Krejt të kënaqur
Çfarë viti pati teatri Kombëtar i Kosovës? Sa shfaqje dhe sa publik mblodhi gjatë këtij viti kalendarik? Cilat ishin festivalet më të mëdha të teatrit dhe filmit për këtë vit?
Teatri Kombëtar i Kosovës
Teatri dhe filmi, gjatë vitit 2010, duket ta kenë pasur një vit të suksesit, krahasuar me vitet e kaluara, sipas disa drejtuesve të institucioneve në fjalë. Kjo vlen edhe për interesimin e publikut, i cili ishte më i madh këtë vit, kush më shumë për film e kush për teatër.
Teatri Kombëtar i Kosovës këtë vit ka sjellë gjashtë premiera: “Macja mbi çatinë e nxehtë”, të regjisorit Florent Mehmeti; “Më afër”, të Kushtrim Koliçit; “Beselam pse më flijojnë”, të Fatos Berishës; premiera e katërt ka ardhur nga koproduksioni në mes të Shqipërisë-Maqedonisë dhe Kosovës “Peer Gynt”, të regjisorit Slobodan Umkovski. Teatri ka vazhduar bashkëpunimin për të sjellë në skenë shfaqjen “Heshtje”, të regjisores Arta Kallaba, derisa viti 2010 është përmbyllur me shfaqjen “Lidhje gjaku” të regjisorit, Fadil Hysaj. Sipas Drejtoreshës së TKK-së, në teatër vazhdojnë provat intensive për të sjellë premierën e shfaqjes “Rock’n’rol”, në regji të Dino Mustafiq, shfaqje kjo e cila vjen premierë me 12 janar të vitit 2011 dhe hyn në buxhetin e vitit 2010 dhe 2011.
Gjatë vitit 2010, teatri ka ripërtërirë dy kontrata me shfaqjet “Vdekja dhe vasha”, të regjisorit Fatos Berisha dhe “Çifti Martin”, të regjisorit Bekim Lumi.
Sipas Berishës, shfaqja e cila ka pasur një jetë pak më të shkurtër dhe ka qenë më e hovshme me publikë ka qenë shfaqja “Heshtje”. Gjithashtu kanë qenë mjaft të shikuara shfaqjet “Beselam pse më flijojnë” dhe shfaqja “Më afër”, e regjisorit Kushtrim Koliqi, kjo e fundit, është reprizuar më së shumti rreth 14 herë dhe mbetet shfaqja me shikueshmërinë më të madhe gjatë vitit që e lëmë pas. Ndonëse “Heshtja” në gjashtë reprizat e saj ka mbledhur shikueshmëri rekord.
“Unë mendoj që interesimin për shikueshmëri e kanë zgjuar të gjitha shfaqjet në një mënyrë ose tjetër, secila prej tyre ka qenë atraktive në formën e vet, nuk mund ta veçoj asnjërën më pak ose më shumë. E veçanta e këtij viti, mund të them që ka qenë, një nunër rekord i regjisorëve vendas, ndoshta asnjë vit më herët nuk kemi punuar më shumë me regjisor vendas dhe të cilët i takojnë, gjeneratës apo brezit të mesëm dhe të rinj, mendoj që kanë bërë një punë të shkëlqyeshme”, u shpreh Berisha.
Përveç shfaqjeve, TKK-ja ka pasur edhe forma tjera të komunikimit me publikun, që ndoshta edhe kanë zgjuar debate, ngaqë kanë ndikuar drejtpërdrejt në mos reprizimin e bollshëm të shfaqjeve me publikun, foajea e TKK-së shpeshherë ka shërbyer edhe për artistët vizual dhe evenimente tjera artistike.
Sipas Berishës, shikueshmëria këtë vit nuk ka lëvizur shumë duke e krahasuar me vitet e kaluara, ndonëse me përqindje mund të jetë një ngritje e vogël.
“Kemi pasur disa aktivitete tjera të cilat pak a shumë kanë ndikuar në reprizat e shfaqjeve tona, vitin e ardhëm do të jemi më të kujdesshëm Edhe pse unë mendoj që ato aktivitete që kanë qenë në TKK, janë në një mënyrë aktivitete që i shërbejnë për të mirë këtij shteti, siç është festivali “PriFilmFest” , “Skena Up”, “KosovaInFest”, festivali “Dam” etj, shërbejnë dhe për njoftimin dhe shkëmbimin e përvojave. Nuk i numëroj si të dëmshme por gjithsesi do të jemi më të kujdesshëm vitin e ardhëm që ti japim më shumë hapësirë prodhimtarisë së shfaqjeve dhe prurjeve të reja” u shpreh Berisha.
