E Diel, 1 Nëntor 2026

Kremtohet sot 7 marsi, Dita e Mësuesit. Berisha: “Shqipëria çka qenë, ç’ është e çdo të bëhet” është Shqipëria Europiane

07-03-2012 / Gazeta 55

Në mbarë vendin kremtohet sot 7 marsi, Dita e Mësuesve. Festa e 7 marsit shënohet prej 125 vjetësh në Shqipëri, që nga çelja e mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, e cila kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare.

Shefi i ekzekutivit uron nga qyteti i Korçës: Shkolla laike perëndimore që u themelua këtu u bë drita e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar

UPDATE- Me rastin e festës së mësuesit 7 marsit, kryeministri Sali Berisha ishte në qytetin e Korçës ku veç vizitës në shkollën e parë laike shqipe, e themeluar 125 vjet më parë, e njohur si Mësonjëtorja kreu i ekzekutivit u ndal në disa shkolla në kuadrin e aktiviteteve të organizuara nga Drejtoria Arsimore e këtij qyteti, Ministria e Arsimit dhe autoritetet lokale, me rastin e 7 marsit. Kësisoj, një moment i veçantë i vizitës së kryeministrit në Korçë, ishte ndalesa në muzeun e saj, ku dëshmohet një histori e gjatë përpjekjesh dhe sakrificash për vendosjen e themeleve të arsimit laik shqiptar. Kryeministri Berisha la një shënim në Librin e Përshtypjeve, ku shprehu ndjenjat e krenarisë më të lartë për këtë shkollë si tempulli i dijes shqiptare, i atdhedashurisë më të lartë dhe i vokacionit perëndimor të tyre. “Mësonjëtorja – tha Kryeministri, gjatë vizitës në muze - u shndërrua në një burim të madh drite që shqiptarëve, të cilët shekuj jetuan në një perandori lindore, u ndriçoi rrugën drejt djepit ku ata kishin lindur, djepit perëndimor të tyre”. “Mësonjëtorja, u mësoi shqiptarëve të besimeve të ndryshme se besimi i tyre i përbashkët është shqiptarësia dhe u shndërrua kështu në plazmën e unitetit kombëtar të shqiptarëve, pavarësisht nga besimet e fetë e tyre”- tha ai. Kryeministri u shpreh se në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe 125 vjetorin e themelimit të shkollës shqipe, shqiptarët vijnë sot, si gjenerata më e lumtur, sepse “e nderojnë këtë përvjetor në lartësinë e ëndrrave të atyre burrave që themeluan Mësonjëtoren e parë: vend anëtar i NATO-s, qytetarë të lirë kudo që jetojmë dhe më të përkushtuar se kurrë në rrugën e tyre drejt Europës”. “Ky është tempulli, ku u ndez drita, e cila nuk u shua më kurrë, por ndriçoi dhe do të ndriçojë zemrat, mendjen e shpirtin e shqiptarëve dhe vokacionin e tyre perëndimor. Ajo u themelua si shkolla e parë laike në historinë e kombit dhe i dha sistemit tonë frymën laike, e cila përbën bazën më të shkëlqyer të formimit qytetar dhe të dijeve të individit, por edhe të vitalitetit të tij, se asgjë më shumë se dija nuk përfaqëson vitalitetin e njeriut dhe të shoqërisë. Ajo u bë një faktor i madh i bashkimit kombëtar”- u shpreh Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, sot është koha për të nderuar rilindësit, burrat e kombit mbi sakrificat e tyre i dhanë dritë kombit. Duke e vlerësuar shkollimin si sfidën e qeverisë, për të konsoliduar sistemin arsimor, Berisha tha se “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, është Shqipëria evropiane”. “Shkolla e parë laike në historinë e kombit, bëri që shqiptarët nga komb pa shkolla, të jetë sot, një komb i shkolluar e të vijë si një nga kombet e mirëshkolluar, të vendosur për të konsoliduar sistemin e tyre të dijes, mbi bazat që vendosën etërit, themelues të shqiptarësisë, rilindësit tanë, burrat e mëdhenj të kombit, me në krye Sami Frashërin, mësuesit e drejtuesit e parë të kësaj shkolle, Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri, Thoma Avrami, Thanas Sina e shumë të tjerë, të cilët me kurajë e atdhedashuri legjendare vunë gjithçka që të ndriçojnë një herë e përgjithmonë shpirtin e shqiptarëve. Shkolla laike perëndimore që u themelua këtu u bë gjithashtu drita e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Sa herë të lexojnë Sami Frashrin, aty shqiptarët kanë biblën e të gjitha besimeve të tyre. Besimet i kanë të ndryshme dhe i pasurojnë shpirtin, kurse “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet” është Shqipëria evropiane”- tha më tej kryeministri Sali Berisha. Në vijim të vizitës në qytetin e Korçës, për festën e 7 marsit, kryeministri Berisha ndoqi koncertin festiv, të organizuar në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. Në vlerësimin e tij, Berisha tha se nderimi i mësuesve është nderimi i dijes dhe përparimit. “Sot ne, së bashku me të gjithë shqiptarët, nderojmë mësueset dhe mësuesit, këta misionarë të mëdhenj të dijes dhe të përparimit. Këta misionarë, të cilët janë promotorët kryesorë të asaj gare, më fisnikja, më e vështira, më jetikja  e të gjitha garave të tjera, gara e dijes. Dija është horizonti më i lartë në të gjitha horizontet, është horizonti më i vështirë, që rend më shpejt se çdo horizont  tjetër. Ndaj është e kuptueshme sa e vështirë, sa e lodhshme është detyra dhe misioni juaj, por, siç thotë një filozof, ndër më të mëdhenj e shekullit që shkoi dhe ndoshta ndër më të mençurit e të gjitha kohërave, fati i një shoqërie përcaktohet nga nderimi që ajo i bën mësuesit. Ndaj edhe unë ju garantoj se në vetëdijen time më të thellë, ky postulat ka të vërtetën më të madhe. Kështu që ju premtoj, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka, që ju të qëndroni në piedestalin e merituar, do të bëjmë gjithçka, që rritja, mbështetja dhe konsolidimi i rolit qendror të mësuesit, në sistemin tonë arsimor të qëndrojë në epiqendër të të gjithë përpjekjes sonë për të vendosur shoqërinë dhe ekonominë, mbi bazat e dijes”- tha ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›