E Diel, 1 Nëntor 2026

Kremtohet 15 vjetori i emisionit “Opinion”, i gazetarit Blendi Fevziu

11-09-2012 / Gazeta 55

Në një ceremoni mbresëlënëse, në mjediset e Televizionit Klan, është kremtuar dje 15 vjetori i emisionit më të spikatur të debatit politik, emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut. Në jubileun e emisionit, kanë nderuar me praninë e tyre edhe presidenti Nishani e kryeministri Sali Berisha

Sot pas 15 vitesh pakkush mund ta besojë që emisioni i parë dhe më i ndjekur i debatit politik, por dhe i çështjeve më të nxehta të aktualitetit, nisi 31 Gushtit e vitit 1997 në Televizionin Publik Shqiptar pa asnjë plan dhe ide se sa do të mund të vazhdonte. E tillë ishte atmosfera në vitin e vështirë të shqiptarëve kur në çdo moment gazetari Blendi Fevziu ishte përballë mundësisë së mbylljes të së Dielës Debat. “E diela debat” e fundit në TVSH ishte më 6 shtator 1998, me të ftuar Azem Hajdarin, vrasja e të cilit 6 ditë më pas dhe ngjarjet e 14 shtatorit e bënë të pamundur vijimin më tej të emisionit në TVSH, Por vetëm tre javë do të duheshin që pas TVSH të gjente ekranin e vet dhe ai ishte Tv Klan, 57 ditë pasi ky televizion kishte nisur transmetimet informative dhe edicionet e lajmeve, por për të vijuar deri në përvjetorin e tij të 15-të.
Protagonistët e politikës, medias, shoqërisë civile, të ftuar të huaj, miq të Shqipërisë kanë dominuar me prezencën e tyre në studion e Blendi Fevziut, por edhe jashtë saj. Në formën e dokumentarit emisioni nisi të zhvillohej së pari në 1999 tek familja Mbretërore në Johanesburg të Afrikës së Jugut dhe me një interviste me mbretëreshën Geraldinë. Formati me intervista i opinionit vijoi dhe Rrëfimet më të rëndësishme përmblodhën në botimin e 2010-ës me titullin “Jeta ime, intervistë me Blendi Fevziun”
Që nga viti 2006 intervistat do të transmetoheshin në “Opinion plus”, dhe që nga shtatori i 2008-ës, vijoi “Opinioni” i çdo darke deri të enjten, e cila vijon të jetë kurora e debatit politik. Por jo vetëm politika ka siguruar audiencë të pabesueshme, një sërë ngjarjesh që ndodh të rrotullohen rreth saj; e kanë bërë këtë dokumentari për Enver Hoxhën, video e ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango, apo video-përgjimi mes Dritan Piftit dhe Leonard Beqirajt. Kamera e “Opinion” u bë e para që hyri në Kosovë, gjatë vitit të luftës për çlirimin e saj në 1999. për t’u pasuar më pas me emisionet mbi luftën e Maqedonisë, Afganistanit apo Irakut dhe ngjarje si ajo e Gërdecit.
Jo vetëm dokumentarë, por edhe dosjet që nga 2004. Më 2006-ën u bë debati i parë i hapur me gazetarë, i kryeministrit Berisha e më pas edhe me liderë të tjerë të politikës.
Në nisje të sezonit të 16-të të emisionit “OPINION”, i cili startoi mbrëmë në orën 22.30, me një dokumentar, i cili sjell një përmbledhje të më të mirave në 15 vitet e fundit, në ambientet e TV klan, më 18:30 minuta një ceremoni me rreth 400 të ftuar, mes të cilëve personalitete më të rëndësishëm në vend. I pranishëm në këtë ceremoni është Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeministri Sali Berisha, drejtues të partive politike kryesore në vend, si edhe ambasadorë të akredituar në vendin tonë.
Frangaj: Fevziu të realizojë debatin Berisha-Rama para zgjedhjeve të ardhshme/Drejtori i Përgjithshëm i televizionit Klan Aleksandër Frangaj ka vlerësuar sukseset, arritjet dhe gjurmët që ka lënë tek teleshikuesit emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, ndërsa nuk ka kursyer edhe vlerësimet për gazetarin e njohur. “Jemi mbledhur së bashku si asnjëherë për të festuar 15 vjetorin e programit më të suksesshëm, emisionit më jetëgjatë të lulëzimit të medias private në Shqipëri. Kur Fevziu më tha se duhet të bënte një emision në televizion, nuk besoja se do kisha sukses, pasi ishte një gazetar që vinte nga shtypi i shkruar dhe jo nga televizioni, po suksesi i tij erdhi që ditën e parë” - e nisi fjalën e tij producenti Frangaj. “Ishte karakteri dhe natyra e Fevziut si një gazetar i hapur dhe bashkëpunues me faktorët politikë, por edhe i rreptë me të ftuarit. Motoja e tij ka qenë gjithmonë të përfaqësojë të gjithë teleshikuesit” - vijoi Frangaj i cili shtoi se kjo aftësi e tij dhe pasioni e ka mbajtur emisionin “Opinion” në cilësinë më të lartë, duke e kthyer në sallonin e debatit shqiptar më të suksesshëm. Sikurse edhe Fevziu, Frangaj citon se një nga arritjet e emisionit të tij ka qenë debati mes ish-kryeministrit Fatos Nano dhe Sali Berishës, një debat i vështirë për t’u realizuar për shkak të ndasive politike të asaj kohe, Frangaj shprehet se vetëm Fevziu mund ta bënte dhe e bëri, por thekson se tani ka ardhur koha për një tjetër debat në studion e “Opinion” atë Berisha-Rama. “Uroj që Fevziu ta realizojë këtë debat para zgjedhjeve të ardhshme” - theksoi Frangaj, ndërsa i uroi të mbetet siç ka qenë, më i miri dhe më i shikuari.

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›