Krenar që demokratët kryen për 19 vjet detyrimin e tyre ndaj kombit
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje 19 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, vetëm pak orë para mbajtjes së punimeve të Kongresit Kombëtar.
“Partia Demokratike mbledh kuvendin e 9-të, i cili nuk mund të ketë cilësor tjetër përveçse Kuvendi i fitores së Partisë Demokratike”, u shpreh kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij gjatë një konference për shtyp. Kreu i qeverisë Berisha përshëndeti të gjithë delegatët, anëtarët dhe mbështetësit e kësaj force politike që siç tha kryeministri, në 19 vite ka arritur të realizojë projektet dhe aspiratat më të mëdha të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Dua t’u përcjell një përshëndetje delegatëve të Kuvendit të 9-të të Partisë Demokratike të Shqipërisë, anëtarëve dhe simpatizantëve, drejtuesve të Partisë Demokratike dhe mbarë qytetarëve shqiptarë.
Në këtë ditë, jam këtu për dy momente të rëndësishme historike në jetën e Partisë Demokratike dhe të mbarë vendit.
Së pari, themelimin e PD-së. Partia Demokratike u themelua 19 vjet më parë si, sintezë e kurajës, guximit, trimërisë legjendare të studentëve shqiptarë, mendimit intelektual më të avancuar dhe më të guximshëm të intelektualëve shqiptarë. 19-vjetori i Partisë Demokratike që lindi në zjarr, në oqeanin e ndjenjave, aspiratave demokratike të rinisë studentore dhe të mbarë rinisë shqiptare u festua me 8 dhjetor më madhërishëm se kurrë ndonjëherë në ndonjë përvjetor. U festua me pjesëmarrjen e gjysmë milioni shqiptarë që mbushën sheshin “Skënderbej” dhe të gjitha sheshet e tjera të lidhura me këtë shesh. U festua nga mbarë shqiptarët në shtëpitë e tyre, në mbarë qytetet, fshatrat e vendit tonë. Partia Demokratike e Shqipërisë u themelua si parti e lirisë dhe e të drejtave njerëzore. Ajo vjen sot krenare se në përkushtimin e saj me guximin e saj, me vendosmërinë e saj, ia doli të garantojnë në Shqipëri, lirinë dhe të drejtat e njeriut, të rilindë lirinë dhe të drejtat e njeriut, të ndërtojë në Shqipëri një demokraci funksionale. Shqipëria nën drejtimin e Partisë Demokratike, si lokomotivë e të drejtave njerëzore, u bë vendi i lirisë së mbledhjes, manifestimit, lirisë së besimeve dhe iniciativës së lirë, vendi në të cilin hodhën shtat dhe erdhën në konsolidim institucionet demokratike të shtetit ligjor. Partia Demokratike vjen në këtë përvjetor më krenare se kurrë, pasi ajo u faktua në këto 19 vite si lokomotivë e integrimit të Shqipërisë në institucionet euro-atlantike. Është kjo parti që integroi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Është kjo parti që me reformat e saj të gjithanshme, bëri të mundur që më 16 nëntor, 27 ministrat Jashtëm të Bashkimit Evropian të vendosin të pranojnë kërkesën e Shqipërisë si vend kandidat në BE. Është kjo parti që me reformat e saj serioze dhe të thella po bën të mundur muajt që vijnë heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të mbarë shqiptarëve. Partia Demokratike vjen sot më krenare se kurrë, sepse nderoi në Shqipëri ekonominë e tregut të lirë. Nga vendi më hiperkolektivist i planetit, sot Shqipëria ka një ekonomi tregu funksionale, ekonomi që i rezistoi edhe cunamit, krizës më të madhe botërore që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar. Dhe kjo, jo se është një ekonomi centraliste apo e shkëputur nga ekonomia globale, e kundërta është e vërtetë, kjo është ekonomi më tregu dhe ekonomi thellësisht tregu, ia doli t’i rezistojë cunamit të krizës financiare dhe ekonomike evropiane e botërore. Partia Demokratike është parti e vizionit më të shkëlqyer për të ardhmen e Shqipërisë. Vizioni i saj është anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE, transformimi tërësor i këtij vendi dhe realizimi i standardeve, kritereve, kushteve, kritereve, praktikave që kanë adaptuar vendet e lira dhe të zhvilluara evropiane. Ndaj edhe jam sot këtu për të shprehur nderimin më të madh, respektin më të thellë ndaj studentëve, intelektualëve, punonjësve të Tiranës që themeluan më 11 dhjetor në orën 23:00, një orë para mesnate Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Përulem edhe njëherë me nderimin më të madh para veprës së tribunit legjendar Azem Hajdarit, martirëve Arben Brocit dhe martirëve të Shkodrës dhe të gjithë atyre që këto 19 vite u flijuan për vlerat dhe parimet për të cilat u themelua kjo parti.
