E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te dhenat e Bankes se Shqiperise rriten qirate e banesave

Rritet kërkesa për të marrë me qira një banesë dhe bie kërkesa për të blerë një të tillë. Kjo konstatohet në të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave në tre muajt e fundit të vitit 2011, çmimet e banesave që jepen me qira janë rritur së tepërmi. Një e tillë përkon edhe me rritjen e kërkesës së studentëve për t’u sistemuar në banesa private.
Në kahë të kundërt, çmimet e shitjes së apartamenteve kanë filluar të bien krahasuar me çmimin e qirasë së tyre. Në bazë të të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i indeksit të çmimeve dhe të qirasë shënoi vlerën 20% më i ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe rreth 9.2% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Prej disa kohësh çmimet e apartamenteve pësonin një rritje galopante në krahasim me rritjen që pësonte çmimi i qirasë së tyre. Aktualisht, duket se tregu i shitjes se banseave është në stanjacion, ku prej disa kohësh numërohen mijëra apartamente të pashitura.
Në tremujorin e tretë të vitit 2011, treguesi i besimit në ndërtim rezultoi lehtësisht më i përmirësuar krahasuar me një tremujor më parë, si rrjedhim i porosive dhe kërkesës më pozitive në këtë sektor. Megjithatë, tkurrja e të ardhurave të mbledhura nga TVSH-ja gjatë tremujorit të tretë dhe miratimi i një numri më të ulët lejesh ndërtimi gjatë tremujorit të dytë, sugjerojnë se ecuria e sektorit ndërtues vijon të mbetet e ngadaltë edhe në gjysmën e dytë të vitit 2011. Në këtë linjë janë edhe rezultatet e vrojtimeve, sipas të cilave bizneset shprehen pesimiste lidhur me ecurinë e ndërtimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›