Ndërsa Drejtori artistik i TKK-së Jeton Neziraj, shprehet ndryshe, për shikueshmërinë e vitit që e lëmë pas, por edhe për ndikimin e aktiviteteve tjera në teatër. “Të dhënat e sakta rreth shikueshmërisë nuk i disponoj, megjithatë, duke u bazuar në numrin e reprizave që kemi pas mund të konkludoj se ky vit ka qenë më i zbehtë se viti 2009. Sivjet, p.sh. muajt maj, shtator dhe tetor kanë qenë me nga dy apo tri repriza të shfaqjeve, ndërkohë që të njëjtit muaj në vitin 2009 kanë qenë me rreth 20 repriza... Dhe kjo për faktin që sivjet teatri ka qenë shumë më i zënë me aktivitete të jashtme jo-teatrore... Dhe, shfrytëzimi i teatrit për aktivitete të jashtme sivjet ka qenë pika më problematike e funksionimit të teatrit. Shpresoj që kjo do të evitohet në vitin që po vjen”, u shpreh Neziraj
Berisha ndalet të nënvizojë vizitat e shumta të TKK-së jashtë Kosovës nëpër festivalet ndërkombëtare. Ajo ndihet mirë me faktin që këtë vit përveç pjesëmarrjes nuk janë kthyer duar thatë. “Mashtruesit” ishte shfaqja e cila mori pjesë në Zagreb, ndërsa u kthye me çmimin “Mesazh human”.
Gjithashtu në Festivalin Apolon, aktorja, Yllka Gashi me shfaqjen “Vdekja dhe vasha” mori çmimin për aktoren më të mirë në festivalin “KosovaInFest”, Shkumbin Istrefi është shpërblyer për aktorin më të mirë ndërsa Fatos Berisha për regjisorin më të mirë, këto dhe tjera kanë qenë disa nga sukseset e TKK-së.
Nuk ndalet së përmenduri shfaqjen “Çifti Martin”, e cila ka marrë pjesë në qytetin Leipzig të Gjermanisë, dhe sipas saj negociatat vazhdojnë edhe me festivalet tjera, që në të ardhmen, të jenë pjesë e tyre këto dy shfaqje “Çifti Martin” dhe “Vdekja dhe vasha”.
“Dihet se në Evropë është në krizë teatri dhe shumica kërkojnë shfaqje sa më intime dhe ekonomike, por këto dy shfaqje përveç tjerash kanë edhe vlera tjera artistike jo vetëm atë pjesën e intimitetit dhe atë ekonomike”, u shpreh Berisha.
TKK-ja ka pritur edhe shfaqje mysafire, një nga ato më të kushtueshmet dhe jo lehtë e përballueshme konsiderohet të jetë shfaqja “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të regjisorit Dino Mustafiq.
Përfundimisht Burbuqe Berisha është ndarë e kënaqur me sukseset e këtij viti.
“Unë jam natyrë që nuk jam kurrë e kënaqur me punën që e bëjë por jam ndarë shumë e kënaqur këtë vit. Unë jam e kënaqur në një mënyrë për suksesin që e ka arritur TKK-ja duke e marrë para sysh që në krahasim me rajonin kemi një buxhet qesharak, një staf shumë intim, i cili mban dy institucione ne dhe baletin, nëse kthehemi dhe e shohim, atëherë brenda TKK-së kanë qenë 11 premiera, me ato 4 të baletit.. D.m.th çdo muaj kemi pasur një promovim të një performance artistike. Edhe pse baleti qëndron i ndarë me buxhet dhe me stafin artistik, por me stafin teknik jemi të përbashkët. Është një punë e madhe që vështirë mund të arrihet në teatrot në regjion, nëse kemi pasur kontakte me teatrot regjionale, ka qenë e çuditshme, se si mund të arrihet një teatër i tillë që thuajse është e ka stafin më të vogël në regjion, mundësit i ka minimale, dhe të arrij të ketë aq shumë prodhimtari dhe suksese, kështu që jam e kënaqur” u shpreh Berisha.
Për të demantuar se Festivali “PriFilmFest” nuk ka qenë në dëm të TKK-së, festival ky i cili aktivitetet e tija ka ushtruar në TKK dhe Kino ABC, drejtori artistik i festivalit Fatos Berisha thotë: “Shumica e festivaleve evropiane përdorin teatrin si qendër kryesore të ngjarjeve”.
