E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen 8 arka me 11 520 fishekë, në kërkim pronarët



TEPELENË – 11 520 fishekë janë sekuestruar dje nga policia e qarkut Gjirokastër në fshatin Dukaj të qytetit të Tepelenës. Sipas policisë, sasia e madhe e municioneve luftarake ka qenë e hedhur në anë të rrugë lokale të fshatit Dukaj. Ende nuk dihen emrat e personave që i kanë pasur ato. Policia sqaron se “rreth orës 08:00, Forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bazë të një informacioni të marrë në rrugë operative se në fshatin Dukaj të rrethit Tepelenë, në anë të një rruge në dalje të fshatit për në mal, ndodheshin disa arka druri ku brenda tyre kishte arka metalike të mbushura me fishekë luftarakë”. Brenda arkave ka pasur nga dy kuti metalike të mbushura me fishekë luftarakë model 56, ku secila kuti kishte nga 720 fishekë, gjithsej 11 520 fishekë. “Fishekët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe po punohet nga ana e Policisë së Tepelenës për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, - thuhet në njoftimin e Policisë së Gjirokastrës.

Gjendet i vdekur një 60-vjeçar, dyshohet të ketë rënë gjatë punës

FIER – Një person rreth 60 vjeç ka gjetur vdekjen mëngjesin e djeshme në Spitalin e Fierit. Lajmi konfirmohet nga policia e këtij qyteti dhe theksohet se viktima nuk ka asnjë dokument identifikimi. Sipas policisë, personi ka shkuar në gjendje të rëndë shëndetësore në spital dhe më pas ka gjetur vdekjen. “Nga veprimet e para hetimore rezultoi se trupi i pajetë i paidentifikuar është i seksit mashkull, rreth 60 vjeç, 170 cm i gjatë, me flokë të thinjur dhe të rënë pak në pjesën e përparme të kokës, pa dhëmbë në gojë, i veshur me bluzë ngjyrë të zezë me vija jeshile poshtë saj, me një fanellë ngjyrë gri, pantallona stofi në ngjyrë të zezë me vija të bardha. Në to ka njolla llaçi dhe në xhepin e pantallonave ka një palë çelësa motori”, - thuhet në njoftimin e Policisë. Gjithashtu, policia sqaron se trupi i pajetë ndodhet në morgun e Spitalit të qytetit të Fierit. Sipas saj, ky shtetas nuk ka shenja dhune dhe dyshohet të ketë rënë nga lartësia për shkak të dëmtimeve të organeve të brendshme ne trup.

Kthehej nga Greqia, arrestohet në kufi i dënuari për vjedhje
GJIROKASTËR – Kthehej nga Greqia se nuk kishte dokumente, arrestohet në kufi i dënuari me 1 vit e 6 muaj burg për vjedhje. Policia e qytetit jugor njofton se ka vënë në pranga 35-vjeçarin Nazir Zyka. Zyka ishte person i shpallur në kërkim nga ana e Drejtorisë së Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar këtë shtetas me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale të vjedhjes. “Ky shtetas, më datë 06.03.2010, rreth orës 10:00, është kthyer nga Policia Greke në Pikën e Kalimit Kufitar në Kakavijë, pasi kishte 4 vjet në Greqi, por s’kishte dokumente, ndaj e ktheu Policia greke. Kur është intervistuar dhe verifikuar në sistemin TIMS, ky shtetas ka dhënë emër tjetër”, – njofton Policia e Gjirokastrës. Specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër bënë të mundur identifikimin e tij, ku rezultoi se ky shtetas ishte person në kërkim. Tashmë Zyka duhet të vuajë dënimin e caktuar nga Gjykata e Vlorës.

Hynë në një shtëpi për të vjedhur, pranga 3 të rinjve
TEPELENË – Shkuan në një shtëpi për të grabitur, zbulohen nga fqinjët dhe vihen në pranga tre të rinjtë. Sipas policisë, personat janë arrestuar në flagrancë duke vjedhur shtëpi në fshatin Dukaj. Të arrestuarit janë: Ermal Muça, 20 vjeç, Arbër Petani, 18 vjeç dhe Gëzim Hysa, 22 vjeç. Sipas njoftimit të Policisë, këta shtetas, gjatë orëve të natës janë futur në një banesë për të vjedhur, pasi të zotët e banesës janë përkohësisht me punë dhe banim në Greqi. Pasi janë futur në banesë për shkak të mungesës së ndriçimit kanë përdorur elektrikë dhe çakmakë për të bërë dritë dhe në këtë moment janë diktuar nga një banor i këtij fshati, i cili e kishte në ruajte këtë banesë. “Ky shtetas ka lajmëruar menjëherë sallën operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë, ku forca të shumta policie kanë shkuar brenda një kohe rekord në këtë fshat. Me veprime të shpejta policore dhe të mirë-organizuara, duke bërë rrethim e banesës, forcat e Komisariatit të Policisë Tepelenë bënë të mundur kapjen në flagrancë të shtetaseve të mësipërm brenda banesës”, - thuhet në njoftimin e Policisë.

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›