Kreditë konsumatore kthehen në gropën e zezë të bankave
Laureta Rryçi
Kreditë konsumatore të dhëna gjatë 2-3 viteve të fundit po kthehen në gropën e zezë të bankave të nivelit të dytë. Ky lajm pohohet nga përmbaruesit e Tiranës, të cilët konstatojnë se të tilla dosje, në ditët e para të vitit 2010 janë pesëfishuar. Duket se ky grumbull i madh dosjesh do të qëndrojë shumë gjatë nëpër zyrat e tyre. Përmbaruesit shpjegojnë se e kanë të pamundur të ekzekutojnë vendimet e gjykatave për kreditë që janë maksimumi deri në 500 mijë lekë. Bëhet fjalë për qindra mijëra kredi të tilla, të cilat janë marrë me pretekstin për hapjen e një biznesi të vogël apo për ndonjë investim në shtëpi, por që nuk është kthyer as edhe një qindarkë nga qytetarët përfitues. “Të gjitha dosjet që kanë vendimin e gjykatës për t’i ekzekutuar, kanë mangësi të theksuara të adresave apo gjeneraliteve të debitorëve për kreditë konsumatore të bankave. Në këtë situatë e kemi të pamundur të kërkojmë informacione mbi pasuritë që mund të kenë të tillë persona”. Kështu ankohen përmbaruesit, të cilët duket se kanë hequr dorë nga ekzekutimi i këtyre dosjeve. Për ta, të ekzekutueshme janë vetëm kreditë e këqija që janë marrë me kolateral. Në bashkëpunim me Hipotekën apo me institucione të tjera shtetërore kanë arritur të ekzekutojnë disa prej tyre duke u sekuestruar pasuritë qytetarëve borxhlinj ndaj bankave.
Vështirësitë
Përmbaruesit që kanë për ekzekutim të tilla dosje kanë vënë re që i njëjti person ka arritur të marrë kredi konsumatore pothuajse në të gjitha bankat e nivelit të dytë. Në këtë mënyrë qytetari ka përdorur të njëjtën skemë mashtrimi mbi të dhënat që ka deklaruar, por, nga ana tjetër, ka arritur të përfitojë një shumë të konsiderueshme parash, për të cilat mundësia më e madhe ekziston se nuk do t’i shlyejnë asnjëherë. Shifrat në Zyrën e Përmbarimit të Tiranës, por edhe në Gjykatën e Tiranës mbi kreditë konsumatore që janë kthyer në kreditë e këqija sa vjen dhe rritet. Në këtë mënyrë thellohet vakuumi nëpër arkat e këtyre bankave, pasi vërtet janë në shuma jo të mëdha, por janë me qindra- mijëra të tilla që të gjitha së bashku formojnë një gropë të zezë në arkën e këtyre bankave. Veçanërisht në këtë periudhë, ku bankat flitet se po vuajnë nga likuiditeti, duket se për to këto para janë shumë të rëndësishme.
Dosjet
Me objekt padie “Urdhër ekzekutimi”, bankat e të gjitha niveleve që operojnë në kryeqytet i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për të rimarrë paratë. Qindra kredi të pashlyera në afatin kohor, përpos shumës që duhet të paguhej, u janë shtuar dhe interesat apo dëmet që u janë shkaktuar bankave për moskthimin në kohë. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës, vetëm në një ditë numërohen rreth 10 padi të tilla që depozitohen për t’iu nënshtruar procesit të shortit. Padia nga ana e bankës shoqërohet edhe me informacione të tjera, që e njohin gjyqtarin që do të gjykojë me shkeljet e klientëve dhe shumën që i detyrohen bankës. Për një pjesë prej këtyre padive gjykata është shprehur me vendim. Për ato dosje që është pranuar kërkesa, kanë nisur procedura të mëtejshme që ndiqen zakonisht në këto raste. Për ato që janë pushuar, paditë janë nisur nëpër shkallët e tjera të Gjyqësorit, derisa të marrin formën e prerë.