Në Evropën ish-komuniste, Partia Demokratike e Shqipërisë është partia që përjetoi terrorin, dhunën, shtypjen, trysninë më të madhe, por gjithashtu është partia që diti të ndërtojë qëndresën dhe suksesin më të fuqishëm. Një mirënjohje të madhe dua t’u shpreh qindra e mijëra anëtarëve të saj që gjatë këtyre 19 viteve, me përkushtim të madh u angazhuan në reformat e një epoke të re, epokë që lidhet tërësisht me veprën e saj, epokën e demokracisë. Dua t’u shpreh një mirënjohje të madhe atyre që rezistuan në kushtet më të egra të rebelimit komunist të ‘97-s, qëndruan të pamposhtur dhe u kthyen fitimtarë, më të fortë se kurrë, më 3 korrik 2005. Mirënjohje të thellë atyre që u bashkuan gjatë këtyre viteve me Partinë Demokratike. Me mendjen vizionin, përkushtimin bënë që kjo parti të mbetet gjithnjë e re, gjithnjë partia e të ardhmes. Mirënjohja ime e pakufishme sot në këtë përvjetor shkon gjithnjë tek rinia shqiptare, pa luftën dhe përpjekjen e të cilës nuk do të kishim dhjetorin e vitit ’90, fitoren e vitit 2005, fitoren e vitit 2009. Dua me këtë rast të garantoj të rinjtë shqiptarë se asgjë nuk më detyron më shumë në të gjithë luftën dhe përpjekjet e mia sesa mbështetja e tyre dhe se ky mandat do të jetë mandati i të rinjve shqiptarë. Por sot është një moment të falënderoj me mirënjohjen me të thellë, respektin më të madh, partitë simotra dhe të gjithë ata që këto 19 vite, me solidaritetin, me mbështetjen e me ndihmën e tyre, bënë që ne sot, edhe 19 vjet pas themelimit, të jemi në pushtet, të marrim mandatin e dytë pas 2005-s. Bënë që ne të mund të realizojmë projekte të mëdha, aspirata të mëdha të shqiptarëve.
Zonja dhe Zotërinj, në këtë kuadër, në këtë krijim, në këto kushte, Partia Demokratike mbledh kuvendin e 9-të, i cili nuk mund të ketë cilësor tjetër përveçse kuvendi i fitores së Partisë Demokratike. Në fazën e parë të këtij kuvendi në prill të këtij viti ne shpalosëm para shqiptarëve projektin tonë të Shqipërisë evropiane. Delegatët e këtij kuvendit, kandidatët, drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike, ministrat, zyrtarët, shndërruan këtë projekt me punën dhe përkushtim e tyre në projektin e besimit më të madh të shqiptarëve. Projektin që mori mbështetje të plotë, firmën e qytetarëve shqiptarë për t’u shndërruar në një realitet gjatë katër viteve që vijnë.
Ky kuvend mblidhet pas një zhvillimi madhor historik, zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 28 qershor. Kjo është një meritë e madhe, meritë historike e të gjithë piramidës zgjedhore të Partisë Demokratike dhe të qeverisë së saj, sepse është e njohur, është e faktuar se përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e ka qeveria, administrata shtetërore, partia në pushtet. Këtë përgjegjësi e përmbushëm më me nder se kurrë, i dhamë vendit zgjedhjet me dinjitoze, më të lira në historinë e tij. Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike mblidhet në fazën e dytë të tij për të zgjedhur organet dhe forumet e reja drejtuese të PD, kryetarin, Këshillin Kombëtar të tij, Komisionin disiplinor të statutit. Mblidhet për të ripërtërirë mandatin e organeve drejtuese. Ky do të jetë një proces fund e krye transparent. Grupet e punës kanë bërë një punë shumë serioze në seleksionimin e kandidaturave që paraqiten sot para delegatëve të kuvendit. Në forumin kryesor të Partisë Demokratike, në Këshillin Kombëtar të saj, konkurrojnë 400 personalitete, me një karrierë të shkëlqyer politike dhe profesionale, me kontribute thelbësore në demokracinë e këtij vendi dhe në jetën e PD-së. E kuptoj që përzgjedhja është e vështirë, por kam besim të plotë se delegatët e Kuvendit do të votojnë për kandidatët më të mirë, do të votojnë për kryetarin e tyre Sali Berishën.
Është një ditë e shënuar, Partia Demokratike mbledh kongresin e saj të fitores. Jam këtu për të ftuar në emër të saj, të vijnë në Kuvend, të ftuar nga kryetari i partisë, të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre në historikun e kësaj partie, nga dita e themelimit e deri më sot. Pavarësisht nga pozicionet dhe pozicionimet e tyre, është një ditë fitoreje, është një ditë me mirëkuptimi për të gjithë. Në rast se protokollet dhe burokracitë kanë harruar të dërgojnë ndonjë ftesë, kam kënaqësinë nga kjo platformë t’u adresoj të gjithë atyre ftesën time miqësorë të sinqertë, që të jenë të pranishëm në Kongresin e Partisë Demokratike.
