Ndihma ekonomike, si do të bëhet shpërndarja nëpërmjet subvencionimit të energjisë
Jonida Tashi
Kushtëzimi i shpërndarjes së ndihmës ekonomike me pagesën e konsumit të energjisë elektrike është një nga format që parashikohet në projektligjin e ri të Ministrisë së Punës “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Sipas përcaktimeve të bëra nga dikasteri i Punës, kompensimi i ndihmës ekonomike do të kushtëzohet me pagesën e faturës së energjisë elektrike nga familjet dhe grupet përfituese. Përfitimi i ndihmës ekonomike dhe kompensimi i energjisë nuk mund të realizohet pa paraqitur pagesën e faturës së energjisë në zyrën e financës së bashkisë/komunës. Në të kundërt, familjet e humbasin të drejtën e përfitimit të kompensimit të energjisë dhe ndihmën sociale.
Kategoritë
Po ashtu edhe për personat me aftësi të kufizuara, përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar dhe kompensimi i energjisë nuk mund të realizohet pa paraqitur pagesën e faturës së energjisë tek zyra e financës. Në të kundërt, personat me aftësi të kufizuar e humbasin të drejtën e përfitimit të subvencionit dhe të pagesës së tyre. Të njëjtin rregull për të përfituar nga kompensimi i energjisë elektrike duhet të ndjekin dhe punonjësit buxhetor me pagë bruto nën 35 mijë lekë në muaj, të cilët, duhet të paraqesin pagesën e faturës së energjisë në zyrën e financës të institucionit. Në të kundërt, edhe kjo kategori humbet të drejtën e përfitimit të kompensimit të energjisë. Kurse pensionistët e vetmuar dhe invalidët e punës, duhet të paraqesin pagesën e faturës së energjisë në institucionin që tërheqin pensionin për të përfituar subvencionin e energjisë. Në të kundërt, humbasin të drejtën e përfitimit të kompensimit dhe të pensionit.
Rikthimi
Qeveria i rikthehet skemës së vitit 2006, për kompensimin e çmimit të energjisë. Rifutja e skemës së kompensimit të çmimit të energjisë elektrike për kategoritë që përfitojnë pagesa sociale nga shtetit duket se nuk është aspak e rastësishme. Përveç koherencës që ka rizbatimi i kësaj skeme me rritjen e çmimit të energjisë, qeveria e ka parashikuar këtë si një nga format e shpërndarjes së ndihmës pikërisht në kohën kur në vendin tonë po kërkohet rritja e çmimit të energjisë. Për të mbrojtur familjet e varfra nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në vitin 2003 filloi implementimi i skemës të kompensimit të çmimit të energjisë. Zbatimi në praktik i skemës nuk e dha impaktin e synuar. Vetëm 37 000 ose 20% e familjeve u përfshinë në skemë dhe e përfituan rimbursimin për rritjen e çmimit të energjisë, nga 191 500 familjet gjithsej që ishte parashikuar të përfitonin nga ky program. Po ashtu, programi nuk i nxiti familjarët e varfër për të paguar faturat e energjisë. Norma e mospagesës nga familjet e varfra ishte dy herë më e lartë se sa norma e mospagesës nga familjet jo të varfra. Mekanizmi administrativ i skemës u ballafaqua edhe me probleme. Lista e përfituesve me numrin e kontratës së energjisë përputheshin vetëm në masën 25% me të dhënat që dispononin KESH. Koha e prodhimit dhe shpërndarja e informacionit midis institucioneve përgjegjëse për implementimin e kësaj skeme (njësitë vendore, ISSH, SHSSH dhe KESH) bëhej me vonesë dhe krijonte vështirësi për disbursimin e fondeve. Kjo bëri që në vitin 2006, një vit pas ardhjes në pushtet, kryeministri i vendit asokohe, po ashtu edhe sot, Sali Berisha të ndryshonte politikën e kompensimit nga rritja e çmimit të energjisë, me synim rritjen e masës së subvencionit dhe zgjerimin e grupeve përfituese për mbrojtjen e tyre nga rritja e mëtejshme e çmimit të energjisë elektrike. Për 200 KËh e parë të konsumuar masa e kompensimit është 500 lekë në muaj sipas kriterit për një familje, një kontratë me KESH-in. Tarifa e re mbulon 36% të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për të gjitha kategoritë e mësipërme, nga 9% që mbulonte më parë.
