"Krediti", Barroso shpreh keqardhje për Portugalinë

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, shprehu shqetësimin ndaj vendimit të djeshëm të firmës "Moody Investors Service" për të ulur vlerësimin e kreditit të Portugalisë.
Dy muaj më parë, Portugalia mori një paketë ndihme me vlerë më shumë se 100 miliard dollarë, por sipas raportite të "Moody Investors" vendit do të duhet një paketë e dytë. Duke folur në Strasburg, Barroso tha se Portugalia ka filluar një program ndryshimesh dhe se do të varet nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për të garantuar se vendi do të përmbushë kërkesat e këtij programi.
Ndërkohë ministri portugez i Financave, Vítor Gaspar, tha dje se "Moody Investors" nuk kishte marrë parasysh masat e reja shtrënguese apo mbështetjen politike në Portugali për disiplinën fiskale. Portugalia zë më pak se dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto të eurozonës. Por ekonomia e saj shihet si vendimtare për eurozonën dhe për forcën e euros.
Portugalia i bashkohet Greqisë, Irlandës, dhe Spanjës, në përpjekjet për të dalë nga borxhet e mëdha që po rrënojnë ekonomitë e tyre kombëtare.