Duke mbyllur këtë ekspoze, do të shfrytëzoj rastin t’i uroj mikut të madh të kombit shqiptar, Silvio Berluskonit, shërim të shpejtë, pasi pak orë më parë u adresua me sa duket nga një i ç’ekuilibruar, të cilin drejtësia italiane do ta saktësojë. Shpreh me këtë rast ndjenjat më miqësore të të gjithë shqiptarëve ndaj një miku të madh, një evropiani të madh, një italiani të madh.
Pyetje - Përgjigjet
Paralelisht me zgjedhjen e forumeve të reja të partisë do të ketë dhe disa ndryshime statusore. Gjatë javëve të fundit ka pasur një debat për ndarjen e mandateve ne disa nivele drejtuese. A do të ketë ndarje postesh dhe në çfarë niveli?
Mbledhja e Kongresit është me interes jo vetëm në PD, por për të gjitha partitë politike në pushtet. Në mënyrë të ligjshme lind debati për ndarjen e posteve partiake me ato të pushtetit. Kjo nuk ka asgjë të paligjshme, por një parti që fiton zgjedhjet është e detyruar që forcat më të kualifikuara më aktive, t’i angazhojë për ti dhënë vendit qeverisjen më të mirë dhe më kompetente. Nuk dua të them me këtë se ata që mbeten në parti janë dytësorë. Së dyti, në disa funksione partia ka traditën e vet dhe një traditë, mendoj unë, që ka funksionuar në interesin e saj: Kryetrari i grupit parlamentar që nga themelimi i partisë ka qenë nën/kryetar i saj, edhe në opozitë dhe në pushtet. Pra, ne i jemi përmbajt këtij rregulli që nga themelimi, që nga shndërrimi ynë në parti parlamentare në zgjedhjet e para. I jemi mbajt këtij rregulli me funksionin parlamentar kryesor të partisë, nën kryetar apo kryetar parlamenti. Kështu që, delegatët do kenë mundësi të përzgjedhin ndërmjet këtyre 2 tendencave, dhe unë garantoj se vota e tyre dhe vullneti i tyre do të respektohet tërësisht.
Ju ftuat të gjithë kontribuesit ndër vite në Partinë Demokratike, a është kjo një ftesë edhe për kreun e PS-së, Edi Rama?
Edi Rama është i ftuar si kryetar i PS. Në kuvend, ne kemi ftuar të gjithë spektrin polik ty vendit. Atë disa ditë e zgjati, për fat të keq kanë qenë gjithsej 18 minuta. Erdhi dhe deklaroi hyrjen në mbledhjen e Komisionit nismëtar, duhet të ketë ardhur nga data 17 ose 19, u ul aty dhe pas një debati një nga eksponentët kryesorë të partisë, i kërkoi që të dilte jashtë, për motive që nuk e gjej me vend t’i ekspozoj se zotëria e tij është i ftuar në Kuvend.
Në disa media është theksuar se ju nuk keni qenë kur është themeluar PD dhe as në Komisionin nismëtar të saj. Cili është kontributi juaj në themelimin e PD?
Pretendimi i parë është qesharak. Aty ka dokumente që faktojnë se cilët kanë qenë ata që në orën 11 të natës, themeluan PD. Janë dokumente se cilët ishin ata që firmosën pas themelimit, legalizimin e saj. Janë dokumente se kush u zgjodh në Komisionin nismëtar. Ndaj edhe këtu nuk besoj se ka nevojë për komente.
Moratoriumi i skafeve, reagon kryeministri Berisha
“Tendenca e opozitës, për të mbrojtur të industrinë e mafies”
“Kundërshtimet e opozitës ndaj pallateve të paligjshme. Kundërshtimet që bën opozita ndaj skafeve, gjykoj se nuk ka asgjë në interes të zgjedhësve të tyre. Nëse opozita mendon se ne kemi trajtim politik, për pallatin që ka ndërtuar Rama me Dash Pezën në mes të rrugës, unë u bëj thirrje socialistëve të gjejnë një pallat tjetër të ndërtuar mbi rrugë dhe ne do të mbajmë qëndrim tjetër.
Së dyti, kjo tendencë e opozitës është në mbrojtje të industrisë së mafies. Më vjen shumë keq që opozita bëhet avokate e këtyre interesave. Nuk do ketë forcë që do të pengojë betejën tonë me zero tolerancë ndaj mafies dhe fenomeneve të saj”.
* Fjala e plotë e kryetarit të PD-së, mbajtur mbrëmë në prag të çeljes së punimeve të Kuvendit të 9-të të PD-së