxh nga FMN
Qeveria e Kosovës po negocion me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi mundësinë e marrjes së një kredie me vlerë nga 200 deri në 300 milionë dollarë. Pala kosovare shpreson që marrëveshja të mbyllet brenda këtij muaji. Guvernatori i Bankës së Kosovës, Hashim Rexhepi, mësohet t‘i ketë thënë "Reuters"-it se po negociohet për marrjen e një huaje dhe ende nuk është konkluduar asgjë. "Kosova ka nevojë për para, likuiditete dhe kredia mund të jetë afatshkurtër", tha Rexhepi. Ndërkaq, qeveria e Kosovës është duke diskutuar projektbuxhetin 2010, dhe nga pas ka FMN-në, e cila kërkon kujdes te shpenzimet. Në të njëjtat kushte është pak a shumë edhe Mali i Zi. Vendi fqinj është duke negociuar me FMN-në për një kredi në masën 150-300 milionë euro. Megjithatë, bisedimet nuk kanë marrë ende udhën zyrtare. Kredia do të përdoret në mbështetje të buxhetit gjatë vitit 2010, mësohet të ketë thënë, Nikola Fabris, përfaqësues i Bankës Qendrore të Malit të Zi.
17 Nentor 2009