Si i ekzekuton kreditë e këqija Përmbarimi
Dhjetëra dosje të kredive të pashlyera prej disa kohësh kanë përfunduar në Zyrën e Përmbarimit për ekzekutim. Pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës për shlyerjen e detyrimit të qytetarit ndaj bankës urdhërohen përmbaruesit për ekzekutimin e tyre. Me mbërritjen e dosjeve në Përmbarim, fillimisht kryetari bën ndarjen e tyre nëpër përmbarues. Më tej nisin procedurat e tjera ku në bazë të adresave që janë dhënë nis kontakti me qytetarin që në këtë rast nuk ka qenë korrekt me shlyerjen e kredive. Sipas burimeve nga Përmbaruesi për ato raste kur qytetarët nuk duan të paguajnë, atëherë nis sekuestrimi e objekteve shtëpiake në varësi të borxhit që ata kanë. Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesat e bankave për rikthimin e parave për kreditë e pashlyera. Për të gjithë këto dosje është dhënë urdhër që të dërgohen në Zyrën e Përmbarimit të Tiranës për ekzekutim të mëtejshëm. Bankat e të gjitha niveleve në vend kanë depozituar qindra padi kundër klientëve të tyre për mosshlyerje të kredive. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se rrallëherë më parë është vënë re një vërshim i bankave në gjykatë për të rimarrë paratë bashkë me interesat që u janë dhënë.
Mbingarkesa, gjyqtarët ankohen ndaj padive për kreditë e këqija
Statistikat gjithmonë kanë treguar se një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës gjykon në një vit sa totali i dosjeve që mund të gjykojë një gjykatë në një rreth të vendit. Mirëpo gjatë muajve të fundit, këto statistika janë rënduar edhe më tej. Shkak janë bërë paditë e depozituara nga bankat e nivelit të dytë për kreditë e këqija. Fluksi i këtyre padive u ndje edhe në pjesën e dytë të vitit të kaluar, por në këto muaj po dyfishohen. Gjyqtarët tregojnë se këto dosje po krijojnë një kaos edhe për çështjet e tjera për shkak se ato kanë mangësi në të dhënat që paraqesin bankat dhe gjykimi për këto kërkesa vijon për javë me radhë. Sipas tyre, një ditë pune për ta mund të përfshijë më shumë se 10 procese, nga të cilat jo të gjitha mund të zhvillohen po brenda kësaj dite. Përveç mungesës së zakonshme të palëve në proces, zgjatja e një procesi më shumë se ç’ishte parashikuar shkakton shtyrjen e të gjitha orareve të përcaktuara. Kalendari i gjyqeve për ta është tepër i ngarkuar, duke qenë se janë në pritje dhjetëra dosje që zënë vend nëpër tavolinat e gjyqtarëve civil.
Banda e Lushnjës
Prokuroria heq dorë nga dëshmia e Petrit Liçit
Një vit pasi e kërkoi që të vinte si dëshmitar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Prokuroria heq dorë nga dëshmitari kryesor në gjyqin ndaj bandës së Lushnjës, Petrit Liçi, i njohur si njeriu që me pendesën e tij fundosi anëtarët e kësaj bande. Prokurorët i thanë Gjykatës se nuk e shohin të arsyeshme që Petrit Liçi, aktualisht në liri dhe në mbrojtje nga shteti, të sillet në Shqipëri për të folur edhe për pjesën e dytë të bandës. Për këtë proces, sipas organit të akuzës, do të merren në konsideratë çfarë ai ka thënë përgjatë muajve kur zgjati gjyqi ndaj pjesës së parë të kësaj bande. Petrit Liçi ka folur edhe për vrasjen e Artur Dajës në vitin 1998, koka e të cilit pas ekzekutimit u shëtit nëpër qytetin e Lushnjës dhe madje me të u luajt edhe futboll. Një ngjarje që tronditi Lushnjën dhe opinionin në vend dhe për të cilën janë marrë në Gjykatë disa dëshmi. Në të njëjtën seancë, Gjykata kishte thirrur për të dëgjuar edhe dajën e Artur Dajes, Xhavit Çelën. Por, dëshmitari, ndryshe nga çfarë kishte thënë vite më parë në Prokurori, i ndryshoi thëniet. Në një dëshmi kontradiktore, daja i viktimës tha se nuk dinte nëse nipi i tij kishte vdekur apo ishte gjallë, nuk dinte se kush ja kishte vrarë dhe çfarë kishte ndodhur në të vërtetë me djalin e motrës së tij. Ndërsa në 1995-n, në Prokurori i moshuari kishte pohuar se nipin ja kishin vrarë pjesëtarë të bandës së Lushnjës. Gjykata vendosi t’i marrë të mirëqena të dyja dëshmitë kontradiktore me njëra-tjetrën. Po kështu, në Gjykatë është folur për ndryshimin e pronësisë për Lagunën e Karavastasë, ku sipas dëshmitarëve aksionerë në të, atyre u ishin paguar nga 60 mijë lekë për t’u tërhequr nga aksionet.
5 Mars 2010