E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bixhozçiu vritet me plumb pas koke



POGRADEC – Vrasje mafioze në mes të Pogradecit. 38-vjeçari Festim Çekiçi është vrarë më një plumb në kokë duke u gdhirë e shtuna, në bulevardin kryesor të qytetit. Pistat e para të hetimit të çojnë drejt vrasjes për shkak të borxheve, pasi viktima prej kohësh luante bixhoz dhe dyshohet se nuk ka paguar paratë. Për këtë arsye mund të jetë vrarë.

Ngjarja
Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë pikasur të parët trupin e pajetë që ishte mbuluar nga gjaku. Menjëherë ata kanë lajmëruar policinë e qytetit, e cila ka mbërritur në vendngjarje. Sipas të dhënave të para të policisë bëhet fjalë për Festim Çekiçin, 38 vjeç, banues në fshatin Starovë. Sulmi ka ndodhur në afërsi të shëtitores “1 Maji” në qytetin e Pogradecit dhe dyshohet se ka ndodhur duke u gdhirë dita e shtunë. Autori i ngjarjes, pasi e ka qëlluar Çekiçin, është larguar në drejtim të paditur duke përfituar nga errësira. Deri tani, sipas dëshmive të mbledhura nga personat që banojnë rreth zonës ku ndodhi ngjarja, askush nuk ka arritur ta shohë autorin e krimit. Kjo gjë vërtetohet dhe nga fakti se viktima është zbuluar vetëm mëngjesin e djeshëm nga kalimtarët e rastit.

Hetimet
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Policia e Pogradecit ka ngritur një grup hetimor me qëllim zbardhjen e shkaqeve të kësaj vrasjeje, si dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.
Sipas të dhënave të mbledhura deri tani rezulton se Festim Çekiçi, edhe pse nuk banonte në Pogradec, njihej si një person që luante shumë bixhoz. Kjo gjë i ka mjaftuar grupit hetimor për të ngritur pistën e parë të hetimit, sipas së cilës Çekiçi mund të jetë vrarë si pasojë e borxheve të shumta që mund të ketë pasur në pikat e lojërave të fatit. Sipas dëshmive të mbledhura deri tani nga policia, mësohet se viktima kishte disa muaj që luante në lojëra fati, ku kishte humbur sasi të mëdha parash, duke mos përjashtuar kështu edhe mundësinë e borxheve. Por kjo nuk është e vetmja pistë e ngritur, pasi policia është duke hetuar edhe në lidhje me konfliktet që mund të ketë pasur viktima kohët e fundit. Grupi hetimor pritet që të verifikojë pikat e lojërave të fatit ku luante Çekiçi, me shpresën për të zbuluar të dhëna të nevojshme që mund të çojnë në identifikimin e autorit të ngjarjes që tronditi qytetin e Pogradecit.

Grabiti 10 objekte kulti, në pranga 35-vjeçari

KORÇË – Vodhi 10 objekte kulti në rrethin e Korçës, arrestohet Bujar Kalemi. Policia e Korçës njofton se ka bërë të mundur arrestimit e të shumëkërkuarit Bujar Kalemi, 35 vjeç, lindur në Zhabokikë, Tepelenë dhe banues në po atë fshat. Mbi 35-vjeçarin Kalemi rëndojnë të paktën 10 vjedhje kishash e xhamish në rrethin e Korçës, por veprimtaria e tij është shtrirë dhe në Gjirokastër e Delvinë. Më konkretisht, ai akuzohet se më 06.12.2009 ka vjedhur kishën e Shën Thanasit në Korçë, ku ka marrë një sasi prej 12 mijë lekësh. Vetëm 3 ditë më vonë ai ka “goditur” sërish duke grabitur këtë herë kishën e Shën Anës, ku ka marrë 4500 lekë. Dy grabitje ka kryer më datë 26.12.2009 Bujar Kalemi dhe konkretisht, kishën e Shën Kollit në Kamincë dhe kishën e Ngjitjes së Zotit në Qiell, në fshatin Borovë. Në këto dy kisha ai ka arritur të marrë një shumë prej 9300 lekësh. Vetëm një ditë më pas ai është zhvendosur në Ersekë, ku ka vjedhur kishën e Shën Gjergjit, në të cilën ka marrë një shumë prej 3500 lekësh. Por nuk mbaron me kaq. Një ditë më pas ai ka grabitur Xhaminë e fshatit Floq, ku ka grabitur 10 mijë lekë. Nga puna e bërë rezulton se ky shtetas ka kryer vjedhje kishash edhe në rrethin e Gjirokastrës në dy raste. Kështu, në dy raste të tjera, në mënyrë të përsëritur, ka vjedhur kishën në fshatin Kostan të rrethit Delvinë. Ndalimi i këtij shtetasi është bërë për veprën penale të “vjedhjes së pasurisë” dhe materialet do t’i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›