E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në emër të djalit, të vajzës, Lulit, dhe Fatmirit…

Nga Mero Baze

Doganat shqiptare kanë hequr nga programi i tyre kompjuterik naftën D2 duke shkelur ligjin, me qëllim që të pengojnë çdo importues tjetër nafte ta sjellë atë në Shqipëri, duke lënë prodhues dhe shitës të vetëm Rezart Taçin, pronarin e ri të ARMO-s. Ky fakt, i cili është ende larg veshëve dhe syve të qytetarëve shqiptarë, do të ndjehet pak nga pak me kalimin e ditëve, kur makinat shqiptare, në vend të naftës normale, do të kenë vetëm naftë Ballshi, të tregtuar dhe përzier me naftën tjetër nga Rezart Taçi, me një përqindje të tillë squfuri, që është e patolerueshme për çdo qenie të gjallë. Për t’ua bërë më të qartë qytetarëve shqiptarë këtë problem duhet të shpjegojmë si ka ndodhur kjo histori. Rezart Taçi vendosi të privatizojë ARMO-n me ndihmën e familjes Berisha, pa pasur asnjë qindarkë në xhep. Atëherë, nën këshillat e studios ligjore të vajzës së Sali Berishës u formua një konsorcium fals, ku pjesëtarë të saj ishin: një agjente e Rezart Taçit në Zvicër, një kompani fantazmë nga SHBA me pesë punëtorë, dhe zemra reale e konsorciumit, kompania “Mercuria Investment” me bazë në Limasol të Qipros. Kjo e fundit është një përfaqësi e prodhuar nga familja Berisha përmes disa transaksioneve të Damir Fazlliçit në Qipro. Duke qenë kompani anonime, dhe duke ardhur me bazë nga Qipro, ruhet deri në fund anonimati i pronarëve të vërtetë të kësaj kompanie, që realisht të çojnë te familja Berisha. Kjo kompani, e cila hyri me dhjetë për qind, i ngriti kuotat menjëherë në 25 për qind, pasi u sigurua se tenderi u fitua. Pas kësaj konsorciumi i Berishës u transformua dhe në krye të tij u shfaq partneri i vërtetë i familjes Berisha, Rezart Taçi. Ky i fundit, edhe pse ishte akuzuar dikur nga Berisha si trafikant i madh nafte, arriti të depërtonte në familje, duke çuar gruan e tij si bamirëse te fondacioni i Liri Berishës dhe vetë duke shkuar te studioja e Argita Berishës. Pasi siguroi blerjen e ARMO-s, Taçi dhe familja Berisha ndryshuan kushtet e tenderit. Në muajin korrik qeveria vendosi që i vetmi subjekt që kishte të drejtë të tregtonte naftë D2 në Shqipëri ishte ARMO, duke ndryshuar kështu rregullat për të cilat ishte konkurruar në tender pas përfundimit të tenderit. Mjafton kaq që ministri Ruli të shkojë për ndjekje penale në prokurori për shkelje të barazisë dhe shanseve të barabarta në tender. Vendimi i qeverisë, i cili i jep Rezart Taçit ekskluzivitetin e një produkti në treg, përveçse shkel konventat ndërkombëtare të Shqipërisë me OBT dhe angazhimet e Shqipërisë me MSA, dhunon tregun shqiptar dhe iu dikton qytetarëve shqiptarë të djegin në makinat e tyre ilegalisht naftë Ballshi nga Rezart Taçi me një përqindje vdekjeprurëse squfuri, e cila nuk duhet të tregtohet kurrë pa u rafinuar në rafineri jashtë Shqipërisë që kanë standarde të pranueshme të nivelit të squfurit.

