E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditimi me i lehte per ndermarrjet e medha

Kërkesa e bizneseve për kredi është përmirësuar disi në tremujorin e katërt të vitit 2011, duke premtuar për investime të reja në muajt e parë të këtij viti.
Një konkluzion i tillë nënvizohet në raportin e fundit monetar të Bankës së Shqipërisë, kur ndër të tjera vlerësohet se standardet e dhënies së kredive janë shtrënguar. Shtrëngimi pritet të ndikojë më tepër në  kredinë e dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme se sa në kredinë për ndërmarrjet e mëdha. Kjo ndodh për shkak të projekteve të munguara serioze që paraqesin bizneset e kësaj kategorie, që në fakt kanë edhe numrin më të madh të punonjësve. Në lidhje me këtë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka deklaruar më parë se bankat kanë likuditete për të dhënë kredi, por bizneset duhet të paraqesin projekte sa më të besueshme, të cilat nevojitet të mbështeten me kredi. Kjo gjë nuk ndodh me ndërmarrjet e mëdha, të cilat e kanë më të lehtë për të marrë një kredi. Bankat janë bërë më dorë shtrënguara për kreditimin, nisur nga rritja e nivelit të kredive.
Ndërkaq, në tremujorin e katërt të vitit 2011 standardet e kredisë për individët kanë mbetur të pandryshuara si për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore. Faktorët që dhanë kontribut në kahun lehtësues të standardeve të kredisë dhënë individëve janë niveli i konkurrencës dhe gjendja e likuiditetit. Rënia e kërkesës nga individët, është regjistruar vetëm për kredinë për blerje banese, pasi kërkesa për kredinë konsumatore ka regjistruar rritje.
Bankat në përgjithësi nuk presin ndryshime të ndjeshme të standardeve për kredinë dhënë individëve, në tremujorin e parë të vitit 2012, duke mos vijuar të shtrëngohen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›