Prangoset polici i burgut, trafikonte drogë në qeli
Thimi Samarxhiu
DURRËS – Janë shtuar ndjeshëm rastet e arrestimit të policëve të burgjeve, të cilët u shesin drogë të dënuarve. Pas arrestimit gati një muaj më parë të gardianit në Burgun e Korçës, ditën e djeshme policia e qytetit bregdetar ka vënë në pranga Ilir Sofkën, punonjës policie në Burgun e Rrogozhinës. Gjatë momentit të arrestimit atij iu gjetën 3.35 gramë Cannabis dhe 3.4 gramë heroinë, të cilat ishin gati për shitje.
Hetimi dhe arrestimi
Prej disa kohës, Policia e Durrësit, në bazë të informatave të marra, kishte ngritur dyshimet se Ilir Sofka shiste drogë brenda ambienteve të Burgut të Rrogozhinës, ku ai punonte. Pas një vëzhgimi disaditor, uniformat blu të qytetit bregdetar, ku dhe ai jetonte, e kanë prangosur atë. Gjatë momentit të arrestimit, Ilir Sofkës i është gjetur në trup një sasi prej 3.35 gramësh Cannabis sativa, si dhe 3.4 gramë heroinë, të cilat ishin gati për shitje. Gjithashtu atij iu sekuestruan dhe 9 mijë lekë, të cilat dyshohet se i kishte përfituar nga shitja e drogës.
Policia e qytetit të Durrësit, me anë të një komunikate për shtyp, njofton se shërbimet e Seksionit Kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Policisë së qarkut Durrës bënë arrestimin në flagrancë të Ilir Sofkës, 31 vjeç, lindur në Kukës e banues në Durrës, punonjës policie në Institucionin e Ekzekutim-Vendimeve Penale në Rrogozhinë. “Arrestimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohej se ky shtetas ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në Burgun e Rrogozhinës”, – bën të ditur Policia e Durrësit. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje është duke vazhduar hetimet për të zbuluar persona të tjerë të lidhur me punonjësin e policisë. Ndërkohë që Sofka mësohet se është duke u marrë në pyetje nga kolegët e tij të Policisë së Durrësit. Pas arrestimit të tij u kryen të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme lidhur me veprën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Precedentët
Më 17 shkurt të këtij viti, forcat e Policisë së Korçës vunë në pranga një kolegun e tyre, pasi iu gjetën 10 gramë hashash në momentin kur ishte me shërbim në Burgun e Sigurisë së Lartë në Drenovë të Korçës. Denis Ismailiani u vu në pranga në momentin e marrjes së turit, pas kontrollit fizik që iu bë nga kolegët e tij. Policia e qytetit juglindor kishte mbledhur informacione se gardisti shiste drogë brenda ambienteve të burgut.
Por nuk është ky i vetmi rast i arrestimit të punonjësve të Policisë, të cilët tentojnë të shesin drogë brenda ambienteve të burgjeve.
Në dhjetor të 2008-s, Marjam Gjoni, punonjës në Burgun e Shën Kollit në Lezhë, është vënë në pranga nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Prokuroria e rrethit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kishin nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe personat e tjerë të mundshëm të përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike. SHKB-ja kishte marrë informacione për aktivitetin e policit të Burgut të Shën Kollit dhe bashkë me prokurorinë kishin nisur menjëherë hetimet në lidhje me 36-vjeçarin. Arrestimi i tij u krye ndërsa ai po futej në ambientet e burgut, ku i është bërë një kontroll nga punonjësit e SHKB-së. E fshehur në rrobat tij i është gjetur një qese plastmasi e tejdukshme, ku brenda saj kishte një sasi lënde të dyshuar si narkotike. Sipas burimeve nga policia, këtë sasi të dyshuar droge 36-vjeçari që e mbante me vete po tentonte që ta fuste në ambientet e burgut për ta shitur më pas te të burgosurit.
Rrugorja, në 24 orë, 680 gjoba dhe bllokim të 15 patentave
TIRANË – 680 gjoba dhe 15 leje drejtimi janë bllokuar nga Policia Rrugore e Tiranës vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Policia Rrugore njofton se po vazhdon aksionin e saj për ndëshkimin e shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të atyre që janë debitorë për mospagimin në kohë të gjobave të vendosura. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Nga kontrollet e konstatuara, Policia Rrugore e Tiranës ka ndëshkuar 680 shoferë me gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa për 15 të tjerë ka marrë masën e bllokimit të lejes së drejtimit të automjetit. Policia e kryeqytetit njofton se ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, me qëllim parandalimin e aksidenteve si dhe ndëshkimin e shoferëve të pabindur.
Plagos të riun, ndiqet penalisht 21-vjeçari
DURRËS – Plagosi një 17-vjeçar në sherr e sipër, ndiqet penalisht i riu. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se ditën e djeshme ka nisur procedimin penal në ngarkim të 21-vjeçarit me inicialet E. M. Sipas policisë, procedimi penal filloi për arsye se më datë 3 mars 2010, pranë Shkëmbit të Kavajës, në grindje e sipër ka goditur me sende të forta një 17-vjeçar me inicialet F. B. duke i shkaktuar atij dëmtime të rëndë në trup. Uniformat blu, pas ndalimit të të riut, vendosën të hetojnë atë në gjendje të lirë, ndërkohë që materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme për veprën penale të “plagosjes me dashje”.
Humb jetën një 61-vjeçar pranë Presidencës
TIRANË – Gjendet i vdekur një 61-vjeçar pranë godinës së Presidencës. Pasditen e djeshme, Policia e Tiranës është njoftuar për vdekjen në shkaqe të paqarta. Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje është mësuar se 61-vjeçari me inicialet L. E. ka vdekur nga shkaqe natyrale. Viktima, sipas burimeve të policisë, ka qenë i shoqëruar edhe me njerëz të tjerë kur duket se ka pësuar një infarkt kardiak që i ka marrë jetën menjëherë. Policia dhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje por fatkeqësisht pa mundur të shpëtojnë nga vdekja 61-vjeçarin.
Plagosja e ushtarëve, faji i teknikut
TIRANË – Zbulohet shkaku i plagosjes së dy oficerëve të Forcave Speciale në Repartin e Zall-Herrit. Sipas të dhënave paraprake, ky aksident ka ardhur si pasojë e moskoordinimit të lëvizjes së helikopterit dhe teknikut që lëshonte litarët gjatë stërvitjes. Sipas dëshmive të specialistëve të që kanë shkuar në vendngjarje, incidenti me dy oficerët e Forcave Speciale mund të ishte kthyer në një tragjedi, nëse lartësia e helikopterit do të kishte qenë disa metra më e lartë nga toka. Dy oficerët e plagosur janë: Albert Kuçi, i cili ka thyer njërin krah dhe Alban Kurti, i cili ka pasur shembje në trup. Oficerët u plagosën gjatë stërvitjes që bënin duke zbritur me litar nga helikopteri. Sipas dëshmive, ka qenë tekniku i helikopterit ai që ka lëshuar litarin duke rrëzuar disa metra larg tokës dy efektivat e Forcave Speciale.
5 Mars 2010