Viti 2010 i TKK-së është përmbyllur me promovimin e pesë dramave që janë botuar, të konkursit “Katarina Josipi”.
PriFilmFest
Burbuqe Berisha, për suksesin e edicionit të vitit 2010 të festivalit “PriFilmFest”, thotë që më së miri e dinë publiku dhe e kanë thënë edhe mediat.
“Ajo qe kemi bërë ne, është se me kushte minimale kemi bërë organizim profesional te nivelit ndërkombëtar. Dhe ketë do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Prurjet kanë qenë të shumta në edicionin e dytë, si për nga numri i filmave, kualiteti më i lartë i mundshëm i tyre, dhe ndoshta me e rëndësishmja mysafiret e nivelit te lartë nga bota e filmit. E dini, te sjellësh një film në Kosovë nëse ke mjete financiare nuk është e vështirë, por të sjellsh mysafirët (sidomos ata te nivelit botëror) është ajo që dallon festivalet. Ata nuk i sjellin mjetet por profesionalizmi, kontaktet, komunikimi dhe fjala e mirë qe vjen nga mysafiret e edicionit të kaluar”, u shpreh Fatos Berisha, drejtor artistik i festivalit.
Skena UP
Edhe Arben Zharku, drejtor i festivalit “Skena Up” mendon që festivali i tij por edhe festivalet tjera, janë shumë të favorshme për teatrin, “sepse e rrisin kualitetin dhe mendoj që i nxisin njerëzit të punojnë më shumë, është e favorshme për TKK-në dhe Kino ABC sepse iu vije një program shumë i mirë dhe kanë çka t’ju dhurojnë publikut” u shpreh Zharku.
Ndërsa për edicionin e vitit 2010 të “Skenës Up”, Zharku thotë që ka qenë më i miri. “Nga viti në vit ‘Skena up’ edhe programi i tij është rritur, këtë vit e kemi pasur programin më të mirë ndonjëherë që e kemi pasur, kjo mandej ka ndikuar edhe në interesimin e publikut dhe kritikat që i kemi marrë nga ekspert të ndryshëm të filmit dhe të teatrit. Këtë vit shikueshmëria ka qenë shumë më e madhe, duke u krahasuar me vitet e kaluara, në tri teatrot dhe në Kino ABC”, u shpreh ai.
Kino ABC
E vetmja Kinema e cila funksionon në Prishtinë, Kino ABC, konsideron që vitin 2010, njëherit dhe vitin e dhjetë me radhë të punës së tyre, e përmbyllin me sukses. Këtë vit numri i përgjithshëm i shikueshmërisë së Kino ABC ka qenë rreth 35.000, përfshirë numrin e shikuesve në repertor të rregullt dhe numrin e shikuesve gjatë javëve dhe festivaleve.. “Ky vit përmbyllet me shtimin e numrit të shikuesve, krahasuar me disa vite të kaluara, për faktin se Kompania ‘Genci’ ka sjellë brenda këtyre muajve mbi 20
premiera botërore dhe të paktën 3 të tjera shqiptare. Këtyre numrave mund t’u
shtohen edhe Javët e Filmit Gjerman dhe Francez, që janë shndërruar në ngjarjet
më të rëndësishme kinematografike nga fundi i secilit vit” u shpreh Miradije Vllahiu, menaxhere e Kino ABC.
Sipas Vllahiut, shënimi i dhjetë vetorit (24 maj 2010) të një pune mjaft të suksesshme por edhe sfiduese të Kinemasë ABC, ka shënuar një prej ngjarjeve me te rëndësishme..
Nga gjithë ato premiera botërore, filmi më i shikuar i këtij viti në Kino ABC, është filmi “SALT” me rreth 4000 shikues, i dyti me shikueshmëri, është “ROBIN HOOD” rreth 3500 shikues dhe në vendin e tretë është filmi “SHREK: FOREVER AFTER”, rreth 2000 shikues.
Vllahiu shprehet se Kino ABC, vitin 2010, do ta kujtoj edhe për një trishtim të madh, për humbjen e madhe që ka përjetuar kinematografia në përgjithësi botërore, me vdekjen e aktorit dhe njeriut të madh, Bekim Fehmiu.
“Kinemaja ABC ka qenë pjesë e jetës së tij dhe ne do ta përkujtojmë, çdo vit, me shumë nderime njeriun tonë, Bekim Fehmiun. Gjithashtu këtë dhjetëvjetësh do ta kujtojmë për forcimin dhe ndonjëherë edhe dobësimin e lidhjeve tona me shikuesin, një hallkë shumë të rëndësishme të punës sonë”, u shpreh ajo.