Kryebashkiaku Rama: Si duhet të jenë urbanët e kryeqytetit në 2011-n
Eljona Lata
Bashkia e Tiranës ka prezantuar dje planin për ndryshimet që do të pësojë transporti urban për 2011-n. Kryetari i Bashkisë Edi Rama, gjatë takimit me Shoqatën e Transportit dhe Operatorët e Shërbimit, ka diskutuar në lidhje me problemet kryesore, mbi planin e ri të masave për transportin urban për vitet 2010-2015 në Tiranë. “Kemi vënë re nga anketimi se qytetarët na kërkojnë një vëmendje më të madhe ndaj transportit publik. Për këtë, kemi një plan të ri masash, bazuar në Masterplanin e transportit për zhvillim të qëndrueshëm, dhe në këtë plan të ri masash ne duam të trajtojmë me rigorozitet dhe sukses disa problematika që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me nevojën për të rritur standardin e shërbimit, për të rritur komoditetin e qytetarit në këtë shërbim dhe sigurisht për të synuar standarte evropiane” u shpreh kryebashkiaku Rama. Më tej kreu i Bashkisë shtoi se për vitin 2011 pritet zbatimi i një projekt-ide për të vendosur sistemin elektronik të kontrollit të biletës në autobus.
Ndryshimet
Në projektin e prezantuar, Rama është fokusuar në ndryshime që do të pësojë transporti urban për vitin e ardhshëm. Sipas kryebashkiakut, sot sfida e Bashkisë, është zgjidhja e disa aspekteve më të rëndësishme dhe problematikave të shërbimit, rritja e standardit të shërbimit dhe komoditetit të qytetarit, sidomos kjo e krahasuar me standardet e vendeve të tjera evropiane, në kuadër të rrugës së integrimit në BE. Në këtë projekt është parashikuar që menaxhimi i trafikut do të ngrihet me një sistem të ri IT – je. “Me anë të këtij sistemi modern, kontrolli i menaxhimit të trafikut në të gjithë territorin e Tiranës do të realizohet me kamera dhe në rrugë kompjuterike, duke lehtësuar kështu 100 për qind edhe punën e forcave të rendit, të cilat janë të angazhuara, qoftë në nivelin e qeverisjes kombëtare, qoftë edhe në nivelin e qeverisjes vendore për sigurinë dhe respektimin e rregullave të qarkullimit në rrugë” theksoi Rama . Ky i fundit i ka kërkuar shoqatës së transportit që të ketë një fluks të ri investimesh në linjat e transportit. Ku nga këto investime pritet të rinovohet parkut i mjeteve, ku të vihen në shërbim të qytetarëve mjete të reja për çdo linjë. Gjithashtu duhet të riorganizohet edhe sistemi i informimit në raport me përdoruesit. Pjesë e projektit është parashikuar vendosja e sistemit të biletës me kontrollin elektronik, në këtë mënyrë autobusët nuk do të kenë një numër jashtë standardit të shkelësve të këtij rregulli. Një tjetër masë do të jetë investimet për mjetet e transportit publik të cilat duhet të jenë të pajisura me ajër të kondicionuar, hyrje e lehtë në mjetet bus, autobusë të pajisur me platformën për personat me aftësi të kufizuar, siguria në bord, kontrollit të fluksit së mjeteve.
Projekte
Në vitet 2010-2011 do të zbatohen të paktën 4 grupe projektesh të rëndësishme për transportin publik, sipas elementeve:
Infrastruktura rrugore që nënkupton investimet në skemën e rrjetit rrugor/infrastrukturën rrugore në qytet që rrisin aksesin dhe mundësinë e lëvizjes së mjeteve të transportit publik do të vazhdojnë me prioritet në 2010 dhe 2011. Këtë muaj fillon nga puna projekti më i madh i Bashkisë për lëvizjen multimodale, që është “Projekti i Transportit Multimodal”. Në këtë projekt do të përcaktohen koristë e për autobusët, biçikletat dhe këmbësorët. Faza I (2010) dhe Faza II (2011), për 23 rrugë të qytetit. Ngritja e qendrës së kontrollit dhe të menaxhimit të trafikut, ku me sistemet e reja IT të menaxhimit të transportit publik do të prioritizohet transporti publik (2010-2011);
Projektet që do realizohen në bashkëpunim me operatorët e shërbimit
Një rinovim i parkut të mjeteve, ku synohet të vihen në shërbim të qytetarëve mjete të reja për çdo linjë (pjesa më e madhe e investimeve do të kryhen në vitet 2010-2011, por investime të reja do të jenë të shtrira përgjatë të gjithë afatit 5-vjeçar të shërbimit).
Investimet do të konsiderojnë tashmë si të domosdoshëm ato që quhen “kushtet e komfortit dhe aksesibilitetit të shërbimit”, kjo duke futur në vijim mjete me:
Ajër të kondicionuar
Hyrje e lehtë (aksesi) në mjete bus-platformë e sheshtë.
Autobusë të pajisur me platformën për njerëzit me aftësi të kufizuar.
