E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja nuk heq dorë nga kushtet, bllokon ligjin për Gjykatën e Lartë

11-09-2012 / Gazeta 55

-- Reagon Rusmali: Opozita do të bllokojë Gjykatën e Lartë, heqjen e imunitetit dhe Kushtetutën


-- Këshilli i Legjislacionit mblidhet sot për t’u njohur me kushtet e PS


Shqyrtimi nen për nen i projektligjit “për Gjykatën e Lartë” ka rikthyer sërish debatin mes ligjvënësve demokratë dhe atyre socialistë në Komisionin parlamentare të Ligjeve. Gjatës seancës së djeshme, Partia Socialiste ka kërkuar ndërprerjen e diskutimeve për Gjykatën e Lartë deri në pritje të vendimit të mazhorancës për ndryshimet kushtetuese. Kësisoj kushtëzimi i ligjit për funksionimin e Gjykatës së Lartë me përfundimin e shqyrtimit të paketës për ndryshimet kushtetuese nga PS-ja, bëri që komisioni i ligjeve t’i drejtohet konferencës së kryetarëve për heqjen nga kalendari të këtij ligji. Gjatë diskutimit të tij në komision nënkryetari Fatmir Xhafaj ka kërkuar kohë për diskutimin e këtij ligji, deri në shqyrtimin e nismës së PS për ndryshimet kushtetuese. “Nuk mund ta bëjë këtë debat pa përfunduar procesi i ndryshimeve kushtetuese. Nisma jonë ka lidhje me amendamentet e imunitetit dhe emërimet e gjyqtarëve. Ne nuk kemi bërë diskutim në parim për ligjin. Gjykata e Lartë mbetet thelbësore dhe reformimi i saj është i mirëpritur dhe gjithashtu edhe iniciativa e mirë”, deklaroi Xhafaj. Nisur nga ky qëndrim, përfaqësuesit demokratë në komisionin ka akuzuar sërish opozitën se po bllokon miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, duke e cilësuar ligjin si kyç për integrimin e vendit theksoi se miratimi i tij duhet bëhet brenda muajit shtator. Gjatë raportimit në komision, ministri Halimi theksoi se “ky projektligj po kërkohet të bllokohet përsëri nga PS duke sjellë dy bllokime. E para, ligji për Gjykatën e Lartë po dhe hyrja në fuqi të ligjit për gjykatën administrative. Partia Socialiste po bllokon Gjykatën e Lartë dhe atë Administrative përmes demagogjive”. Për këtë arsye, ai kërkoi nga deputetët e mazhorancës t`i drejtohen Konferencës së Kryetarëve, për t`i dhënë një zgjidhje këtij ngërçi. Në këto kushte kreu i komisionit Ilir Rusmali theksoi se reformën në drejtësi opozita po e lidh me qëndrimin e byrosë së PS-së, për këtë do të jetë konferenca e kryetarëve ajo që do të përcaktojë axhendën e punës së Kuvendit. “Deputetët e PS-së kërkuan të bllokohet shqyrtimi i ligjit për Gjykatën e Lartë. Opozita do të bllokojë Gjykatën e Lartë, heqjen e imunitetit dhe Kushtetutën. Qëndrimi i PS-së, pasi opozita po kërkon heqjen nga kalendari të ligjit për Gjykatën e Lartë”, theksoi Rusmali. Pas bllokimit të opozitës në Komision, ligji i cili ishte parashikuar të votohej këtë të enjte në seancë plenare u tërhoq nga punimet e komisionit pa afat. Ai u soll nga ministria e Drejtësisë që në sesionin e kaluar dhe është shtyrë disa herë me kërkesë të socialistëve. Sipas tyre nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e gjykatësve të Lartë, përplasen me paketën e tyre kushtetuese për reformën në drejtësi.


Këshilli i Legjislacionit mblidhet sot për t’u njohur me kushtet e PS


Këshilli i Legjislacionit mblidhet sot  për shqyrtimin e iniciativës së Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese. “Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli bazuar në Rregulloren e Kuvendit thërret Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për t’u mbledhur të martën ora 10.30 në seancën e dytë të shqyrtimit të iniciativës së Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese dhe nesër, e mërkurë ora 09.30, seancë dëgjimore me grupet e interesit”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kuvendit. Më herët, kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së grupit demokrat, duke u ndaluar tek deklaratat e kreut socialist dhe deputetëve të majtë, se vota e opozitës për imunitetin do të jetë pro, menjëherë sapo Parlamenti të përfundojë edhe diskutimin e paketës së opozitës, kërkoi përshpejtimin e procedurave që ky ligj të votohet gjatë muajit shtator. “Meqenëse shtatori është një afat kritik për vlerësimin e arritjeve të Shqipërisë,  unë do ju lutesha që të bëjmë gjithçka për të afruar në përputhje me rregullat datën e votimit në parlament të heqjes së imunitetit, natyrisht dhe të ligjeve të propozuara nga Partia Socialiste, për të cilat ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe besojmë se jemi në qëndrim parimor të drejtë”, është shprehur në fjalën e tij kryeministri Berisha. Në mbledhjen e datës 6 shtator, Këshilli i Legjislacionit, vendosi me 17 vota pro, shtyrjen për dy javë të shqyrtimit të nismës kushtetuese të PS. Ky vendim u morr pas pretendimit të palës demokrate për të pasur një diskutim sa më profesional dhe racional lidhur me propozimin e Partisë Socialiste duke u kërkuar së paku 2-3 javë kohë për njohjen me këtë propozim. Propozimet e Partisë Socialiste lidhen me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë e asaj Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me shumicë të cilësuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›