Subvencioni mbulon disa grupe përfituesish si:
Familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it: subvencioni është bërë pjesë e listës së pagesës së ndihmës ekonomike që merret në njësinë vendore;
Kryefamiljarë që përfitojnë pension invaliditeti, shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat: subvencioni pasqyrohet në një kolonë të veçantë në listë-pagesën e aftësisë së kufizuar për këtë kategori pranë njësisë vendore;
Kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët nuk kanë të ardhura: subvencioni është bërë pjesë në listë-pagesën e marrjes së pensionit në një kolonë të veçantë;
Familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj: subvencioni është përfshirë si zë i veçantë në listë-pagesën e institucionit përkatës.
Dokumentacioni për identifikimin e përfituesve të subvencionit të energjisë elektrike:
Përfituesit përcaktohen nga institucionet ku ata marrin pagën, pensionin apo pagesat nga programet e ndryshme sociale;
Konsumi i energjisë elektrike faturohet nga KESH-i, për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar nga familjet përfituese;
Klientët, familjet përfituese të subvencionit e paguajnë të gjithë detyrimin sipas faturës dhe mbas këtij momenti paraqiten për të tërhequr subvencionin;
Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike apo me pagesë për aftësinë e kufizuar deklarojnë detyrimet e prapambetura për energjinë;
Personat me aftësi të kufizuar deklarojnë se në familjen e tyre nuk kanë punonjës buxhetorë apo nuk marrin ndihmë ekonomike etj.
Ndryshimet që parashikohen në projektligjin e ri “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”
Përcaktimi i ri se “Ndihma ekonomike është një pagesë e përkohshme e kushtëzuar”, do të krijojë mundësinë që ajo të kushtëzohet jo vetëm me punë në komunitet, por edhe me ndjekjen e arsimit të detyruar nga fëmijët, pagesën e energjisë elektrike, etj. Sipas propozimeve të mësipërme, të bëra nga Ministria e Punës në projektligjin e ri “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, kushtëzimet e reja të shpërndarjes së ndihmës sociale do të krijojë mundësinë për ta administruar më mirë skemën e ndihmës ekonomike, duke përcaktuar kështu edhe kohëzgjatjen e familjeve në skemë etj. Ministria e Punës ka ndërmarrë iniciativën për hartimin e një projektligji që parashikon ndryshime të rëndësishme në ligjin aktual “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të cilat kanë të bëjnë me zgjerimin e grupeve përfituese, që do të përfshihen për herë të parë në skemë, duke u bazuar jo vetëm në kritere ekonomike, por edhe sociale, si dhe në futjen e elementëve të rinj në mënyrën e shpërndarjes së pagesës kesh me qëllim uljen e abuzivizmit. Ndryshimet e propozuara në skemë parashikojnë zgjerimin e kategorive të përfituesve, kjo pasi në praktikë është vërejtur se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë. Këto kategori, sipas burimeve nga Ministria e Punës, do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së prindërve, ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton. Po ashtu, parashikohet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetralegjik ose invalid pune, familjet që kanë si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension. Ky projektligj përcakton gruan si kryefamiljare në rastet kur ka praktika divorci për të tërhequr pagesën e ndihmës ekonomike. Nga këto ndryshime parashikohet që të përfitojnë mbështetje për herë të parë edhe rreth 800 persona jetim, rreth 400 persona viktima të trafikut, 500 gra në rastet e praktikave të divorcit. Ndërsa si masë për të shmangur informalitetin dhe abuzivizmin, është parashikuar shpërndarja e ndihmës ekonomike nëpërmjet sistemit bankar.
17 Nentor 2009