E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, përfundon projekti për Unazën e Madhe, përcaktohet harta ku do të bëhen punimet



Eljona Lata

Projekti Bashkisë të Tiranës për Unazën e Madhe edhe pse ka përfunduar teknikisht, ende nuk është vendosur se si do të zgjidhet fati i qytetarëve, që u preken banesat dhe bizneset private nga punimet. Studimi i kryer, ka përcaktuar sipërfaqen e tokës me pronar dhe numrin e banesave të ndërtuara me leje që preken nga rruga dhe për prishjen e të cilave banorët duhet të shpronësohen nga qeveria. Por, përveç këtyre në studimin e Njësisë së Menaxhimit të Projekteve, janë parashikuar edhe masat që duhen marrë për të kryer procesin e ristrehimit të banorëve për gati 6,574 m2 banesa. Megjithëse këto banesa nuk janë ndërtuar me leje. Sipas Njësisë së Menaxhimit të Projekteve, shteti ka detyrimin e strehimit të banorëve. Por, nga ana tjetër qeveria nuk ka dhënë një përgjigje sesi do të veprohet me këta qytetarë. I gjithë dokumentacioni teknik për këtë projekt të rëndësishëm të infrastrukturës së kryeqytetit, tashmë është gati edhe në strukturat e Bashkisë. Sipas burimeve nga Bashkia, nëse nuk do të kenë pengesa nga procedurat që nuk lidhen drejtpërdrejtë me to, siç janë shpronësimet, mund të fillojnë punën në terren brenda katër muajsh.
Fati i qytetarëve
Ndërtimi i segmenti të dytë të Unazës së Re, do të prishë ndërtesat e shumë qytetarëve që ndodhen në këtë zonë ku është projektuar të kalojë projekti. Përfundimi i projektit i ka dhënë përgjigje interesimit të këtyre banorëve, të cilët tashmë e kanë të qartë nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në banesa dhe mund të investojnë për përmirësimin e tyre, apo do t’u duhet të zhvendosen, gjithsesi me fondet e shtetit. Procesi do të përfshijë, shpronësimin e tokës bujqësore, të banesave rezidenciale, të bizneseve. Por ende nuk ka një nismë konkrete për të shpronësuar personat e prekur. Sipërfaqja e tokës bujqësore që do të shpronësohet është afërsisht 20 ha, sipërfaqja e banesave rezidenciale afërsisht 1,689 m2, numri i bizneseve 17. Njësia e Menaxhimit të Projekteve pranë Bashkisë së Tiranës, ka përgatitur edhe “Planin e veprimit për rivendosjen dhe sistemimin e personave që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe”. Nga projekti mund të preken një numër i përgjithshëm prej 257 strukturash, 216 nga të cilat janë private dhe 36 publike (plus 5 të tjera të paidentifikuara). Rreth dy të tretat e strukturave të prekura janë pa tituj pronësie. Shumica (gati 80%) e strukturave të prekura ndodhen në pjesën midis Rrugës së Kavajës dhe Kopshtit Zoologjik. Shumica e strukturave të prekura (gati 80%) janë banesa.
Projekti
Bashkia e Tiranës me fondet e saj ka përfunduar tashmë projektin për ndërtimin e Unazës së Madhe, segmenti jugor që nis nga rruga e Kavajës, tek shkolla Teknologjike dhe përfundon në rrugën e Elbasanit. Kjo pjesë e Unazës së Madhe ka një gjatësi prej 5.228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës deri tek Parku i Madh, rruga përshkon një zonë urbane me dendësi ndërtimesh të cilat kryesisht janë të ulëta dhe në një zonë me mungesa në infrastrukturën nëntokësore. Pjesa tjetër e Unazës së Madhe kalon në zonën kodrinore mbi kodrat e Liqenit artificial dhe kodrat e Saukut, e cila është një zonë jo urbane kryesisht e lirë nga ndërtimet, ose me ndërtime individuale të pa urbanizuara. Nga studimet e kryera, rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë makina në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur rritjen e vazhdueshme të trafikut, kjo rrugë parashikohet që në vitin 2015 të përballojë një trafik prej 38 mijë makinash në ditë. Projekti i rrugës, sipas rekomandimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është dhe financuesja e realizimit të tij, ka pasur konsulencën e përhershme të ekspertëve austriakë të firmës “Bernard & Brenner”. Në të janë parashikuar të gjithë elementët e domosdoshëm për një rrugë të standardeve më moderne, deri në detajet më të hollësishme. Gjithashtu janë parashikuar masat që do të merren për të zvogëluar ndikimin që do të ketë rruga në mjedis, veçanërisht në pjesën ku rruga kalon afër Parkut të Madh të Tiranës, në mënyrë që të ruhet sa më shumë të jetë e mundur prekja e elementeve të parkut.