Siguria në bord
Sisteme kamerash
Sistemet e monitorimit, kontrollit të flotës së mjeteve
Monitormi dhe kontrolli do të realizohen nga sisteme të teknologjisë së lartë që mundësojnë evidentimin e pozicionimit të mjetit, kontrollin dhe menaxhimin e tij nëpërmjet sistemeve GIS, pa nevojitur më sisteme të organizimit të shërbimit, nëpërmjet forcave të shtuara njerëzore.
Duke riorganizuar sistemet e informimit dhe raportin me përdoruesit e shërbimit (qytetarët)
Rrjetin e ri të linjave të shërbimit.
Stacionet e mjeteve bus.
Oraret e shërbimit.
Frekuencën e shërbimit
Sistemet e informimit stacion më stacion
Duke organizuar forma për të bërë të mundur pjesëmarrjen e përdoruesve në përcaktimin e performancës, duke mundësuar reklamimet ndaj tij, duke vënë në dispozicion numrat telefoni për qytetarët, duke mundësuar një sistem të ri për verifikimin e ankesave dhe sanksionet në lidhje me to, si dhe duke futur sistemet e siguracioneve të pronës, sigurisë së jetës dhe shëndetit të pasagjerëve ne bord dhe përgjegjësinë teknike të operatorit, në një gamë sa më të gjerë të mundshme në këtë shërbim.
Gjithashtu duke mirëpërcaktuar rregulla për personelin e shërbimit të transportit, si rregulla të përgjithshme, ashtu dhe rregulla gjatë udhëtimit dhe deri në kodin e sjelljes dhe aspektet personale të personelit. (Rregullorja e Personalit të Shërbimit dhe Rregullorja e Pasagjerit); Për këtë Bashkia po harton një platformë të integruar që quhet “Karta e Mobilitetit”.
Për të gjitha sa më sipër, për të drejtat dhe detyrimet e palëve po hartohet një kontratë ku do të ndërfuten përveç sanksioneve dhe forma të reja Sistemi i ri i Raportimit, Monitorimit dhe Kontrollit të Operatorit që:
Sistemi IT i performancës së shërbimit (kontrolli në kohë reale me GPRS dhe kamera);
Sistemi i Pikëzimit të sjelljes/performancës së Operatorit: që mundëson humbjen graduale të së drejtës së kryerjes së shërbimit/licencës nëse konstatohen shkelje të përsëritura që bien humbjen e pikëve të parashikuara dhe si pasojë humbjen e së drejtës së mbajtjes së licencës
Projektet do të realizohet nëpërmjet:
-Sistemit “Infomobility” të Qendrës së Kontrollit të Trafikut;
-Sistemet operatore të Qendrës së Kontaktit me Përdoruesin;
-Projektit “Infopoint-s “që synojmë të zbatojmë (më një shtrirje të gjerë pikash në të gjithë qytetin).
Vlerësim
Bashkia e Tiranës ka bërë në vitin 2009 të gjitha vlerësimet dhe analizat e nevojshme për zhvillimin më të mirë të transportit në qytet dhe ka hartuar kështu Masterplanin e Transportit, për një zhvillim të qëndrueshëm për qytetin e Tiranës.
Sipas kësaj analize rezulton se përsa i përket intensitetit të lëvizjes, në qytetin e Tiranës, rreth 75% e qytetarëve të intervistuar lëvizin sot rregullisht nga ora 6.00-9.00;
Nga të dhënat, rezulton se: 36% e qytetarëve përdorin mjetin bus (pra transportin publik); 28% janë këmbësorë; 21 % përdorin mjete private. Aktualisht Tirana, në krahasim me qytete të tjera, në vende të tjera ka ende për fat të mirë, një shkallë të kënaqshme të përdorimit të transportit publik dhe një shkallë më të ulët motorizimi (21% e popullsisë). Sot qytetarët e Tiranës përdorin ende shumë transportin ekologjik: transport publik, këmbësorë dhe biçikleta, por sipas analizës projektohet një rritje shqetësuese për trafikun, e shkallës së motorizimit (pra numrit të makinave).
Sot sfida e Bashkisë së Tiranës është:
Zgjidhja e disa prej aspekteve më të rëndësishme dhe problematikave të shërbimit;
Rritja e standardit të shërbimit dhe komoditetit të qytetarit, sidomos kjo e krahasuar me standardet e vendeve të tjera evropiane, në kuadër të rrugës së integrimit në BE.
Disa nga çështjet që kërkojnë më shumë vëmendje si dhe ndërhyrje për përmirësim, sot janë:
Frekuenca (problemet me oraret, vonesat për shkak të trafikut);
Kushtet e komoditetit dhe të sigurisë në bord të qytetarit;
Rritja e aksesit për përdorues të caktuar të transportit (pasagjerët me akses të kufizuar, si nënat me fëmijë, personat me aftësi të kufizuara etj)
Kosto e përballueshme e shërbimit, por duke rritur investimet në mjetet e linjës;
Rritja e mbrojtjes për mjedisin, për shkak të shkarkimeve të mjeteve te transportit publik.
Duke e vlerësuar të rëndësishëm transportin publik, drejt zbatimit të një koncepti multimodal të lëvizjes në qytet, Bashkia gjatë viteve 2010-2011 ka hartuar dhe po vë në zbatim projekte për të fuqizuar 2 komponentët e parë të lëvizjes transporti publik dhe lëvizja këmbësore, përkundrejt lëvizjes me makina/mjete private.
5 Mars 2010