Ky privilegj që iu dha Rezart Taçit, u pasua me një manovër në akcizën e naftës që shet ARMO, duke e ulur atë me 100 lekë të vjetra për litër, dhe tashmë tregu i naftës thuajse ka vdekur. I vetmi që është në treg me privilegje të ligjëruara nga kryeministri dhe ministri i Ekonomisë është Rezart Taçi. Nën sigurinë e këtyre privilegjeve, banka familjare e Sali Berishës, “Credins”, i ka xhiruar 87 milionë euro për të blerë ARMO-n, pa pasur ende një kontratë kredie publike me të, çka do të thotë që është bërë një transaksion i dyshimtë, i cili po ashtu mund të hetohet për pastrim parash. Gjithë ky mekanizëm mafioz, kryeministri Sali Berisha dhe familjarët e tij, ka marrë vulën dhe firmën e ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, që me sa duket nuk është më i lirë të jetë një ministër i hapur, transparent dhe të respektojë rregullat e tregut, por është kthyer në një noter të bizneseve dhe licencave të familjes Berisha. Ishte mekanizmi kriminal dhe jo-transparent i rrëmbimit të ARMO-s nga familjarët e Berishës, që çoi në deformimin e rregullave të tregut, në gënjeshtrën e madhe të pagimit të parave nga njerëz që s’kishin lekë për të paguar as mësues të një shkolle private, që çoi në krijimin e një mekanizmi të ri mafioz që shtrembëron tregun e naftës dhe falimenton aktorët e tjerë konkurrentë të Rezart Taçit. Te mungesa e parave për të paguar ARMO-n dhe te nevoja për ta blerë atë vetë me firma fantazmë, të regjistruara në Qipro, qëndron praktikisht detyrimi i Sali Berishës për të shkatërruar lirinë ekonomike në vend dhe për t’iu mbyllur derën bizneseve që i bien tashmë në qafë ortakut të familjes së tij, Rezart Taçi. Në mos për asgjë, Sali Berisha do të mbahet mend si kryeministri i parë dhe urojmë i fundit që futi në Shqipëri modelin e firmave anonime, të regjistruara në Qipro, për të mos u marrë vesh kurrë, nëse është djali, vajza apo Fazlliçi pronari real.

Dhe njësoj si për ARMO-n është vepruar dhe për INSIG. Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes, i dorëhequr pas tragjedisë së Gërdecit, qëndron praktikisht pas privatizimit brenda natës të INSIG. Kompania amerikane me bazë në Dallas është thjesht Jimi. Për të gjithë ata që e njohin sado pak Fatmir Mediun, nuk është asgjë tjetër veçse miku, kumbari, biznesmeni dhe njeriu që Fatmir Mediu ka 15 vjet që ta lakon emrin e tij, në çdo tavolinë sa herë që të duhet të bisedosh me të. Privatizimi jotransparent, prapa të cilit qëndron Fatmir Mediu, njësoj si në rastin e ARMO-s, është një mekanizëm për të kompensuar njeriun që po sakrifikon për të zënë në gojë emrin e djalit të Sali Berishës në Gërdec. Llokma që i mbyll gojën në këtë rast Fatmir Mediut është INSIG. Ilirian Celibashi, kunati i tij, drejtoi deri në fund procedurën e privatizimit dhe tashmë që gjithçka mbaroi, po bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë. Në fakt, ka ndodhur e njëjta gjë si me ARMO-n. INSIG është shitur për 25 milionë euro, ndërkohë që ka shumë herë më tepër kapitale në inventarin e vet dhe blerësi është dikush tërësisht jo-prestigjioz, por mbi të gjitha blerësi real është njeriu i Gërdecit. Shpërndarja e pasurive të Shqipërisë për të mbyllur gojë dhe plagë që i kullojnë Familjes Berisha është një përfundim logjik i degradimit të pushtetit dhe futjes së Familjes Berisha në spiralen e pakthyeshme të korrupsionit. Tanimë, ne do të vuajmë mungesën e lirisë ekonomike, mungesën e konkurrencës, mungesën e shtetit ligjor, mungesën e lirisë së medies dhe mungesën e tregut të lirë, pasi mekanizmat shtetërorë do ta shtrembërojnë atë, për hir të djalit, të vajzës, të Lulit, të Fatmirit dhe gjithë atyre që sillen si hiena rreth kraterit vdekjeprurës të Gërdecit, hiri i të cilit duket se do të na shoqërojë gjatë duke pluhurosur çdo liri dhe të drejtë të qytetarëve të tjerë në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›