Interesat e borxheve, qeveria paguan këtë vit 36 miliardë lekë
Borxhet e mëdha dhe interesat e tyre gjithmonë në rritje, që qeveritë shqiptare kanë marrë nga organizmat financiarë ndërkombëtarë, rrezikojnë ta “hedhin në erë” zbatimin e buxhetit të shtetit në vitin 2009. Fatura e kostos së borxhit, që jo vetëm kjo qeveri por dhe paraardhëset e saj kanë marrë për të financuar shpenzimet publike, po vjen duke u rënduar nga viti në vit. Në buxhetin e shtetit të vitit 2009, qeveria ka vënë në dispozicion për të paguar interesat e borxhit publik më shumë se 36 miliardë lekë, ose mbi 360 milionë dollarë. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo shifër është rreth 3.5 miliardë lekë, ose mbi 35 milionë dollarë më e madhe. Krahasuar me vitin 2005, shpenzimet për koston e borxhit janë rreth 7 miliardë lekë, ose 70 milionë dollarë më të larta. Pjesa dërrmuese e këtyre interesave do të shkojnë në llogari të bankave tregtare në vend, të cilat do të përfitojnë këtë vit nga qeveria 31.4 miliardë lekë, ose 315 milionë dollarë. Ndërsa pjesa e mbetur prej 42 milionë dollarësh janë interesa për borxhin e jashtëm. Kostoja e borxhit është në rritje këtë vit edhe në raport me prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave, që tashmë ka marrë edhe miratimin në qeveri, parashikon që këtë vit shpenzimet për interesa do të jenë 3.1 për qind e Produktit Kombëtar nga 3 për qind që ishin në vitin 2008.
Studimi i "Moody‘s": "Shqipëria, me borxh të lartë dhe pak të ardhura në 2008-n”
Institucioni financiar ndërkombëtar, "Moody‘s", ka bërë vlerësimin e radhës për vitin 2008 përsa u takon aftësive paguese për kreditë dhe stabilitetin financiar të Shqipërisë. Raporti është publikuar këto ditë në një kohë kur qeveria po planifikon të marrë kredi tregtare në nivele prej 250 milionë eurosh. Sipas raportit, Shqipëria vlerësohet me "B1", aq sa ishte edhe në vitin 2007, por me një ndryshim, duke shtuar edhe termin "e qëndrueshme". Rezultati "B1" është një term teknik në botën e financave, kur maksimalja është "A111", që tregon aftësinë e një vendi për të shlyer kredi dhe qëndrueshmërinë e tij në financat publike. Hartuesi i këtij raporti, Joan Feldbaum-Vidra, tha: "Vlerësimi për Shqipërinë u mor duke pasur parasysh disa faktorë, siç janë niveli i të ardhurave, borxhi i jashtëm dhe tregtia e jashtme". Sipas tij, Shqipëria ka nivel të lartë borxhi dhe njëkohësisht të ardhura të pakta, falë punës jo të mirë të bërë nga administrata tatimore. Po ashtu, llogaria korrente, e cila paraqitet tepër negative, si dhe problemi i pronave, bënë të mundur dhënien e një vlerësimi jo fort pozitiv. Pavarësisht kësaj, autori i raportit shton se karakteri i ekonomisë shqiptare nuk do të lejojë zgjerimin e rënies të GDP-së.
31 Janar 2009