Problemet në qarkullim, taksë shtesë për makinat me timon në krah të djathtë
Ervin KOÇI
Të gjithë automjetet me timon në krahun e djathtë ose të njohura ndryshe si makina me timon “anglez”, që qarkullojnë në vendin tonë, do të paguajnë një taksë suplementare. Taksa e cila nuk do të jetë e vogël, do të paguhet me qëllim që Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ta përdorë atë në të gjitha ato raste kur këto automjete do të jetë objekt aksidentesh në rrugë. Një taksë e tillë do të paguhet nga të gjithë drejtuesit e automjeteve me timon në krahun e djathtë, deri në momentin që këto automjete do të ndryshojnë kroskotin dhe krahun e timonit. Këto automjete do të kenë edhe një taksë suplementare edhe gjatë procesit të zhdoganimit, e cila do të jetë e njëjtë me taksën e ndotjes. Këto forma të propozuara nga DPTRR bëhen me qëllimin për të detyruar shoferët e këtyre automjeteve që të bëjnë ndryshimin e krahut të timonit, pasi shumë prej këtyre automjeteve në mjaftë raste janë bërë burim aksidentesh në rrugët e vendit. Nisur edhe nga statistikat që ka DPTRR-ja, të marra edhe nga kompanitë e sigurimeve, numri më i madh i aksidenteve rrugore gjatë vitit të kaluar është bërë pikërisht nga automjetet me timonin në krahun e djathtë. Në pjesën më të madhe të rasteve, aksidentet janë bërë nga emigrantë që drejtonin këto automjete, ose nga persona që i kishin blerë këto automjete me çmime fare të lira por që kishin vështirësi në drejtimin e tyre.
Propozimi
Prej disa muajsh një debat i gjerë është bërë lidhur me problematiken e automjeteve me targa të huaja dhe atyre me timon drejtimi në krahun e djathtë. Si pasojë e drejtimit në krahun tjetër, këto automjete janë parë si rrezik i lartë i aksidenteve të shkaktuara në rrugët tona, ndaj dhe aludohej kohët e fundit për moslejimin e tyre në qarkullim. Por legjislacioni në fuqi e lejon zhdoganimin dhe më pas, përdorimin e këtyre automjeteve, njësoj me të gjitha automjetet e tjera. Sipas kreut të Shërbimit të Transportit Rrugor të Tiranës, Elez Gjoza, "makinat me targa të huaja dhe kryesisht me timon në krah të kundërt, nuk kanë asnjë pengesë ligjore për t'u pajisur me të gjitha dokumentacionet si të gjitha makinat e tjera. Pasi bëhet zhdoganimi, këto mjete paraqiten për kontrollin fizik”. Deri tani, automjetet me drejtim në krahun e djathtë duhet të paraqiteshin pranë zyrave të DPTRR-së, vetëm në rastet e ndryshimit të anës së drejtimit. Por pas propozimeve të reja, duket se këto automjete do të jenë të detyruara të ndryshojnë krahun e timonit. Një ndryshim i tillë është plotësisht i mundur dhe bëhet në disa ofiçina të specializuara në kryeqytet për një çmim që varion nga 100 -200 mijë lekë për mjet.
Targat e huaja
Përveç automjeteve me timon në krahun e djathtë, sanksione dhe taksa suplementare parashikohen edhe për të gjitha automjetet që mbajnë targa të huaja brenda territorit të vendit. Sipas një udhëzimi të firmosur nga Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, dhe ai Financave, Ridvan Bode, dërguar më pas pikave doganore, të gjithë automjetet që do të hyjnë në Shqipëri nuk do të lejohen të qëndrojnë në territorin e vendit më shumë se gjashtë muaj brenda një viti. Menjëherë sa paraqitet në kufi autoritete doganore bëjnë verifikimin e të dhënave të saj, pastaj e pajisin atë me një lejë të posaçme për periudhën që do të qëndrojë në vend. Në rastet kur automjetet mbërrijnë të pashoqëruara në pikat doganore, nëpërmjet formave të tjera të transportit, si me traget apo kontejnerë, pronari duhet të paraqitet pranë autoriteteve të policisë kufitare për të bërë regjistrimin e saj. Në rastet kur automjeti është në pronësi të një shoqërie tregtare, shoqëruesi duhet të jetë pajisur me një autorizim nga kompania. Sipas rregullave të reja që sapo kanë hyrë në fuqi, nuk do të përfitojnë regjim lejimi të përkohshëm ato automjete të cilat nuk janë të shoqëruara nga pronari. Po ashtu, autoritetet doganore nuk do të lejojnë që një person të importojë njëkohësisht më shumë se një automjet. Nëse ato do të konstatojnë se brenda një periudhe gjashtë mujore, i njëjti person ka një automjet të cilit nuk i ka përfunduar afati i lejes së përkohshme, ata nuk do të lejojnë importimin e një autoveture të dytë deri në përmbushjen e këtij afati. E njëjta situatë ndodh edhe me autoveturat të cilat janë të çregjistruara në autoritetet e vendit të origjinës. Me hyrjen e tyre në fuqi tregtarët e këtyre makinave do të jenë të detyruar që të kryejnë procedurat e zhdoganimit menjëherë pasi janë paraqitur në kufi. Deri më tani, blerësit kanë preferuar ta mbajnë autoveturën me targa të huaja, duke kryer zhdoganimin e saj në një periudhë të mëvonshme, e cila lehtësonte edhe kryerjen e pagesës. Por referuar asaj çka vërehet në terren, importuesit e autoveturave të përdorura kanë kryer procedurat e zhdoganimit edhe para hyrjes në fuqi të këtyre rregullave. Pjesa më e madhe e makinave që presin të bëhen me pronar nëpër pikat e shitjeve janë me doganë të paguar. Vendosja e një regjimi të pajisjes me leje qëndrimi pritet të ndikojë edhe në uljen e fluksit të futjes së makinave të vjedhura në territorin e vendit.
