Kremtohet sot 568-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës
Lezhë- Sot qyteti i Lezhës do të kremtojë 568-vjetorin e mbajtjes së Besëlidhjes së Lezhës me 2 mars 1444. Ditën e sotme aktivitete të ndryshme janë planifikuar të mbahen në qytet ku do të marrin pjesë edhe personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe Kosovës. Mësohet se të pranishëm do të jenë kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi.
Nën muzikën patriotike nga orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit do të luhentë operat më të njohura shqiptare.
Kuvendi, 2 mars 1444
Ftesa e Skënderbeut për të mbajtur një kuvend të përgjithshëm gjeti pëlqimin e pothuajse të gjithë bujarëve shqiptarë. Kuvendi u vendos të mblidhej në fillim të marsit. Mbledhja u caktua të bëhej në qytetin e Lezhës që ishte nën zotërimin e Venedikut, për të mos ngjallur dyshimin e republikës dhe për të evituar pakënaqësinë e bujarëve, që mund të shkaktohej në qoftë se mbledhja bëhej në një nga domenet feudale. Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës u ftuan të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kuvend.
Kuvendi u çel më 2 mars 1444 pranë katedrales së Shën Kollit të Lezhës. Midis bujareve që moren pjesë në kuvend qenë udhëheqësit e kryengritjeve të mëparëshme: Gjergj Arianiti, Andre Topia, Nikollë Dukagjini dhe Teodor Korona Muzaka.
Personalitete të tjera të rëndësishme qenë gjithashtu Pal Dukagjini, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani,Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviçi dhe mjaft feudalë të tjerë. Në kuvend morën pjesë edhe përfaqësues të fiseve malësore.
Çështja kryesore që u bisedua në kuvend qe ajo e bashkimit të vendit në luftën kundër turqve. Skënderbeu, pasi u foli pjesëmarrësve të kuvendit mbi të kaluarën e tij dhe arësyet që e kishin detyruar të shërbente si sanxhakbej i sulltanit, u theksoi atyre nevojën e bashkimit të forcave të vendit per të marrë pjesë në luftën kundër turqve tani që fitorja e hungarezëve kishte hapur prespektiva për çlirimin e popujve të Ballkanit. Në përfundim të bisedimeve, bujarët shqiptarë, megjithëse në shumë çështje kishin divergjenca të theksuara, u shprehën në mënyrë të njëzëshme për bashkimin e tyre në luftë kundër turqve, bashkim ky në shkallë kombëtare që ndodhte, nga sa dihet, per të parën herë në historinë e Shqipërisë feudale. Me pëlqimin e pjesëmarrësve kuvendi vendosi formimin e një besëlidhjeje e cila njihet me emërin Lidhja shqiptare, ose Lidhja e Lezhës Lidhja shpalli Skënderbeun kryetar të saj.
Një vendim tjetër me rëndësi që mori kuvendi i Lezhës qe formimi i një ushtrie shqiptare me repartet që do të rekrutonin si Skënderbeu ashtu dhe bujarët e tjerë në zotërimet e tyre. Komandant i saj u caktua gjithashtu Skënderbeu, me titullin kapiten i përgjithshëm (Capitaneus generalis) ndërsa komandantët e reparteve të veçanta do të caktoheshin nga vetë bujarët. Përveç ushtrisë, kuvendi vendosi të krijonte edhe një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Fondi do të krijohej me kontributet që do të jepnin bujarët shqiptarë si dhe me një pjesë të të ardhurave të kriporeve të Shën-Köllit që ndodheshin në veri të Durrësit.
Shkrime të tjera me interes:
- Kremtohet 45-vjetori i shkollës së artit Janë 45 vjet shkollë arti…! Gjenerata artistësh të diplomuar, qindra...
- Spitali i Lezhës, inagurohet skaneri 460 mijë eurosh Lezhë- Spitali i Lezhës është pajisur me skanerin e ri,...
- 92-vjetori i Kongresit, Berisha viziton sot Lushnjën Lushnjë- Teksa opozita shqiptare do të zhvillojë marshimin-homazh për të...