Protesta e minatorëve, METE: Të nisë dialogu mes palëve
Ministria e Ekonomisë ka reaguar sot në lidhje me protestën e minatorëve të Bulqizës. Në një konferencë për shtyp këshilltari i ministrit Nasip Naço, Ervis Mëhilli ka deklarur se ministria po zhvillon kontrolle në lidhje me firmën ACR e cila zhvillon aktivitetin mineral në minierën e Bulqizës.
Ministri i METE, Nasip Naço ka ngritur një grup pune për vlerësimin e aktivitetit mineral të shoqërisë ACR. Ky kontroll që përfshin aktivitetin për periudhën 2010-2011 dhe në përfundim të këtij kontrolli do të hartohet raporti përmbledhës” theksoi Mëhilli ndërsa shtoi do të publikojë më pas edhe vlerësimet dhe masat nga ky kontroll.
Gjithashtu ai u shpreh se përfaqësues të ministrisë do të zhvillojnë nesër një takim me të gjitha palët ku do të informohet me kërkesat dhe pretendimet e tyre ndërsa shtoi se Ministria e Ekonomisë ka inkurajuar të gjitha palët të nisin dialogun për zgjidhjen e situatës së krijuar.
Ndërkohë minatorët e minierës së Bulqizës që prej tre ditësh ndodhen në protestë duke kërkuar kushte më të mira pune si dhe rritje të rrogave.