Sipërfaqet, të cilat do të shpronësohen
Përgjatë kilometrit të parë nga pika e nisjes në Rrugën e Kavajës, rruga kryqëzohet me një zonë mjaft të dendur banimi me banesa njëkatëshe informale dhe struktura më të vogla. Shumica - nëse jo të gjitha - prej këtyre banesave janë pa tituj pronësie. Krahas kësaj, rruga do të prekë mure rrethuese apo oborre të përparme të shtëpive, por pa prekur vetë shtëpitë. Më tutje, korridori në përgjithësi është pa ndërtesa të dukshme deri tek liqeni, por disa struktura e shkelin atë pjesërisht, duke përfshirë një godinë banimi 7-katëshe, ndërtuar kohët e fundit dhe një fushë lojërash të një shkolle private (kolegji “Kristal”). Nga ky kolegj deri tek liqeni në afërsisht km 2+300, rruga kalon përmes rrjetit ekzistues të ndërtesave shumëkatëshe dhe pastaj përmes Kopshtit Botanik derisa arrin zonën e liqenit dhe Kopshtit Zoologjik. Në këtë zonë mund të preken vetëm pak struktura të vogla jorezidenciale dhe të paligjshme. Duke filluar nga liqeni, aksi i rrugës prek zonën e poshtme të Kopshtit Zoologjik (portën, murin rrethues dhe pellgun çlodhës), më pas shkon përmes një zhvillimi ndërtesash shumëkatëshe (në jug të aksit të rrugës), duke prekur struktura ndihmëse (mure rrethuese dhe ndërtesa shërbimi të parëndësishme) brenda bashkimeve të dy fasiliteteve çlodhëse komerciale (motel, bar). Pastaj rruga arrin në një zonë bujqësore. Në komunitetin e Saukut, në fund të rrugës pranë Rrugës së Elbasanit, rruga pritet me një zonë periferike me ndërtesa banimi të ngritura kohët e fundit. Në pjesën më të madhe, rruga kalon përmes luginës ku ndodhet liqeni i Tiranës. Në drejtim të Rrugës së Elbasanit ajo mbërrin në zonën kodrinore që rrethon Tiranën në jug. Lumi i Lanës në pjesën e tij në veri të Rrugës së Kavajës, i cili është vlerësuar se ka potencial të lartë ekologjik me bimësi të zhvilluar në brigjet e tij, por cilësia e tij është prishur nga hedhjet e paligjshme të mbeturinave inerte dhe derdhja e plehrave dhe ujërave të kanalizimeve, është plotësisht i kanalizuar përgjatë Unazës së Mesme të Tiranës. Nga projekti mund të preken një numër i përgjithshëm prej 257 strukturash, 216 nga të cilat janë private dhe 36 publike (plus 5 të tjera të paidentifikuara). Rreth dy të tretat e strukturave të prekura janë pa tituj pronësie. Shumica (gati 80%) e strukturave të prekura ndodhen në pjesën midis Rrugës së Kavajës dhe Kopshtit Zoologjik. Shumica e strukturave të prekura (gati 80%) janë banesa. Është përllogaritur se preken fizikisht gjithsej 262 individë (që duhet të zhvendosen si rezultat i projektit). Nga pika e fillimit të Unazës së Madhe tek Rruga e Kavajës deri tek Kopshti Zoologjik, vetëm pjesa më afër Rrugës së Kavajës ka godina banimi si edhe disa baraka të përdorura si banesë dhe disa kioska dhe struktura tregtare. Këto baraka janë ndërtuar brenda korridorit të unazës. Ato banohen nga anëtarë të komunitetit rom (mund të preken afro 120 individë që i përkasin këtij komuniteti). Në Sauk, tek kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, preken kryesisht vila (shtëpi dykatëshe).

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›