Shkurt//////////////////////////
Tatimet formojnë ekipin e posaçëm për pajisjet fiskale
Problemet e shumta në procesin e kasave fiskale dhe rëndësia e kësaj reforme detyron Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që të ndryshojë strukturë në interes të projektit. Bëhet fjalë për krijimin e departamentit të ri që do të ndjekë nga afër procesin e vendosjes së kasave fiskale, duke konsultuar shoqëritë e autorizuara, inspektorët tatimorë, si dhe bizneset. Konkretisht do të jenë pesë punonjës në këtë strukturë të re, e kërkuar direkt nga Drejtoria e Tatimeve për të ndihmuar procesin e kasave fiskale, që tashmë ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave. Procesi i pajisjeve fiskale po kalon në disa faza interesante, që tashmë prek përdorimin e tyre. Sipas administratës tatimore, pothuajse i gjithë biznesi i madh është pajisur 100 për qind me kasa fiskale, dhe tashmë pritet përdorimi i pajisjeve, që kërkon kohën e vet. Për këtë qëllim janë kryer një sërë trajnimesh si për biznesin, ashtu dhe për inspektorët tatimorë, në mënyrë që të kenë njohuritë e duhura gjatë kontrollit të pajisjes fiskale. Afati përfundimtar i vendosjes së kasave është fundi i vitit 2010, megjithatë po gjykohet rishikimi i periudhës, pasi vërehen probleme në zona të thella të vendit, apo në ato rurale.
Çmimi i preshit “fluturon” në rekorde historike
Duket se çmimi i preshit ka “fluturuar me presh”. Nëse një vit më parë kushtonte vetëm 20 lekë/kg, sivjet çmimi ka kapërcyer 5-fish. Bëhet fjalë për kulturën e preshit, një nga produktet tradicionalisht të lira në tregun shqiptar. Një kg presh në tregun me pakicë nuk mund ta blesh me jo më pas se 150 lekë. Çmimi rekord sipas fermerëve ka të bëjë me mbjelljet e pakta nga fermerët vendas dhe futjen e këtij produkti më tepër nga tregu i importit. Por për ata që kanë këmbëngulur, intuita i ka shpërblyer me jo pak të ardhura. Fermer të ndryshëm shqiptarë që këtë vit mbollën arën e tyre me këtë kulturë thonë se, nëse një vit më parë nga mbjellja e preshit kishin fituar deri në 400 mijë lekë, sivjet ata kanë fituar deri në 2.5 milionë lekë. Por nëse ky është çmimi i vendosur nga fermerët, në tezgat e tregtarëve në kryeqytet tarifa është akoma edhe më e kripur. Ata nuk ngurojnë që të nxjerrin fitime maksimale edhe nga ky produkt që dikur konsiderohej si ushqim për fukarenjtë, duke e tregtuar deri në 200 lekë/kg. Ashtu si preshi edhe shumë prodhime të stinës, kanë një çmim më të lartë se një vit më parë. Ky fenomen ka habitur jo vetëm qytetarët, por edhe specialistët e bujqësisë, të cilët i kanë këshilluar fermerët në mbjelljen e pemëve frutore dhe vreshtarisë.
INSTAT, eksportet rriten 44 për qind, bien importet
Në muajin janar 2010, deficiti tregtar ka shënuar një ulje prej 38.3%, duke shënuar një ulje të importeve dhe rritje të eksporteve. Shifrat deklarohen nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit, krahasuar me muajin janar 2009 importet u ulën me 8.1%, ndërsa eksportet rritën me 44%. Në vlerë monetare, në muajin janar u eksportuan 9,6 miliardë lekë mallra, ndërsa u importuan 30 miliardë lekë mallra me ulje. Deficiti tregtar i këtij muaji është 20,5 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 38.3 % krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 3.1 % krahasuar me janar 2009. Ndërkaq, tregtia me vendet e Bashkimit Europian vlerësohet me kuotën 64.5 për qind dhe partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Sipas INSTAT, me Italinë eksporti është 56.1 % dhe importi 24.1 %, kurse me Greqinë, eksporti është 5.6 % dhe importi 16 %.
BERZH jep 50 milionë euro për rrugët dytësore shqiptare
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka dhënë dje qeverisë shqiptare një hua prej 50 milionë eurosh për rindërtimin e rrugëve rurale dhe rajonale. Investimi është pjesë e një programi më të gjerë kombëtar për rehabilitimin e 1500 km rrjeti rrugor rajonal dhe lokal, i financuar paralelisht nga Banka Botërore, Fondi i OPEC, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës dhe financues të tjerë të mundshëm. Fokusimi i kësaj huaje në zonat rurale ka të bëjë me faktin se më shumë se gjysma e popullsisë në Shqipëri është e përqendruar në këto zona. Gjendja e keqe e rrugëve rurale në vend po vështirëson zhvillimin e sektorit privat në qytetet e vogla dhe fshatra, duke limituar konkurrencën e kompanive bujqësore. Shuma e siguruar nga huaja e BERZH-it do të përdoret për të financuar rehabilitimin e 500 km të rrjetit rrugor në zonat rurale të Shqipërisë. Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të sigurojë një hua në të njëjtën shumë për të bashkëfinancuar projektin. Deri tani BERZH ka investuar 120 milion euro për modernizimin e infrastrukturës së transportit në Shqipëri.
5 Mars 2010