Kremtohet /Dita e Ujit të Bekuar
Çdo 6 janar ortodoksë e të krishterë në mbarë botën kremtojnë Ditën e Ujit të Bekuar. Kjo ngjarje e shënuar në kalendarin e tyre e ka zanafillën mijëra vjet më parë, kur Jezu Krishti u pagëzua në ujërat e lumit Jordan. Për ketë arsye ujërat çdo 6 janar konsiderohen të bekuar. Kisha Ortodokse në vendin tonë ka kryer ritualin e përvitshëm, ku në çdo qytet është hedhur kryqi në ujë. Sivjet, Kryepeshkopi Anastas Janullatos vendoi që meshën në këtë ditë të shënuar ta mbajë në Tiranë. Pas ritualit të hedhjes së kryqit qindra besimtarë morën ujë të bekuar që sipas tyre është i veçantë dhe sjell mbarësi për ta. Ashtu siç është bërë traditë edhe në Korçë, Berat, Durrës e Gjirokastër kryqi është hedhur në ujë. Sipas ritit, për të marrë kryqin duhet të futen në ujë të rinj meshkuj dhe ai që e merr i pari, konsiderohet i bekuar dhe me mbarësi për këtë vit. Ndryshe nga 3 vjet më parë kryqin në Berat ka arritur ta marrë një i ri ortodoks.